Analisti politik tregon sa vota mund t’i marrin Kurti e Osmani së bashku

Politika

Analisti politik tregon sa vota mund t’i marrin Kurti e Osmani së bashku

M.H Nga M.H Më 24 shtator 2020 Në ora: 16:12
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ditë më parë ka deklaruar që është i bindur se partia e tij dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani do t’i marrin më shumë se 50 për qind të votave, në zgjedhjet e radhës në Kosovë.

Ai është shprehur i bindur që në zgjedhjet e ardhshme, partia e tij do ta dyfishojë numrin e votave.

Në lidhje me këtë analisti politik, Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që nëse shkohet në zgjedhje atëherë sipas një sondazhi VV do të fitojë 47% të votave e së bashku me Osmanin do të mund të arrijnë mbi 51% duke arritur kështu një sukses të dytë së bashku.

“Nëse bazohemi në realitetin dhe rrethanat aktuale politike në Kosovë, deklarata e liderit të LVV-je, z. Albin Kurti, se, së bashku me znj. Vjosa Osmani po tentojnë t’i arrijnë 51% të votave në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato do mbahen, mendoj se një gjë të tillë është shumë e mundshme që ta realizojnë, sepse edhe sipas sondazheve të fundit po qese tash do mbaheshin zgjedhjet e parakohshme, LVV-je do t’i fitonte afër 47% të votave. Prandaj, nëse së bashku me znj. Vjosa Osmani i arrijnë mbi 51% të votave, kjo nënkupton se qeverinë e ardhshme do ta formonin pa partitë tjera parlamentare, e që do ishte sukses i jashtëzakonshëm për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Pra, ky do ishte suksesi i dytë historik i tyre pas fitores në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, meqë rast ishin dy liderët dhe politikanët e ri që dolën më të votuarit në Kosovë”, u shpreh Elezaj.

Më tej, Elezaj i llogaritë të gjitha arsyet që kanë sjellë në rrëzimin e qeverisë Kurti dhe tregon për keqmenaxhimim të qeverisë Hoti duke shtuar që sa më shpejt duhet të rrëzohet kjo qeveri dhe pse jo të formohet një qeveri e re me LVV dhe me partinë e Osmanit. Duke kërkuar nga Osmani që të formojë partinë e saj të vetë.

Image
Rexhep Elezaj

“Vjosa Osmani e përjashtuan nga LDK-ja, mund të jetë vetëm fontanë dëshirash, por jo edhe realitet i cili mund të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme. Dihet se parashikimet në politikë nuk janë fare të preferuara për shkak të natyrës komplekse të ngjarjeve që e determinojnë atë, por duke u bazuar në sjelljet dhe makinacionet e ndyta politike të LDK-së me Isa Mustafën në krye si dhe në ndikimin hileqarë të presidentit Hashim Thaçi tek PDK-ja dhe disa partiçka minore, që çuan në rrëzimin antikushtetues të qeverisë së posa zgjedhur “Kurti”, pastaj duke u bazuar në shkeljen bizare të vullnetit të mbi 450 mijë votuesve, të cilët duke i dhënë Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit më së shumti vota, ata në fakt votuan për ndryshime të reja politike në Kosovë, shkelje të cilën e bënë LDK-ja, AAK-ja dhe NISMA me përkrahjen vasale të presidentit H. Thaçi, duke e formuar qeverinë me LDK-në si mandatare në mënyrë antikushtetuese me Avdullah Hotin në krye, si dhe duke pasur parasysh shumë veprime tjera antikushtetuese dhe në dëm të interesave të popullit, në veçanti keq-menaxhimin tejet të dobët të pandemisë Covid-19 nga ana e qeverisë xhuxhe të Avdullah Hotit, besoj shumë se populli dhe votuesit shqiptarë janë bindur mjaftueshëm se kujt do t’ia dhurojnë votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme Vjosa Osmani, që, nëse dëshiron realizimin e synimeve të saja politike dhe kombëtare, por edhe arritjen e 51% të votave bashkë me z. Albin Kurtin dhe LVV-je, në asnjë mënyrë nuk duhet të garojë me ndonjë Listë brenda LVV-je, ngase kjo do të ishte një gabim i pafalshëm politik për të dhe karrierën e saj politike, por sa më para që është e gatshme të shpallë formimin e partisë së re”, përfundoi Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat