“Koka e krimit dhe mafias në Kosovë”, Hashim Thaçi ‘izolohet’ nga ndërkombëtarët

Politika

“Koka e krimit dhe mafias në Kosovë”, Hashim Thaçi ‘izolohet’ nga ndërkombëtarët

Nga: P.R Më: 23 shtator 2020 Në ora: 17:00
Hashim Thaçi

Javën e kaluar, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi takoi presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

“Mirënjohës për mikpritjen e ngrohtë nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe për bisedën produktive për të gjitha çështjet me interes të përbashkët, përfshirë bashkëpunimin dypalësh, çështjet rajonale dhe globale. Turqia është një partnere strategjike, e cila ka mbështetur forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”, kishte shkruar Thaci në njoftimin e tij për takimin me Erdoganin.

Që nga publikimi i propozim aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, është ky takimi i parë i tij me një lider të një vendi tjetër, pasi deri më tani, Thaçi është ‘izoluar’ nga ndërkombëtarët.

Tashmë as ambasadorët e vendeve të huaja në Kosovë, refuzojnë të takohen me Thaçin.

Lidhur me këtë ‘izolim’ të Thaçit, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

“Duhet ta pranojmë një fakt që Hashim Thaçi që nga zgjedhja e tij si president i vendit nuk është shquar me takime me homolog e tij të nga vende të ndryshme pra që ka pritur apo është pritur, por ka qenë vetëm procesi i dialogut me Serbinë që e ka mbajtur aktiv në takime të ndryshme , sidomos ato që janë zhvilluar në Bruksel”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Më tej, Haziri thekson se propozim aktakuza nga prokuroria e Gjykatës Speciale e ka izoluar edhe më shumë Hashim Thaçin.

“Pastaj z. Thaçi edhe si kryeministër nuk ka gëzuar ndonjë reputacion në arenën ndërkombëtare dhe jo rrallë herë është atakuar nga shtypi ndërkombëtar me cilësime negative duke shkuar edhe deri te konstatimet si koka e krimit të organizuar dhe mafias në Kosovë. Dhe tani propozim aktakuza nga prokuroria e Gjykatës Speciale e ka izoluar dhe është e natyrshme që president apo zyrtarë të tjerët të vendeve demokratike perëndimore, ta refuzojnë çdo takim e kontakt me të”, shprehet analisti Haziri.

Haziri ka treguar edhe qëllimin e vizitës së Thaçit në Turqi dhe takimit me Erdoganin.

“Vizita e tij tani pas një kohe të gjatë në Turqi dhe takimi me presidentin turk Erdogan, i cili cilësohet nga perëndimi si diktator që qeverisë vendim me anë të regjimit te tij jodemokratik, nuk është se i ndihmon për asgjë z. Thaçi në përmirësimin e imazhit të tij. Këtë takim, z. Thaçi me diktatorin turk, që të hedhë mjegull në opinionin kosovar, gjoja se përkundër aktakuzës së propozuar nga Gjykata Speciale, ai vazhdon ta kryej punën e tij si president në mënyrë normale, gjë që nuk është e vërtetë. Z. Thaçi po të ishte i ndërgjegjshëm në momentin kur iu është ngritur aktakuza nga Gjykata Speciale është dashur që të afronte dorëheqje, për ta ruajtur kredibilitetin e institucionit të presidentit dhe mos ta dëmtonte imazhin e vendit”, deklaron ai për “Bota sot”.

“Takime të tilla me lider të tipit të Erdoganit që konsiderohen diktator nuk i ndihmojnë ati e as Kosovës, përpos që është një përpjekje e tij e dëshpëruar për ta manipuluar opinionin”, përfundon analisti politik. Nexhat Haziri.

Kujtojmë se president Thaçi ishte intervistuar për katër ditë rresht në selinë e Gjykatës Speciale në Hagë, e për të cilën nuk kishte dhënë shumë detaje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat