“Një mesazh për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin”, ky është paralajmërimi për dëshmitarët...

Politika

“Një mesazh për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin”, ky është paralajmërimi për dëshmitarët...

Nga: P.R Më: 26 shtator 2020 Në ora: 18:54
Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi

Gjykata Speciale gjatë ditës së djeshme ka arrestuar krerët e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, të cilët më pas janë transferuar në Hagë.

Ata akuzohen për pengim të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës.

“Pas arrestimit të tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 25 shtator 2020, Hysni Gucati u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në komunikatën e Speciales për Hysni Gucatin.

Njëjtë si Gucati, akuzohet edhe Nasim Haradinaj.

“Pas arrestimit të tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 25 shtator 2020, Nasim Haradinaj u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, shpjegon Gjykata Speciale për Nasim Haradinajn.

E lidhur më këtë aksion të Gjykatës Speciale, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Faon Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, ky aksion është edhe një mesazh për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

“Natyrisht se aksioni i ditës së premte është mesazh për Hashimin dhe Kadriun, se edhe atyre shpejt do ju vjen dita e arrestimit. Besoj se Thaçit do i bëhet arrestimi ne ndonjë vend jashtë Kosove, prandaj presidenti spo del jashtë Kosovës. Megjithatë asgjë më nuk e shpëton, më së largu nata e vitit të ri Thaçin dhe Veselin do i gjej në Hagë”, thekson Mehmeti për “Bota sot”.

Më tej, Mehmeti ka thënë se dëshmitarët janë të rrezikuar në Kosovë.

“Kjo vjeshtë do të jetë vjeshta më e veçantë që ka pasur vendi, ku do ketë shumë të arrestuar, dhe atë njerëz të rëndësishëm. Dëshmitarët kanë qenë çdo herë të rrezikuar, andaj me publikimin emrave të tyre Gjykata do shpejtoj në arrestimin e të dyshuarve, për të mbrojtur dëshmitarët”, përfundon analisti politik, Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat