Mbyllja e shkollës në Karaçevë, Bashkësia Lokale u dërgon letër Hotit, Thaçit e Osmanit, paralajmëron protesta nëse nuk hapet

Politika

Mbyllja e shkollës në Karaçevë, Bashkësia Lokale u dërgon letër Hotit, Thaçit e Osmanit, paralajmëron protesta nëse nuk hapet

Nga: G.B Më: 22 shtator 2020 Në ora: 16:59
Shkolla “Asllan Thaçi” në fshati Karaçevë e Poshtme

Është 22 shtatori por mbi 100 nxënës të shkollës fillore “Asllan Thaçi” të fshatit Karaçevë e Poshtme, që mban emrin e dëshmorit Asllan Thaçi, nuk janë ulur ende në bankat e shkollës.

Prej tyre, për herë të parë në bankat shkollore do të uleshin 12 nxënës.

Përpos tyre, në vendin e punës nuk janë kthyer as mësimdhënësit e kësaj shkolle.

E gjithë kjo, për shkak të vendimit të Komunës së Kamenicës, për të mbyllur këtë shkollë dhe shumë shkolla të tjera të kësaj ane.

Ky vendim është kundërshtuar fuqishëm nga Bashkësia Lokale e Karaçevës, prindërit dhe nxënësit.

Image
Vendimi
Image

Madje është organizuar edhe protestë, derisa prindërit kanë kundërshtuar që fëmijët t’i dërgojnë në shkolla tjera të fshatrave tjerë të Karaçevës.

Pas vendimit, Bashkësia Lokale e Karaçevës me 14 shtator i ka bërë kërkesë ministrit të arsimit, Ramë Likaj, që të hapet kjo shkollë, por që nuk ka marrë përgjigje.

Image
Kërkesa ndaj ministrit Ramë Likaj

E derisa nuk kanë marrë përgjigje nga ministri, Bashkësia Lokale e Karaçevës i është drejtuar me tri kërkesa kryeministrit të vendit, presidentit dhe kryetares së Kuvendit.

Kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Karaçevë e Poshtme, Selver Lenjani, ka thënë për gazetën “Bota sot” se kushtet janë të mira për të mbajtur mësimin por që ndihen të pafuqishëm për t’i kthyer nxënësit në shkollë, derisa tregon se i ka shkruar letër kryeministrit Avdullah Hotit, që të merret me këtë çështje.

“Shkolla fillore “Asllan Thaçi” në Karaçevë të Poshtme i plotëson të gjitha kushtet, që nga klasa 1-9 dhe personeli arsimor është i kompletuar, mirëpo megjithatë po jemi të pafuqishëm si Bashkësi Lokale për t’i kthyer nxënës në shkollë dhe fëmijët në banka shkollore. Një gjë le ta dinë se kjo shkollë, me mund e me djersën e qytetarëve është rregulluar shkolla gjatë okupimit të Millosheviqit gjatë viteve 91-92, të cilët e kanë ndërtuar këtë shkollë. As Qëndron Kastrati e asnjë kryetar tjetër nuk ka dhënë asnjë cent për ndërtimin e kësaj shkolle. Ne si bashkësi lokale jemi të obliguar që t’i shkruajmë kryeministrit Avdullah Hoti, për tu marrë urgjentisht me këtë problem të shkollës, sepse nën ombrellën e kryeministrit vepron ministri i arsimit Ramë Likaj dhe mundësitë që i ka vet kryeministri. Vallë kryeministër “vet je profesor, po të mbyllej ai institucion arsimor ku punon, si do të veproje, a do a lejoje të mbyllej apo të jetë e hapur. Kërkoj që ju të ndikoni pozitivisht në hapjen e shkollës fillore “Asllan Thaçi””, ka deklaruar Lenjani.

Image
Kërkesa ndaj Avdullah Hotit

Më tej, ai i është drejtuar edhe kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, që të merret me këtë çështje të shkollës.

“E nderuara kryeparlamentare e Kuvendit të Kosovës, ju udhëhiqni Kuvendin dhe jeni profesoreshë e ligjëroni, ju lusim që mos ta mbyllni këtë shkollë dhe gjitha shkollat tjerat që janë mbyllur në komunën e Kamenicës, e po të mbyllej ai fakultet ku ju ligjëroni, cili do të ishte reagimi juaj. Kërkojmë që të ndikoni pozitivisht në hapjen e kësaj shkolle dhe shkollave tjera”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Kërkesa ndaj Vjosa Osmanit

Lenjani i është drejtuar edhe presidentit Hashim Thaçi lidhur me mbylljen e shkollës, duke kërkuar nga ai që ta përdorë autoritetin e tij dhe të hapet kjo shkollë.

“I nderuar President i Republikës, kërkojmë nga ju sikur si keni qenë i devotshëm gjatë udhëheqjes, të përdorni autoritetin e juaj për ta thirrur në interpelancë ministrin Likaj pse mori vendim për mbylljen e kësaj shkolle në Karaçevë. Kjo shkollë numëron mbi 100 nxënës dhe me vendimin e Qëndron Kastratit për kësaj shkolle, kërkojmë që të ndërhyni shpejtë dhe nxënës të ulen në bankat e shkollës dhe të fillojnë mësimin sikur në të gjitha kohërat që kemi qenë rezistent, pasi lapsi, ditari dhe arsimtari është arma më e fortë e arsimit që ka mbajtur moralin gjatë gjitha kohërave, edhe asaj të Aleksander Rankoviçit, e atë të Millosheviçit. Kërkojmë që Qëndron Kastrati të tërhiqet nga ky vendim, kemi bërë edhe protesta, të shfuqizohen këto vendime, sepse është prekur në palcën e kombit, interesat e shkollës, ku aty do të duhej të investohej për ta mbrojtur atë pjesë të territorit të fshatit Karaçevë dhe Republikës së Kosovës”, është shprehur Selver Lenjani për “Bota sot”.

Image
Kërkesa ndaj Hashim Thaçit

Ai ka thënë se Bashkësia Lokale pret përgjigje urgjente nga institucionet që u ka dërguar letër lidhur me këtë vendim dhe nëse nuk ka përgjigje ose ndonjë vendim për këtë, paralajmëron protesta në Prishtinë para Qeverisë e Kuvendit.

Ndryshe, ka edhe shkolla të tjera që janë mbyllur në Karaçevë, Shkolla në Shibashnicë të Poshtme, shkolla në Strezovc, Petrovc, Krilevë, Poliçkë, Desivojsi, Krindell e të tjera.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat