Vizita e Grenell në Kosovë, Bajraj: Me Amerikën nuk ka lojë

Politika

Vizita e Grenell në Kosovë, Bajraj: Me Amerikën nuk ka lojë

Nga: Arife Morina Më: 22 shtator 2020 Në ora: 11:30
Grenell në Kosovë

Richard Grenell, i dërguari special i presidentit Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, gjatë ditës së djeshme ka vizituar Kosovën. Ai ishte i shoqëruar nga një delegacion i qeverisë amerikane, në krye të së cilit ishte shefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA-së, Adam Boehler.

Qëllimi i vizitës ishte fillimi i zbatimit të marrëveshjes, për normalizimin ekonomik, mes Kosovës dhe Serbisë, që u firmos më 4 shtator në Uashington.

Këtë vizitë, njohësi i çështjeve politike, Fatmir Bajraj në një prononcim për “Bota sot”, e cilësoi historike dhe unike për historinë e Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan.

Bajraj  tha se me Amerikën nuk ka lojë, e dëshmoi edhe shtyrja para e zotimeve të marra në Shtëpinë e Bardhë.

“Shtyrja para e zotimeve të marra në Shtëpinë e Bardhë dhe nën lidershipin e shtetarit më të fuqishëm në planet, Presidentin amerikan, jep të kuptohet se me Amerikën nuk ka lojë! Marrëveshja 16 pikëshe e zotimeve të dhëna dhe të marra nga palët nuk është vetëm kurtuazi, por edhe detyrim, kundërshtimi i realizimit të të cilit s'mund të jetë i pa pasoja, dhe jo pak serioze..”, deklaroi Bajraj .

Ai më tutje, shtoi se administrate amerikane ka mbështetur me vite përpjekjet e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por ky proces sipas tij, dështoi shkaku i heterogjenitetit të BE-së.

“Mosnjohja e njërës palë dhe përkëdhelja e tjetrës, dëmtonte në thelb suksesin e dialogut, për çfarë ikën shumë vite deri sa degradoj i gjithë procesi, duke dëmtuar kryesisht Kosovën dhe shqiptarët”, deklaroi Bajraj , përcjell "Bota sot".

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se Qeveria Hoti e ktheu në binar real dhe autentik orientimin strategjik të Kosovës (Europerëndimi dhe SHBA-të), të cilin e kishte humbur Qeveria Thaçi 1 dhe 2, Qeveria e PAN-it, dhe përfundimisht Qeveria e drejtuar nga ish Kryeministri Kurti.

“Vizita e Delegacionit të SHBA-ve, në Kosovë, është vetëm një nga hallkat e bashkëpunimit, koordinimit dhe bashkërendimit të angazhimeve të përbashkëta ; SHBA-Kosovë, që do pasohet me tjera të tilla dhe me suksese të reja për Kosovën dhe shqiptarët, pa mëdyshje ", shtoi për fund Bajraj .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat