Kthesa e papritur e AAK-së, Ramush Haradinaj ‘dorëzohet’ përballë Avdullah Hotit

Politika

Kthesa e papritur e AAK-së, Ramush Haradinaj ‘dorëzohet’ përballë Avdullah Hotit

Nga: P.R Më: 24 shtator 2020 Në ora: 18:40
Ramush Haradinaj dhe Avdullah Hoti

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e kishte kërcënuar kohëve të fundit LDK-në me prishje të koalicionit. Krejt kjo ndodhi për shkak, që Haradinaj synon ta marr postin e presidentit të vendit.

“Aleanca është para dy zgjidhjeve, të dyja shumë të vështira. E para është që të vazhdojë të jetë pjesë e pushtetit dhe e vendimmarrjes, por ta kushtëzojë me marrjen e një pozicioni vendimmarrës të presidentit edhe ajo është logjika pse Këshilli Drejtues i AAK-së më ka dhënë autorizim të negociojë edhe për çështjen e presidentit, me qëllim që ne të mos përjashtohemi nga tavolina e marrjes së vendimeve. Pra, ne nuk rrisim pushtet me marrjen e presidentit, por ne vetëm ruajmë mundësinë e të qenurit në tavolinë aty ku merren vendimet. Unë jam në pozitë me të vështirë me PDK-në, sepse presidenti dikur ishte në PDK. Mirëpo, unë mendoj edhe për PDK-në, shpresoj se do ta kem mirëkuptimin edhe nga ata, sepse në këto situata të ndjeshme, nëse Aleanca duhet të jetë partner, duhet t’i jepet mundësia të ketë vendimmarrje. Përndryshe, vetëm sa për ta mbajtur në jetë një qeveri për pak pushtet, për Aleancën ne e dimë rrugën që të shkojmë në shtëpi, se e kemi ditur edhe në të kaluarën, ja do të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Haradinaj kohë më parë.

Por, si duket ka ndodhur një kthesë e madhe, dhe tashmë AAK nuk është e interesuar për prishje të qeverisë Hoti.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës Besnik Tahiri nga radhët e AAK-së, ka folur rreth pozicionimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në koalicionin qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Tahiri ka deklaruar se kryeministri Avdullah Hoti nuk i jep ‘pesë para’ nëse AAK-ja del nga Qeveria.

“Pesë para nuk i jep Hoti që bie prej Qeverisë. Unë e di që ai nuk e ka këtë brengë. AAK nuk e ka kulturë shantazhin për rrëzimin e qeverisë”, u shpreh Tahiri.

E kjo deklaratë e tij, sipas analisti politik Nexhat Haziri, është shenjë e tërheqjes së AAK-së dhe Haradinajt nga kërcënimet ndaj Hotit dhe LDK-së.

Image
Nexhat Haziri

“Deklaratat e z/ kryeministrit Besnik Tahirit se “Pesë para nuk i jep Hoti që bie prej Qeverisë” dhe qe kryeministri nuk e ka brengë nëse AAK-ja del nga koalicioni, tregon jo vetëm një tërheqje të partisë së Ramush Haradinajt nga kërcënimet për tu larguar nga koalicioni ne rast se nuk i përmbushën kërkesat e saj për më shumë pushtet brenda koalicionit, pa marrë parasysh forcën e saj politike, po ashtu tregon një stabilitet personal të kryeministrit Hoti dhe vendosmërinë e tij për të qeverisur i pashantazhuar dhe kjo është rezultat i asaj se kryeministri Hoti, është i përgatitur profesionalisht, ka gatishmëri për t’iu prirë proceseve që i ka përpara Kosova dhe për tu ballafaquar me sfidat që paraqesin këto procese, herë herë jo gjithaq popullore”, thotë Haziri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, faktori ndërkombëtar, e kanë gjetur në Kosovë një partner të besueshëm dhe kredibil në procesin e dialogut me Serbinë.

“Mbi këtë bazë, kryeministrit Hoti nuk po i mungojnë sukseset të cilat tashmë po i sheh dhe po i prekë qytetari i vendit, ndërsa faktori ndërkombëtar qofshin SHBA-të apo shtete e fuqishme të BE-së, kanë gjetur një partner të besueshëm dhe kredibil në procesin e dialogut me Serbinë, por edhe në marrëdhëniet kontraktuale në mes Kosovës dhe SHBA-s apo me BE. Andaj kjo po ashtu ka bërë që kryeministri Hoti ta rrisë çdo ditë mbështetjen për qeverisjen e tij nga partnerët tanë ndërkombëtar”, deklaron analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat