“Grenell ra në grackën e presidentit”, kërkohet dorëheqja e Hashim Thaçit

Politika

“Grenell ra në grackën e presidentit”, kërkohet dorëheqja e Hashim Thaçit

Nga: P.R Më: 24 shtator 2020 Në ora: 19:54
Richard Grenell dhe Hashim Thaçi

Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë, dhe arritjes së marrëveshjes ekonomike mes dy vendeve në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, është paralajmëruar se ky i fundit mund ta vizitojë Kosovën.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe njeriu i tij në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

”Presidenti Trump ka thënë se mezi pret të vijë në vizitë, Ende nuk kemi datë apo detaje, por tashmë e kemi tejkaluar pengesën e parë, pra që Shtëpia e Bardhë zyrtarisht pajtohen me një gjë të tillë”, ka thënë Grenell.

Por para se të ndodhë një gjë e tillë, në Kosovë po kërkohet dorëheqja e presidentit, Hashim Thaci.

Krejt kjo për shkak të propozim aktakuzës së Gjykatës Speciale ndaj Thaçit.

“Siç është paralajmëruar tanimë në media, pas ambasadorit Grenell me ekipin e tij ekonomik edhe Presidenti amerikan Donald Trump, së shpejti do ta vizitoje Kosovën. Ndaj duke ditur se ligjet e Demokracisë shembull në botë, si ato të SHBA-së, nuk preferojnë që një president serioz amerikan të takojë persona nën akuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Hashim Thaçi në vend se të jap dorëheqje dhe çlirojë edhe Kosovën nga damkat e zeza të tij, ai u ngutë që para se Trump të vinte në Kosovë, t’i ndante atij medaljen "Urdhri i Lirisë" si medalja më e lartë që ndanë shteti i Kosovës, e cila në asnjë mënyrë nuk do duhej lejuar të dorëzohet nga një i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si Thaçi”, thotë për “Bota sot” analisti politik, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

Qarri shprehet se pas publikimit të propozim aktakzuës nga Gjyakata Speciale, Hashim Thaçi është izoluar nga e gjithë bota.

“Madje për ti hapë rrugë takimit, me imponim indirekt, ai fillimisht dekoroi me "Mdaljen Presidenciale për Merita", këshilltarin për siguri kombëtare Robert O'Brien, si dhe të dërguarin e Presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, që organizoi edhe takimin e katër shtatorit në Uashington, ambasadorit Richard Grenell, i cili tanimë pranoi dekorimin dhe atë direkt nga Thaçi. E gjithë kjo aventurë mediatike, u organizua jo e tëra nga respekti i "madh", që njëmendë Thaçi mund të ndjejë në të vërtetë për përfaqësuesit amerikan, se sa për ti bërë një shërbim nga më të mirët vetvetes, në krizën dhe vetminë e tij më të madhe, sidomos pas publikimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata speciale, pas të cilës Thaçi është izoluar nga e gjithë bota”, thekson ai.

“Ndaj ndarja e medaljeve nga ana e Thaçit më tepër u ideua nga vet ai, si paradigmë, për të mos e qitur atë, tërësisht në harresë mysafirët e lartë amerikan, dhe përkujtuar atyre, se ai është ende "president", ndaj "do duhej" takuar të paktën sa për të realizuar ceremoninë e pranim dorëzimit të medaljeve, si mënyra më perfide të cilën Thaçi e përdori për diktimin e takimit me ambasadorin Grenell duke hapur rrugën e përsëritjes së të njëjtës metodë “imponuese” edhe me Presidentin Trump”, shton analisti Qarri.

Më tej, Qarri ka kërkuar urgjentisht dorëheqjen e Hashim Thaçit nga posti i presidentit të Republikës së Kosovës.

“Por megjithëse nuk do duhej lejuar në asnjë mënyrë, si ambasadori Grenell ashtu edhe vet presidenti Trump që të binin në këtë grackë, dhe ta takonin Thaçin, në vend se të kërkonin me këmbëngulje dorëheqjen e tij dhe lirimin e postit të presidentit, para se ata të vinin në Kosovë, duket se hapave të Grenellit do të shkojë edhe Donald Trump, pasi që Hashim Thaçi nuk e ka ndërmend të ofrojë vet dorëheqje para as pas vizitës së Presidentit Trump në Kosovë, nëse atë nuk e shkarkon me vërtetimin e aktakuzës së shpallur Gjykata Speciale. Përndryshe ajo që duhet të na brengosë të gjithë neve shumë, nuk është thjeshtë vet takimi i funksionarëve të lartë të shtetit amerikan me Thaçin, por domethënia dhe sinjali që mund të japë ky takim, i cili na vije si paralajmërim i trishtë-se ai mund të lirohet edhe nga aktakuzat e Speciales, për të bërë lëshime të reja ndaj Serbisë”.

Qarri ka thënë se është skandaloze qëndrimi i Hahsim Thaçit në postin e presidentit, pas publikimit të propozim aktakuzës ndaj tij nga Gjykata Speciale.

“Këtë dyshim e forcon edhe më tepër deklarata e ambasadorit Kosnet, dhënë pas takimit të Grenellit me Thaçin, i cili tha se për marrëveshje duhen kompromise, gjë që nënkupton se Thaçi për të fituar "pafajësinë", mund tu ketë premtuar udhëheqësve amerikan, se pas ngopjes së FYROM-it dhe Malit të Zi me toka tonat, është i gatshëm, t`ia falë ndonjë copë edhe më të madhe dhe shumë më të vlershme të Kosovës, edhe Serbisë, në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, e cila gjithnjë e më shpesh, po përmendet se do të arrihet së shpejti. Kështu që megjithëse është tepër skandaloze dhe tërësisht e papranueshme, që Thaçi edhe nën akuzat e Gjykatës Speciale, te vazhdoje te jetë ne postin e të parit të shtetit dhe ti mundësohet atij, të takohet nga ambasadori Grenell e së shpejti ndoshta edhe nga vet Presidenti Trump, druaj shumë se ai jo vetëm që nuk do ta merr goditjen e merituar, siç ka pritur e shpresuar gjatë populli i Kosovës, por mund të lirohet edhe nga aktakuzat e Speciales”, nënvizon Qarri për “Bota sot”.

Për fund, Qarri deklaron se Thaçi mund rikthehet serish në krye të ekipit të bisedimeve, me obligimin për të bërë kompromise të reja të dhimbshme në dobi të Serbisë.

“Për aq më tepër, edhe përkundër faktit se amerikanet nuk kane pasur asnjë takim me Thaçin, që nga momenti i shpalljes së aktakuzës nga Specialja kundër tij, pas zhvillimeve më të reja, ai dhe mund të rikthehet serish në krye të ekipit të bisedimeve, me obligimin për të bërë kompromise të reja të dhimbshme në dobi të Serbisë, të cilat vetëm në krye me një president të akuzuar për vrasje dhe krime tjera të luftës dhe të pasluftës, janë të mundshme të realizohen, në vend se ai vet të ofronte urgjentisht dorëheqje dhe të largohej përgjithmonë nga politika, për të mos e dëmtuar edhe më tej Kosovën”, përfundon analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat