Zbardhen detaje të reja: Ky ishte qëllimi i skenarit me ‘Dosjet e Speciales’, ja kush ishte organizatori

Politika

Zbardhen detaje të reja: Ky ishte qëllimi i skenarit me ‘Dosjet e Speciales’, ja kush ishte organizatori

Nga: P.R Më: 25 shtator 2020 Në ora: 17:49
Hetuesit e Gjykatës Speciale në bashkëpunim me Policinë e EULEX-it dhe atë të Kosovës, kanë bastisur zyrat e OVL-së së UÇK-së në Prishtinë

Gjatë ditës së sotme, hetuesit e Gjykatës Speciale në bashkëpunim me Policinë e EULEX-it dhe atë të Kosovës, kanë bastisur zyrat e OVL-së së UÇK-së në Prishtinë, ku fillimisht u arrestua kreu i kësaj organizate, Hysni Ngucati, dhe më pas edhe nënkryetari i tij, Nasim Haradinaj.

Deri tek ky aksion erdhi pas publikimit të disa dosjeve nga OVL e UÇK-së, e të cilat sipas tyre janë të Gjykatës Speciale.

E lidhur me këtë aksion, për gazetën “Bota sot”, ka folur analisti dhe njohësi i mirë i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri, i cili e ka quajtur aksion të vonuar.

Image
Nexhat Haziri

“Zhvillimet e sotme dhe aksioni i EULEX në OVL, duhet përshëndetur edhe pse i vonuar, pasi zhvillimet e fundit me të ashtuquajturat Dosjet e Gjykatës Speciale dhe publikimi i tyre, rrezikonte destabilitetin politik, por edhe të sigurisë në vend”, thotë analisti Haziri.

Ai ka treguar edhe qëllimin e skenarit me publikimin e dosjeve.

“Qëllimi i këtij skenari ishte frikësimi i dëshmitarëve, identifikimi i tyre deri edhe të vrasja e tyre, dhe poashtu goditja e kredibilitit të Gjykatës Speciale. Ky skenar me të ashtuquajturat Dosjet e Gjykatës Speciale, e ka dëmtuar rënd imazhin e vendit ku Kosova është paraqitur si një vend që po e pengon zbatimin e drejtësisë”, shprehet Haziri për “Bota sot”.

Sipas tij, aksioni i sotëm shënon fundin e një skenari të rrezikshëm për Kosovën.

“Mendoj se pas këtij aksioni të EULEX-it dhe arrestimi i zyrtarëve të OVL UÇK-së, është fundi i skenarit të rrezikshëm me të ashtuquajturat Dosje të Gjykatës Speciale, prapa së cilit skenar kanë qenë eksponentë të lartë të partive politike nga i ashtuquajturi “Krahu i luftës” të cilët janë në llupën e drejtësisë nga Gjykata Speciale, por edhe segmente të caktuar të shtetit, sidomos ato të sigurisë dhe të drejtësisë të cilët nuk ndërmorën as edhe një hap për parandalimin e këtij skenari me të ashtuquajturat Dosje të Gjykatës Speciale. Ndërsa OVL e UÇK-së, që ka funksionuar për gjithë këto vite si para politikë e këtyre partive politike, kanë qenë vetëm ekzekutues të këtij skenari”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat