Serbia, kjo armike e pangopur!

Politika

Serbia, kjo armike e pangopur!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 20 shtator 2020 Në ora: 21:05
Pamje nga takimi

Para pak javësh është nënshkruar një marrëveshje ekonomike në Uashington në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Presidentit amerikan, Donald Trump. Kjo marrëveshje është prezantuar në Kuvend nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, si nënshkrues i kësaj marrëveshje.

Gjatë raportimit të tij në Kuvend, kryeministri Hoti ka përmendur përfitimet që sjell marrëveshja e nënshkruar më 4 shtator në Uashington.

Hoti i është kundërpërgjigjur opozitës të cilët deklaronin se Kosova vetëm ka humbur nga kjo marrëveshje dhe Serbia është përfituese, ai ka thënë se marrëveshja nuk është perfekte por as Kosova nuk ka humbur asgjë.

“Kosova nuk humb asgjë, marrëveshja nuk është perfekte sepse do të ishte e tillë sikur ta kishim mbyllur me njohje reciproke dhe të ecnim përpara në integrimet euroatlantike”, ka deklaruar kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti ka përmendur në këtë rast përfitimet e Kosovës nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje.

“Marrëveshja i sjell Kosovës, 1 miliardë dollarë, njohje nga Izraeli, partneritetin më të fuqishëm që ka pasur Kosova me SHBA-të dhe ajo që është më e rëndësishme përfshirjen e plotë të SHBA në bisedime. Nuk e kemi pranuar minishengenin e Novi Sadit, e kemi kundërshtuar, e kemi pranuar minishengenin e Ëashingtonit si palë e barabart e kësaj marrëveshje” ka thënë Hoti para deputetëve.

Deputetja e LDK-së: Unë nuk besoj në situata imagjinare

Image
Vlora Limani Hajnuni

Mirëpo, duke u cilësuar nga opozita si një marrëveshje jo fituese për Kosovën, deputetja e LDK-së, Vlora Limani Hajnuni, ka thënë për “Bota sot” se ajo ҫfarë është prezantuar nga kryeministri Hoti në Kuvend, është e njëjta marrëveshje e nënshkruar në Uashington.

“Unë nuk besoj në situata imagjinare, as nuk jetoj në paranojë. Kështu që asnjë arsye nuk e kam me mendu që në Uashington ka një marrëveshje të dytë të fshehur dhe të dëmshme për Kosovën. Ai dokument që është prezantuar para juve dhe para Kuvendit është dokument që është nënshkruar, ashtu siç pyetet ju, realisht në Uashington”, vlerëson deputetja e LDK-së.

Maxharraj: Serbia do vazhdojë me kërkesa

Image
Binak Maxharraj

Mirëpo, duke iu referuar marrëveshjes së prezantuar, profesori dhe opinonisti Binak Maxharraj thotë se Serbia nuk është e kënaqur as kësaj radhe me dialogun. Andaj duke parë se ka dështuar mundimi i saj për të ndarë Kosovën, Serbia po insiston në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Dhe posa filloi dialogu në këtë vit, Serbia përsëri nuk është e kënaqur me dialogun. Duke e parë se e ka humbur rrugën në sokak për shkak të nacionalizmit euforik të Serbisë ndaj shqiptarëve nuk guxon jo ta njoh Kosovën por as ta përmend.  Kjo më së miri u pa në Shtëpinë e Bardhë, kur Vuçiq i tha jo Trumpit nuk e njoh Kosovën si shtet të pavarur dhe pikë. Por tashti në kohët e fundit veç kur ka filluar dialogu dhe kur Serbia e ka të qartë se është djegë karta e Vuçiqit dhe Thaçit për ndarjen e Kosovës i ka hyp hylmyqes tjetër për të nxjerrë atë çka mundet në dialogun me Kosovën. Sot ajo në dialogun me Lajçak insistoi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe”, thekson ai për “Bota sot”.

Sipas tij, Asociacionin nuk do ta ngritë Serbia në nivel të dialogut, sikur ai Asociacion të bëhej me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, pra një asociacion normal, siç është ai Asociacioni i komunave me shumicë shqiptare i formuar vite më parë.

“Por Serbia nuk e do një Asociacion të këtillë të cilin e patë aprovuar në vitin 2015 edhe Parlamenti i Kosovës. Por ajo do diçka më shumë që Asociacioni të ngritet në një nivel më të lartë, pra të ketë kompetenca ekzekutive me ligjet e veta, me kontrollin e territorit të vetë, me polici dhe gjyqësi të vetë pa i dhënë asnjë llogari gjyqësisë në nivel qendror, por e do të lidhur me Beogradin. Një gjë e këtillë nuk guxon të ndodhë, sepse formimi i Asociacionit të këtillë është i rrezikshëm gati sa ndarja e Kosovës. Dhe këtu i dhembë Serbisë e cila insiston që në dialog të bisedohet për Asociacionin, me kompetenca ekzekutive. Bile kreu i delegacionit të Beogradit në bisedimet me Kosovën, Marko Gjuriq ka thënë të enjten në Bruksel se pala serbe kushtëzon përparimin në dialog me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë”, vlerëson Maxharraj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat