A e di ku i bie Mirusha, zoti president?

Politika

A e di ku i bie Mirusha, zoti president?

Dush Gashi Nga Dush Gashi Më 21 shtator 2020 Në ora: 09:40
Hashim Thaçi

Gjatë tërë muajit të kaluar, e edhe këtyre ditëve të shtatorit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po i promovon, ndër tjera, edhe vlerat e trashëgimisë natyrore të Kosovës.

Por, ka një gjë që preokupimin e tij me natyrën e bën të duket tepër i pasinqertë. Në fakt një harresë - ajo e Mirushës.

Në rrethana normale edhe mund të kuptohej - ndoshta "s'e ka qitë udha", apo ndoshta e ka në radhë ta vizitojë më vonë. Por, kishte ndodhur diçka që Mirushën nuk bën të mos e vinte re - ajo kësaj vere po i përjetonte ndoshta ditët më të rënda në lashtësinë e saj.

Lumi Mirusha, i cili gjatë rrjedhës së tij, pak para derdhjes në lumin Drin, kalon nëpër një grykë, e cila njihet si Kanjoni i lumit Mirusha, dhe këtu krijon 12 ujëvara dhe 16 liqene, që paraqesin një fenomen të rrallë natyror.

Mirusha është Jellowstonei i ynë, Kanioni i Madh, ujëvarë e Niagarës. Mirusha është miniaturale në krahasim me këto parqe kombëtare të botës, madje edhe me një dukuri të ngjashme gjeologjike dhe hidrologjike nga fqinjësia - Plitvicen kroate, por kjo nuk e bën më pak të rëndësishme. Në kemi edhe shumë begati tjera natyrore, ndër to mali i Sharrit dhe Bjeshkëve e nemuna janë shumë të çmuara. Megjithatë, male të ngjashme ka edhe gjetiu, ndërsa Mirusha është vërtet si një perlë mes gjerdanit të këtyre vlerave.

Prej aty do mund të jepen lajmet për ndërrimin e motit e të stinëve, kur e mbulon bora apo e stolisin lulet, në vapën e verës apo kur vjeshta i bën gjethet të arta. Për fat të keq, kah fillimi i gushtit prej atje erdhi lajmi i trishtuar: ka shteruar Mirusha, janë tharë ujëvaret! Dhe atë me fajin e njeriut!

Por, presidenti Thaçi nuk po i dëgjonte klithmat e qytetarëve për degradimin që po përjetonte Mirusha, as reagimet e shoqërisë civile, as alarmimin e medieve.

Deri sa shumicën e njerëzve bukuria dhe brishtësia e kompleksit të Mirushës i bën të ndjejnë admirim dhe të kenë drojë mos e dëmtojnë edhe padashtas, ashtu sikur askush nuk i lëndon lejlekët, por i mahniten bukurisë dhe graciozitetit të tyre, në këto vite ka ndryshuar shumëçka.

Në vitin 2006-2007, në lumin Mirusha u ngrit një pendë me synim që, siç është thënë, të ndërtohej një hidrocentral. Derisa tash për veprime të tilla ka reagime -  megjithëse të kota, sepse sistemi i drejtësisë nuk vepron - atë kohë, nën pushtetin e "komandantëve" atmosfera ishte e tillë sa nuk preferohej të kundërshtohej. Prandaj, ndaj kësaj ndërhyrjeje të vrazhdë në kompleksin e mbrojtur, heshtën institucionet mjedisore. Inspeksioni i mjedisit, ndonëse ka kompetenca dhe mbështetjen e tërë aparatit shtetëror që në raste të tilla të veprojë gjithnjë deri sa gjendja të kthehet siç ka qenë, u mjaftua me një vërejtje!

Në një shoqëri oportune, çfarë jemi, grykësia e komandantëve u bë vlerë dhe sot kemi shembuj të turpshëm se sa ulët kemi rënë. Praktikës që gjithëçka të shihet si tender, prej të cilit mund të përfitohet, nuk i shpëtoi as Mirusha. Gjithçka është ndërtuar në Mirushë - sipas shoqërisë civile - është ndërtuar pa qenë e paraparë në planin e saj rregullues. Restorantet, një rrugë e një "shëtitore", shtigje - të gjitha janë frymëzuar nga përfitimet nga tenderët, se sa që i duhet vetë kompleksit.

E thonë edhe profesionistët e fushave, se pos rregullimit të ndonjë shtegu, dhe atë duke e lënë në mënyrën sa më natyrore të mundshme, mbrojtja më e mirë për Mirushën është vetëm konservimi i saj - të ruhet ashtu siç e ka krijuar natyra gjatë mijëra viteve. Për pjesën turistike sigurisht se do të gjendej një vend në një distancë të sigurt prej saj dhe atë me ndërtime adekuate.

Ajo që është më e turpshme është se jo vetëm në lumin Mirusha, por në të gjithë lumenjtë e Kosovës edhe sot e kësaj dite zbrazen ujërat e kanalizimit, sepse investimi në impiantë të ujërave të zeza sigurisht nuk ishte më dobisjellës së sa asfalti, investimin në të cilin kjo klasë politike ia ka "marrë dorën" më shpejt.

Mund të thuhet se presidenti, në situatën delikate në të cilën ndodhet, nuk i lexon gazetat, por si duket, nuk i përcjellin as këshilltarët e bashkëpunëtorët e tij, ose i ndjekin kushedi se me çfarë fokusimi. Përndryshe, po t'i kishin lexuar, do t'ia tërhiqnin vërejtjen presidentit se me preokupimin e tij me natyrën në të vërtetë po e dëshmon mu të kundërtën - se s'ka haber për vlera të tilla.

Në të vërtetë, Thaçi vetëm po përpiqet me narcisoizëm ta promovojë imazhin e tij si adhurues i vlerave natyrore. Me gjasë, as që e ka idenë se po e dëshmon mu të kundërtën: se kurrë, asnjëherë, nuk i ka interesuar kush as gjë tjetër, pos vetes së tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat