Reagon ashpër Tomë Gashi pas arrestimit të Calit nga Specialja, paralajmëron arrestimet, gjykime e dënime për ushtarët e UÇK-së

Politika

Reagon ashpër Tomë Gashi pas arrestimit të Calit nga Specialja, paralajmëron arrestimet, gjykime e dënime për ushtarët e UÇK-së

Nga: G.B Më: 24 shtator 2020 Në ora: 15:46
Tomë Gashi

Dhomat e Specializuara kanë njoftuar sot për arrestimin e parë të kryer në Kosovë, ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së në zonën Operative të Llapit, i cili e ka drejtuar njësitin BIA të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën.

E për këtë avokati Tomë Gashi ka thënë për gazetën “Bota sot” se sot është dita e parë e fillimit të të korrurave për ata që kanë pritur punën efektive të Speciale dhe deputetët duhet të ndihen krenarë për efektin e votës së tyre.

“Sot është dita e parë e fillimit të të “korrurave“ për ata që kanë pritur punën efektive të Gjykatës Speciale dhe për ata që e kanë ndihmuar me aq zell formimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, sot deputetët e Kuvendit të vitit 2015 do të duhej të ndjeheshin krenar se po realizohet efekti i votimit të tyre”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, me arrestimin e Mustafës po realizohet skenari i atyre që e projektuan Specialen dhe sot në burg do të jetë një ish ushtar i UÇK-së, në vend se të ketë qindra pjesëtarë të forcave serbe.

“Me arrestimin dhe dërgimin në Hagë të Sali Mustafa po fillon realizimi i scenarios së atyre që e projektuan Gjykatën Speciale dhe sot bota do ta ketë rastin që në një Gjykatë formalisht të Kosovës, e faktikisht gjykatë ndërkombëtare e formuar me ndihmën e Rusisë dhe Serbisë, do ta ketë në dhomat e paraburgimit një pjesëtar të UÇK-së në vend se të ketë qindra dhe mijëra pjesëtarë të forcave okupuese serbe, të ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë që vranë mbi 15mijë civilë shqiptarë, që dhunuan mbi 20 mijë gra të Kosovës dhe që thënë më thjeshtë Kosovën e bën shkrumb dhe hi deri në gjenocid kundër nesh vetëm se jemi shqiptarë”, ka thënë avokati.

Gashi thotë se pritet të ketë edhe arrestime tjera, gjykime e dënime sepse më askush nuk ka fuqi ta ndalë Gjykatën Speciale, ku arrestimi i sotëm është fillimi që do të pasohet me arrestime tjera të ish ushtarëve të UÇK-së.

“Normalisht që kjo pritej që do të ketë arrestime, pritet që të ketë edhe gjykime, pritet të ketë edhe dënime dhe tanimë askush nuk ka fuqi që ta ndalë punën e Gjykatës Speciale e cila ka një afat të pakufizuar dhe arrestimi i sotëm është vetëm fillimi i arrestimeve të ardhshme që do të ndodhin e ku të gjithë të arrestuarit do të jenë pjesëtarë të UÇK-së, sepse kështu kanë votuar deputetët tanë. Unë besoj se qysh nga dita e djeshme kur janë emëruar edhe 6 gjyqtarë të rinj në  Gjykatën Speciale, është ditur që arrestime do të ketë, dhe së shpejti do të ketë edhe gjykime”, ka vlerësuar Tomë Gashi.

Sipas tij, arrestimi i Mustafës nuk ka asgjë të përbashkët me rrjedhën e dokumenteve të Gjykatës Speciale që përfunduan në selinë qendrore të OVL e UÇK-së në qendër të Prishtinës, duke shtuar se Specialen do ta kemi rreth dhe kundër nesh edhe për 10 vite apo më shumë.

“Arrestimi i z.Mustafa nuk ka asgjë të përbashkët me rrjedhën e dokumenteve të Gjykatës Speciale që përfunduan në selinë qendrore të OVL e UÇK-së në qendër të Prishtinës. Tanimë po dihet që edhe të ashtuquajtura negociata me Serbinë kanë qenë gjithmonë me një lloj doze të frikës nga Gjykata Speciale dhe për këtë janë përgjegjës zyrtarët e njëjtë shtetëror të cilët edhe ndihmuan aq shumë në formimin e Gjykatës Speciale dhe të cilët edhe negociuan me Serbinë në fillim kinse për çështje teknike për siç thoshin ata, lehtësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, e që erdhëm edhe në fazën deri tek tentimi i negocimit të territorit të Kosovës në dëm tonin e në favor të Serbisë. Gjykatën Speciale do ta kemi rreth nesh, për ne, dhe kundër nesh, edhe për rreth 10 vite të tjera apo më shumë”, ka shtuar tutje avokati.

Gashi thekson se burrështetasit tanë nuk kërkuan nga bashkësia ndërkombëtare ndërtimin e shkollave e të fabrikave por kërkuan Gjykatë Speciale për kinse pastrimin e luftës së UÇK-së dhe nga sot fillon degradimi i imazhit pozitiv tek bashkësia ndërkombëtare e pjesëtarëve të UÇK-së.

“Burrështetasit tanë nuk kërkuan nga bashkësia ndërkombëtare ndërtimin e shkollave e të fabrikave por kërkuan Gjykatë Speciale për kinse pastrimin e luftës së UÇK-së duke menduar se do të pastrohen vet nga njollat që ia bënë vetvetes duke pranuar gjithçka që na servon kushdo kinse në emër të mirëqenies së shtetit të Kosovës, e që në esencë ishte për mirëqenien e tyre personale dhe të grupeve të tyre të interesit. Nga sot me këtë arsyetim fillon degradimi i imazhit pozitiv tek bashkësia ndërkombëtare e pjesëtarëve të UÇK-së sepse do të na shohin të gjithëve si kryes potencial të krimeve dhe Serbinë do ta shohin si viktimë për shkak se mbi 20 vite me politikanë të paaftë e të korruptuar arritën që do t’ia hapim rrugët ministrit të informacionit të Sllobodan Millosheviqit në Shtëpinë e Bardhë në Washington, ku aty nuk kishte hyrë asnjë burrështetas serb për shkak të njollës së krimeve të luftës deri në gjenocid kundër popullit-qytetarëve civil shqiptar në Kosovë”, ka deklaruar Gashi për “Bota sot”.

Sipas tij, nga sot Kosovës iu kthye sërish vëmendja nga ndërkombëtarët dhe edhe nëse të gjitha ushtarët e UÇK-së lirohen si të pafajshëm, prapë do të mbetet njollë për Kosovën gjykata.

“Dikush prej këtyre që po i thonë vetes proamerikan tha se me marrëveshjen e Washingtonit, Kosovës iu kthye vëmendja ndërkombëtare gjë që nuk është fare e vërtetë, por ja që nga sot do t’i kthehet përsëri vëmendja ndërkombëtare Kosovës duke u përmendur gjykata speciale, krimet e luftës, dhe gjëra të tjera që UÇK nuk i ka bërë, por Gjykata Speciale me ngritje të akuzave deri tek presidenti i shtetit z.Hashim Thaçi, dhe më këto arrestime që filluan sot po mendon ndryshe. Edhe nëse të gjithë ushtarët e UÇK-së do të lirohen si të pafajshëm nga Gjykata Speciale, prapë njolla e dyshimit do të bie mbi ne dhe për këtë nuk na ka faj askush pos vetja jonë që lejuam që të kemi udhëheqës politik për 20 vite, të cilët permanent u morën me ruajtjen e vetvetes, krijimin e imazhit deri tek aktore të Hollywood-it e duke e fundosur shtetin e ri të Kosovës, për të cilin që 21 vjet për çdo ditë dhe për çdo natë na thonë se kanë luftuar për Kosovën e që në esencë pas 12 qershorit 1999 më së shumti e dëmtuan ata vet”, ka vlerësuar Gashi.

Avokati thotë se Specialen do ta kemi si çekiç mbi kokë edhe për shumë vite dhe do të dëmtojë edhe ata që nuk kanë kurrfarë fajësie, ndërsa të tjerët do të mbeten në pushtet.

“Gjykatën Speciale do ta kemi si çekiç mbi kokë edhe për shumë vite dhe do të dëmtojë edhe ata që nuk kanë kurrfarë fajësie, por të tjerët që nga paaftësia e tyre dhe nga lakmia e tyre që të mbeten në pushtet votuan edhe një monstër me emrin Gjykata Speciale, e cila mund t’i marrë me vete edhe ata vet”, ka përfunduar Tomë Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat