Kush e vrau Ahmet Krasniqin?

Politika

Kush e vrau Ahmet Krasniqin?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 22 shtator 2020 Në ora: 09:46
Ahmet Krasniqi

Ishte nata e 21 shtatorit, në pritë vritet Kolonel Ahmet Krasniqi, Ministër i Mbrojtës i Republikës së Kosovës. Në kryeqytetin shqiptar vritet figura më e rëndësishme në momentin më të rëndësishëm për vendin, përgatitjet për luftën çlirimtare kishin marrë hov. Në kulmin e përpjekjeve të ministrit Krasniqi, nga dora tradhtare vritet në mes të Tiranës, aty ku Kolonel Krasniqi nuk besonte se do i ndodhte një gjë e tillë.

Gjithsesi, Kolonel Krasniqi nuk ishte një njeri i zakonshëm, aftësitë e tij luftarake e kishin renditur atë në nivelet më të larta të kohës, kryesisht nga lufta në Kroaci, ku ishte dëshmuar për profesionalizmin e tij ushtarak. Prandaj, edhe u emërua në pozitën e Ministrit të Mbrojtës, detyrë që e kreu me nder dhe dinjitet, por tradhtarët e vranë, sepse iu pengonte uniteti i shqiptarëve kundër armikut.

Vrasjet e figurave markante të historisë sonë sikur është kthyer në mallkim për shqiptarët. Me vrasjen e Kolonel Krasniqit morën fund ëndrrat e tij për unifikim të forcave shqiptare kundër armikut, respektivisht mos unifikimi i UÇK-së dhe FARK-ut, i shkoi për shtati armikut, i cili e kishte më të lehtë të veprojë, derisa shqiptarët po vriteshin me njëri- tjetrin.

Them kështu se më duket afër mendsh të supozojmë se vrasja e Kolonel Krasniqit është akt i SHISH-it në Shqipëri në bashkëpunim me disa figura të larta në UÇK. Këta të fundit unifikimin e shikonin si rrezikim të pozitave të tyre nga profesionistët e FARK-ut, andaj kishin interes mos unifikimin dhe mënyra e vetme ishte vrasja e Ahmet Krasniqit.

Kolonel Krasniqi nuk do ishte ndalur për asnjë moment nga përpjekjet e tij për unitet, vetëm vdekja do e ndalte nga ky synim, që fatkeqësisht mbeti vetëm tentativë pa u realizuar asnjëherë.

Por, duhet të ndalem pak tek figura e Kolonel Krasniqit, i cili ishte njeri i realizuar dhe figurë komplekse. Kolonel Ahmet Krasniqi është autor i shumë punimeve studimore e publicistike, që janë botuar nëpër gazeta e revista profesionale. Gjithashtu, ka lënë të pabotuara edhe disa dorëshkrime dhe një ditar, që janë interesante dhe me interes.

Nga shënimet e tij shihet se ka qenë një lexues i pasionuar i krijimtarisë letrare, ka shkruar vjersha dhe ka qenë adhurues shumë i madh i pikturës. Kjo dëshmon për personalitetin e tij të rrallë, dhe çfarë humbje e madhe ishte dhe mbetet për Kosovën dhe shqiptarët.

Ata që e vranë Ahmet Krasniqin, me gjasë sot janë edhe në pozita të larta në Kosovë, mbase edhe në Shqipëri, nga mungesa e vullnetit të autoriteteve në Tiranë dhe Prishtinë që e vërteta të dalë në shesh.

Mendoj se për Kosovën vrasja e Kolonel Krasniqit mund të vlerësohet si vrasja e shekullit, e cila ka tronditur në themel përpjekjet e Kolonelit për unitet, që do ia bënte më të vështirë armikut luftën kundër shqiptarëve.

Ahmet Krasniqi është vrarë, por ideali i tij nuk pushoi asnjëherë.Vitin e kaluar, pas 20 vitesh eshtrat e tij u kthyen në Kosovë, aty ku do të prehet përgjithmonë.

Ahmet Krasniqi mbetet ndër figurat më të mëdha për kombin shqiptar, njeriu që e ka dashur atdheun dhe për të cilin edhe dha jetën. Mbase disa frikësohen edhe nga eshtrat e Kolonel Krasniqit, madhështia e të cilit do të prehet në “Varrezat e Dëshmorëve”, aty ku me meritë do gdhendet emri i tij.

Ardhja e tij në Kosovë është ngjarje historike, ashtu siç ishte dhe mbeti edhe vepra e tij për një Kosovë të lirë, çfarë e kemi sot. Ahmet Krasniqi është personalitet me vlera të larta, emri i tij kurrë s’do të harrohet. Vrasësit e tij shpresoj se një ditë do ta marrin edhe dënimin nga ligji, pasi nga historia e kanë marrë dënimin e merituar.

Koloneli u kthy i bronztë edhe në Vushtrri, derisa në kombin shqiptar mbetet figurë e ngritur për Liri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat