Cili është synimi i Serbisë për dialogun dhe Kosovën, me diskutimin e Asociacionit në Bruksel?

Politika

Cili është synimi i Serbisë për dialogun dhe Kosovën, me diskutimin e Asociacionit në Bruksel?

Nga: G.B Më: 25 shtator 2020 Në ora: 14:13
Ilustrim

Të hënën në Bruksel  do të mbahet takimi Kosovë-Serbi në kuadër të dialogut.

Zyrtarët serbë kanë thënë se do të diskutohet për Asociacionin, ndërsa një gjë e tillë është mohuar nga BE.

E kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se kjo çështje është e mbyllur dhe se nuk do të diskutohet për Asociacionin.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se çdo temë që diskutohet duhet të jetë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse që pritet të ndodhë dhe jo të diskutohet për tema që tashmë kemi marrëveshje.

“Për mendimin tim, të gjitha temat që trajtohen në ketë fazë të negociatave Kosovë-Serbi, duhet të jenë pjesë përbërëse e platformës, përkatësisht marrëveshjes së përgjithshme e cila pritet të ndodhë.  Çdo dakordim, duhet të inkorporohet në marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Temat për të cilat tashmë kemi marrëveshje ekzistuese, nuk besoj që duhet të rikthehen në rinegocim. Kosova ka bërë tashmë shumë koncesione në raport me serbët. Vetë pranimi të ulet në tavolinë negociatore me një shtet vrasës i cili jo vetëm nuk kërkon falje për krimet gjenocidiale, por dhe ka rritur apetitet agresive ndaj nesh, është konsesion i madh të cilin pala kosovare duhet ta potencojë vazhdimisht. Shto kësaj që edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e cila u hartua në bazë të Planit Ahtisari, është kompromis i madh”, është shprehur ai.

Image
Leon Duhanaj

Sa i përket temës së Asociacionit, ai thotë se kemi marrëveshje lidhur me të dhe Kosova nuk ka nevojë të rinegociojë.

“Pra, për sa i përket temës së asociacionit tashmë kemi marrëveshjen e 2013-s e cila na obligon ta themelojmë, por kemi dhe marrëveshjen e 2015-s mbi parimet në të cilën sanksionohet qartë roli i Gjykatës Kushtetuese e cila duhet ta jep mendimin e saj rreth statutit të asociacionit. Nga kjo marrëveshje, Kosova nuk ka asnjë nevojë të lëviz e dhe të rinegociojë”, ka vlerësuar Duhanaj.

Ai shton se Serbia ka synim që të zgjatë bisedimet dhe të bllokojë Kosovën, derisa kërkon tema alibi për ta bërë këtë dhe mundohet ta vë në lajthitje palën ndërmjetësuese.

“Serbia duke qenë se ka synim stërzgjatjen e bisedimeve dhe bllokimin e Kosovës, kërkon tema alibi për ta bllokuar ketë proces. Këndej edhe mundohet ta vë në lajthitje palën ndërmjetësuese në mënyrë që të shtrojë presion ndaj Kosovës. Çdo marrëveshje që gjer më tani është arritur ka qenë në kornizat negociuese të BE-së. Në ketë kontekst, asnjë lëvizje, asnjë konsesion të ri”, ka deklaruar Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat