Zafa - koordinatori pa njohuri që mund ta gjeni në Qeveri!

Politika

Zafa - koordinatori pa njohuri që mund ta gjeni në Qeveri!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 shtator 2020 Në ora: 08:00
Agim Veliu me Koordinatorët

Në muajin qershor kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka njoftuar për emërimin e bashkëpartiakëve të tij si Zëvendësministra në katër dikastere.

Zyrtari i kësaj partie që vjen nga Prizreni, Zafir Berisha, u emërua zëvendës i Agim Veliut në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Mirëpo Berisha së fundi me urdhër të Veliut u emërua Koordinator Nacional për Siguri Kibernetike dhe Koordinator për Menaxhim të Emergjencave.

Pas marrjes së kësaj pozite është pyetur për specifikat që ai posedon për këtë udhëheqje, Berisha i është përgjigjur në mënyrë ironike që është i gjatë 1.83 metra për këtë arsye.

“Jam i gjatë 1.83 metra. Për këtë jam specifik. Askush nga kolegët e mi nuk është sa unë. Nuk është fushë për të bërë reklamë dhe fushatë elektorale. Në fund të fundit sot kam marrë këto përgjegjësi. Kam pas përgjegjësi edhe më të mëdha se kjo dhe besoj se do t’i kryej me përgjegjësi”, është shprehur për media Berisha.

Por pas pak orë pasi mori postin e koordinatorit për siguri kibernetike, i thyhet Facebook-u Berishës duke postuar edhe në emër të tij.

“Mos më shkruani mesazhe se ia kthej Facebook-un, as që jam tu e kontrolluar. Vetëm, vlerësojeni ju se në dorë të kujt ka mbetur siguria kibernetike”, thuhet në profilin e Berishës, por që autori i këtij shkrimi nuk dihet.

Sa i përket rastit të hakimit të llogarisë së tij në Facebook, ai ka njoftuar se e ka paraqitur rastin në polici, duke pretenduar se i dinë ‘sulmuesit’.

Reagon organizata kibernetike e Kosovës “Sense CRC”

Në lidhje me këtë emërim ka reaguar një organizatë kibernetike duke mos e parë të arsyeshme këtë pozitë për Berishën. Sipas tyre kjo pozitë nuk përkon me kualifikimet e Berishës dhe paraqet problem për sigurinë e vendit.

“Sense CRC është e shqetësuar ndaj lajmit për emërimin e Zafir Berishës - Zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës - si Koordinator Nacional për Siguri Kibernetike dhe Menaxhimin e Emergjencave. Sipas analizës sonë, besojmë se Berisha, i cili vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate, nuk është i përgatitur në mënyrë profesionale dhe nuk posedon ekspertizë të mjaftueshme për të adresuar çështjet relevante të sigurisë kibernetike në Republikën e Kosovës”, shkruan ndër të tjera komunikata e organizatës.

Ndërsa njohësit e sigurisë shprehën që këto emërime nuk po bëhen në mënyrë profesionale por për interesa politike dhe për këtë arsye mund të ketë rrezik për sigurinë e vendit tonë.

Shala: Emërimi është akt politik dhe i pa menduar mirë nga ana e ministrit të MBS- së

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që ky emërim është akt politik i pa menduar nga ana e ministrit të MBS-së sepse ky emërim po na lë të kuptojmë që po emërohen për ti kënaqur apetitet e tyre personale.

“Emërimi është akt politik dhe i pa menduar mirë nga ana e ministrit të MBS- së. Sepse me ketë akt emërimi po del në pah se interferencat e interesave politike brenda subjekteve të koalicionit do manifestohet në emërime politike për ti kënaqur apetitet e tyre personale”, u shpreh Shala.

Më tej, Shala thotë që Berisha nuk është I kualifikuar për këtë pozitë e aq më pak është duke kontribuar si zv. ministër, prandaj këto emërime janë të pa matura.

“Pra përjashto aspektin arsimor të cilin nuk e ka z. Berisha por as si zv. ministër nuk është që është duke kontribuar në ngritjen e interesave te MPB-së. Këto veprime të pa matura po krijojnë struktura dhe mekanizma jo profesional për një çështje të caktuar”, thotë Shala.

Halimi: Emërimet në pozita në vendin tonë nuk po bëhen në profilin profesional

Image
Armend Halimi

Armend Halimi, nga Instituti për Studime të Sigurisë(ISS), në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që në Kosovë ndarja e përgjegjësive dhe posteve bëhet më shumë duke parë kontributin në politik e në parti sesa profesionalisht, duke paraqitur kështu një rrezik për sigurinë në vend.

“Fatkeqësisht në Kosovë ndarja e përgjegjësive dhe posteve nuk është bërë thuajse asnjëherë me profil profesional. Në vend të tyre kriter thuajse i vetëm për personat e emëruar në pozita kyçe ka qenë kontributi për politik apo parti. Të gjitha pozitat menaxheriale kërkojnë profesionalizem, por sidomos ato të shëndetësisë, arsimit dhe sigurisë për nga natyra janë të ndjeshme, gjë që paraqet nevojën e domosdoshme që njerëzit në krye të tyre të jenë me përgatitje adekuate. Duke qenë se siguria është e ndikuar nga zhvillimi i përgjithshëm shoqëror, edhe faktorët e rrezikut nëse mund të i quajmë kanë kaluar në dimension modern”, thotë Halimi.

Më tej, Halimi shprehët që kibernetika tashmë është duke luajtur një rol të madh në vendin tonë sepse një lëshim i vogël në këtë fushë do të thotë rrezikimin e privatësisë së qytetarëve, bizneseve andaj duhet një përgjegjësi dhe profesionalizëm për këtë pozitë.

“Kibernetika sot luan rol të madh. Të dhëna të rëndësishme, që nga ato individuale e deri tek ato me karakter të ndjeshëm nacional janë të koncentruara në masë në aspektin teknologjik. Një lëshim në këtë rrafsh do të thotë shumë për rrezikimin e privatësisë se qytetarëve, bizneseve, e deri tek gjërat me interes nacional. Andaj, agjensionet që kanë për përgjegjësi mbrojtjen dhe sigurinë e këtyre të dhënave, duhet të jenë të përgatitur profesionalisht që nga nëpunësi me pozitë më të ultë e deri tek drejtuesit, dhe në të njëjtën kohë madje të paanshëm politikisht, në mënyrë që të evitohet çdo keqpërdorim i mundshëm i këtyre pozicioneve”, përfundoi Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat