“Kosova i ka dy zgjidhje për marrëveshjen finale”, vjen paralajmërimi i fortë për Avdullah Hotin

Politika

“Kosova i ka dy zgjidhje për marrëveshjen finale”, vjen paralajmërimi i fortë për Avdullah Hotin

Nga: P.R Më: 19 shtator 2020 Në ora: 19:02
Avdullah Hoti

James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Londrës në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se Kosova i ka dy zgjidhje për marrëveshjen finale.

Sipas tij, Kosova duhet të lejojë formimin e ASK-së, ose të pranojë opsionin e marrëveshjes territoriale me Serbinë.

“Zyrtarisht, Asociacioni është diçka që Kosova është zotuar ta zbatojë. Duhet të bëhet. Por, shkon më larg se kjo. Në fund të fundit, dhe duke qenë shumë i sinqertë këtu, unë mendoj se zgjedhja me të cilën përballet Kosova është ose të kesh një Asociacion shumë të fortë që i jep komunitetit serb një shkallë shumë të lartë të autonomisë brenda Kosovës, ose duke pranuar opsionin e një lloj marrëveshje territoriale me Serbinë. Nëse Kosova nuk dëshiron të flasë për rregullimet territoriale, atëherë do të duhet të bëjë kompromis mbi Asociacionin”, ka deklaruar eksperti britanik për marrëdhënie ndërkombëtare, James Ker-Lindsay.

E një gjë të tillë e thotë edhe profesori i njohur, doktor Enver Bytyçi.

“Po, është e vërtetë se Ker – Lindsay në një intervistë për gazetën kombëtare “Bota sot” ka shpjeguar se për Kosovën ka tashmë dy opsione për të përmbyllur dialogun me Serbinë. Një opsion që lidhet me shkëmbimin e territoreve, për të cilin u angazhuan dhe punuan fort presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, presidenti kosovar, Hashim Thaçi dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe një opsion të dytë për krijimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, të firmosur nga Thaçi në vitin 2013 dhe nga Isa Mustafa në vitin 2015, por të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2016”, thotë profesor Bytyçi.

Më tej, ai ka thënë se ideatorët dhe përkrahësit e ndarjes së Kosovës, e kanë paraqitur këtë si opsionin më të mirë për vendin.

“Spikerët e ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës, si Baton Haxhiu, e kanë paraqitur ndarjen e Kosovës si opsionin më të mirë për vendin dhe kombin shqiptar dhe Asociacionin e komunave serbe si alternativën më të dëmshme për ne. Ndërsa Thaçi ka operuat gjithnjë me idenë se “Përmes shkëmbimit të territoreve e largojmë Serbinë nga Kosova”. Sipas tij, Kosova duhet të japë territoret më të pasura të saj, me qëllim që Serbia të heqë dorë nga ajo. “Hajde Albin, i thoshte presidenti ish-kryeministrit, shkojmë në Uashington dhe e mbyllim marrëveshjen me të cilën e largojmë Serbinë përfundimisht nga Kosova”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Ai shton se e gjithë përpjekja e ithtarëve të ndarjes së Kosovës ishte që ta bindin opinionin kundër tij, që ta pranonte opsionin e Serbisë të ndryshimit të kufijve.

“Prandaj thoshin gjithnjë se “Asociacioni është tmerrësisht i dëmshëm për shqiptarët”, sepse “Serbia mbetet e pranishme në Kosovë”! Por një analizë empirike e dy opsioneve që përmend i nderuari Ker-Lindsay na çon në një realitet tjetër. Së pari duhet të pranojmë se të dy opsionet janë vepër e Hashim Thaçit. Nëse sot do t’i duhet Kosovës të pranojë njërin nga këto dy opsione, ajo detyrohet për këtë për shkak të lëshimeve dhe kompromisit jo parimor të presidentit të saj, Hashim Thaçi. Firma e tij në marrëveshjen e 19 prillit 2013 ka legjitimuar krijimin e një Asociacioni të Komunave serbe në Kosovë. Ndërsa lobimi dhe gatishmëria e tij për të firmosur ndarjen e Kosovës e ka vënë Kosovën në vështirësi dhe në pozita inferiore ndaj Beogradit”.

“Ish-kryeministri dhe presidenti i sotëm në detyrë i Kosovës nuk deshi që të dëshmonte në dialog krimet serbe kundër shqiptarëve, sepse ishte i kompleksuar për akuzat që ishin ngritur ndaj tij nga ana e Serbisë. Ai u shfaq në bisedime me krerët e qeverisë së Beogradit inferior, si i zënë në faj, ndërkohë që fajtorët dhe përgjegjësit e gjenocidit në Kosovë ishin vetë ata, sidomos dy autoritet më të larta në piramidën shtetërore të Serbisë së sotme, Aleksandër Vuçiç dhe Ivica Daçiç. Pranaj dhe sot ekipi i ri negociator është në vështirësi për të kërkuar drejtësi”, shpjegon Bytyçi për “Bota sot”.

Profesor, doktor Enver Bytyçi thotë se kryeministri Hoti duke mos patur ndonjë hipotekë të së shkuarës, i ka të gjitha mundësitë që të rikthejë dinjitetin e humbur në përballje me Serbinë.

“Ai nuk mund t’u ikë të dy alternativave që ia la trashëgim paraardhësi i tij në bisedime. Por mund të ekuilibrojë zgjidhjen, që do të thotë se mund të evitojë një marrëveshje Asociacioni, e cila dëmton funksionimin kushtetues të institucioneve të shtetit. Kjo është në fund të fundit detyrë e tij, jo vetëm mundësi”.

Sipas tij, Asociacioni i komunave serbe, nëse pranohet nga ana e Kosovës, duhet kushtëzuar në disa aspekte.

“Së pari, me kërkesën dhe nënshkrimin e dakordësisë që ndryshimet kushtetuese të Kosovës të mos kushtëzohen nga votat e 2/3 ve të deputetëve të pakicave. Që Beogradi të ndërpresë çdo interferim dhe ndërhyrje në çështjet e brendshme dhe të jashtme të Kosovës, duke ndalur provokacionet, kërcënimet, intervenimet në dobësimin e rolit dhe pjesëmarrjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Së dyti, të përcaktohet se gjithçka në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Asociacionit do të kalojë përmes qeverisë së Kosovës, thjesht për transparencë dhe mos shkeljen e ligjeve të vendit. Ndoshta më funksionali do të ishte modeli i Tirolit Jugor, territor që pas Luftës së Dytë Botërore iu shkëput Perandorisë Austro-Hungareze dhe iu dha Italisë. Autonomi në çështjet e arsimit, shëndetësisë dhe financimeve austriake. Por përfundimisht duhet thënë se në dilemën ndarje apo Asociacion, duhet zgjedhur kjo e dyta, por me rregulla të qarta, për të evituar çdo mundësi që në të ardhmen përmes këtij Asociacioni të krijohet ndonjë mundësi për ndarjen e Kosovës”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat