Flet ish ushtaraku i njohur: Ja kush po tenton ta zhbëjë Gjykatën Speciale, ky është paralajmërimi i tij...

Politika

Flet ish ushtaraku i njohur: Ja kush po tenton ta zhbëjë Gjykatën Speciale, ky është paralajmërimi i tij...

Nga: P.R Më: 21 shtator 2020 Në ora: 11:51
Gjykata Speciale

Ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë dalë me një komunikate të përbashkët për media sa i përket përpjekjeve për të prishur misionin e Dhomave të Specializuara, të njohura si Gjykata Speciale.

Në një komunikatë për media, ambasadat i bëjnë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të kundërshtojnë çdo përpjekje për të prishur ose zhvlerësuar misionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe të Zyrës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara (ZPDhS), si dhe që të sigurojnë që ato të kryejnë misionin e tyre në përputhje me Kushtetutën.

E kjo nuk është hera e parë që në Kosovë tentohet të zhbëhet Gjykata Speciale, një gjë e tillë kishte ndodhur me 22 dhjetor të vitit 2017, por që ishte kundërshtuar ashpër nga ambasadat e huaja, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kishin paralajmëruar pasoja të tmerrshme për Kosovën.

E kur po provohet dhe po paralajmërohet të ndodhë përsëri një tentim i tillë, për gazetën ”Bota sot” ka folur ish ushtaraku dhe ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Saim Tahiraj.

“Kjo tendencë për ta zhbë Gjykatën Speciale nuk është risi për ne, situata të tilla kemi pasur në vazhdimësi që nga themelimi i sajë e gjerë më sot! Se kush po tenton ta zhbëj , është shumë e thjeshtë për të u përgjigjur. Të gjithë ata që janë të ftuar nga prokurorë të Gjykatës Speciale si të dyshuar për veprimet e caktuara dhe e ndiejnë vetën fajtorë”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, ky grupim janë organizuar me rrethin e tyre shoqërorë e partiak, dhe po tentojnë që me çdo kusht ta zhbëjnë këtë gjykatë.

“Këta frikacakë nuk e kanë guximin të përballën me akuzat dhe ta dëshmojnë pafajësinë apo fajësinë e tyre, andaj janë hedhur prapë në ofensivë duke keqpërdorur partitë e tyre, shoqata dhe grupacione të ndryshme”, thekson më tej ai.

Sipas tij, të gjitha këto përpjekje tyre do jenë të kota, ngjashëm me herët tjera.

“E them këtë për faktin se këtë gjykatë e kanë themeluar sponzorizuesit kryesorë të pavarësisë së Kosovës, së bashku me institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës. Përgjegjësit që kanë marrë institucionet e Kosovës nga partnerët tanë ndërkombëtarë duhet me doemos ti kryejnë me seriozitetin më të madh .Çdo hap tjetër do jetë një aventurë e rrezikshëm për shtetin tonë por edhe për vetë të akuzuarit sepse do hapen rrugë tjera që çojnë drejt krijimit të tribunalit nga OKB”, shprehet Saim Tahiraj për “Bota sot”.

Për fund, ai ka drejtuar edhe një apel për të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Kosova nuk guxon të lejoj që për hir të disa individëve, kushdo qofshin ata ,të rrezikojë stabilitetin e shtetëror në raport me partnerët tonë ndërkombëtarë! Parlamenti i Kosovës duhet të jetë në nivelin e detyrës që i takon dhe mos të lejon që këto tendenca të rrezikshme të kalojnë përmes këtij parlamenti”, përfundon ish ushtaraku, Saim Tahiraj për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat