Përplasjet, sharjet e fyerjet në Kuvend, pasojë e votuesve që zgjedhën të njëjtën rrugë

Politika

Përplasjet, sharjet e fyerjet në Kuvend, pasojë e votuesve që zgjedhën të njëjtën rrugë

Nga: G.B Më: 21 shtator 2020 Në ora: 17:30
Kuvendi i Kosovës

Pas pushimeve, deputetët e Kuvendit janë kthyer me seancat në sesion e vjeshtës.

Sikur edhe në seancat e mëparshme, as në seancat që kanë filluar të mbahen tani, nuk kanë munguar përplasjet në mes të deputetëve dhe diskutimet për çështje jashtë temave të rendit të ditës.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se deputetët e nisën aty ku e kishin lënë para pushimit dhe janë për keqardhje, sjellja e tyre është amorale dhe e papërgjegjshme sjellja e deputetëve të Kuvendit, derisa kanë votuar dhe kundër pakos financiare.

Image
Leon Duhanaj

“Më rastisi puna t'i përcjellë disa sekuenca debatesh në Kuvendin e Kosovës dhe për fat të keq duket të them se, e nisën aty ku e lanë para që të shkonin në pushim. Në radhë të parë, është jo vetëm për keqardhje por edhe amorale dhe e papërgjegjshme sjellja e deputetëve të Kuvendit, karshi obligimeve që kanë. Nuk u ha palla për të mjerët votues të cilët i gjuajnë dhe i trajtojnë bash si gjahun, duke i mashtruar sa për vota, e për t'ua ngrënë kurrizin më pastaj. Ndryshe si ka mundësi të shpjegohet mos gatishmëria për ta votuar një pako financiare për kohën e pandemisë”, është shprehur ai.

Sipas Duhanajt, fjalori i tyre është i ndyrë dhe i krimbur, që i kalon edhe kufijtë e rrugaçërisë.

“Diskursi politik në anën tjetër, është jo vetëm i ndytë, por edhe i krimbur fare. Nuk ka fjalor që nuk e dëgjon në rrugë e që nuk e dëgjon në Kuvend e që shpeshherë i kalon edhe kufijtë e rrugaçërisë, me fyerje e akuza nga më të ndryshmet. Nuk e di deri sa do të zgjasë kjo gjendje e mjerë, por, e di se fajet i ka vet qytetari i cili e ka zgjedhur po të njëjtën rrugë e kulturë për të jetuar”, ka vlerësuar analisti.

Ai shton se kjo çfarë shohim në Kuvend është përfaqësim dhe pasqyrim i nivelit të përgjithshëm kulturor në vend, derisa klasa intelektuale do të duhej të ishte shembull për ne.

“Për mendimin tim, kjo çfarë shohim në Kuvend, është përfaqësim dhe pasqyrim i nivelit të përgjithshëm kulturor në vend. Në kushte normale, Kuvendi, përkatësisht politika, media, shoqëria civile (klasa intelektuale) ishte dashur të jetë shembull për të mirë, por ja që nuk jemi të tillë dhe kjo na u ka hakmarrë çdoherë dhe, do na hakmerret derisa të ndryshojmë qasje”, ka deklaruar Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat