Akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit: Janë të traumatizuar, kjo është frika e madhe e tyre

Politika

Akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit: Janë të traumatizuar, kjo është frika e madhe e tyre

Nga: P.R Më: 22 shtator 2020 Në ora: 10:17
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Ditëve të fundit, ka pasur paralajmërime se mund të merret një iniciativë për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, prokurorët e së cilës së cilës tashmë kanë propozuar aktakuzë ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veselit, ku ndër tjerash akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë.

E kjo nuk është hera e parë që në Kosovë tentohet të zhbëhet Gjykata Speciale, një gjë e tillë kishte ndodhur me 22 dhjetor të vitit 2017, por që ishte kundërshtuar ashpër nga ambasadat e huaja, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kishin paralajmëruar pasoja të tmerrshme për Kosovën.

Por sa ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Gani Qarri.

“Siç dihet tanimë publikisht nga i gjithë opinioni, Prokuroria Speciale në fund të qershorit ka bërë publike aktakuzat ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritura zyrtarisht qysh me 24 prill të vitit 2020, duke e arsyetuar edhe bërjen publike në mënyrën e parakohshme të të këtyre akuzave, pikërisht për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës. Për aq më tepër, edhe vet loja më e re tragjikomike me "Dosje të Speciales", deri më tani e shfaqur në dy akte, brenda zyrave të OVL-së, hynë në kuadër të këtyre përpjekjeve për të denigruar Gjykatën Speciale dhe arsyetuar veprimet e autorëve të apostrofuar për pengimin e punës së saj”, thotë Qarri për “Bota sot”.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, prapa tentativave për shfuqizimin e Speciales qëndron presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

“Kështu që tendencat e tilla primitive, kanë bërë që edhe ambasada e SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë, të dalin me një komunikate të përbashkët për media kundër përpjekjeve që po bëhen, për të penguar dhe shfuqizuar misionin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Ndaj një gjë duhet ditur nga të gjithë se përpjekjet e çfarëdo forme të personave të traumatizuar nga ethet e Gjykatës Speciale si Thaçi & CO, për minimin apo shfuqizimin e Dhomave të Specializuara, jo vetëm që do të linin të pagjykuar autorët e vërtetë dhe nxitësit e vrasjeve, plagosjeve dhe të gjitha llojeve të krimeve të para dhe të pas luftës, por të gjitha pretendimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit do të mbeteshin përgjithmonë njollë e zezë, e pashlyer mbi kurrizin e Kosovës, si dhe do ta dëmtojnë rëndë kredibilitetin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thekon më tej analisti Qarri.

“Kështu që edhe ambasadat e vendeve mike, në komunikatën e lëshuar, me plot të drejtë u bëjnë thirrje publike Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të kundërshtojnë çdo përpjekje për të prishur ose zhvlerësuar misionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe të Zyrës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara (ZPDhS), duke kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi të sigurojnë që ato të kryejnë misionin e tyre në përputhje me Kushtetutën”.

Më tej, analisti Qarri thotë se Thaçi dhe Veseli janë në ankth nga Gjykata Speciale.

“Siç është cekur edhe nga vet Prokuroria e Dhomave të Specializuara, autorët e përpjekjeve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, janë personat e traumatizuar nga ethet e kësaj gjykate si Hashim Thaçi e Kadri Veseli me shokë, të cilëve u ka hyrë frika deri në palcë nga kjo gjykatë, por edhe ata dhe bashkëmendimtarët e tyre, duhet të jenë të vetëdijshëm se pas votimit të saj në Parlament, nëse nuk duan edhe SHBA-të dhe vendet tjera të QUIN-tit, Gjykata Speciale, as që mund të zhbëhet pa përfunduar misionin e saj”, deklaron Qarri.

Për fund, analisti politik, Gani Qarri ka paralajmëruar pasoja të rënda për Kosovën në rast se ndodhë shfuqizimi i Gjykatës Speciale.

“Përndryshe, nëse rastësisht ndodhë që kjo gjykatë edhe të shfuqizohet, si shpresa e vetme për dënimin e autorëve të krimit, jo vetëm se do të mbeteshin të pagjykuar dorasit dhe nxitësit e vërtetë të vrasjeve, plagosjeve dhe të gjitha llojeve të krimeve të para dhe të pas luftës, por edhe të gjitha llojet e pretendimeve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit do të mbeteshin përgjithmonë njollë e zezë, pashlyer kurrë, mbi kurrizin e Kosovës, si dhe do të dëmtohej rëndë e në mënyrë të pandreqshme edhe kredibiliteti i shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, përfundon Qarri për “Bota sot”.

Kujtojmë se së fundit Ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë dalë me një komunikate të përbashkët për media sa i përket përpjekjeve për të prishur misionin e Dhomave të Specializuara, të njohura si Gjykata Speciale.

Ambasadat i bëjnë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të kundërshtojnë çdo përpjekje për të prishur ose zhvlerësuar misionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe të Zyrës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara (ZPDhS), si dhe që të sigurojnë që ato të kryejnë misionin e tyre në përputhje me Kushtetutën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat