Filozofi kroat: Në Mal të zi është i mundshmë skenari iranian, në BeH e Kosovë gjendja është çimentuar

Politika

Filozofi kroat: Në Mal të zi është i mundshmë skenari iranian, në BeH e Kosovë gjendja është çimentuar

Dush Gashi Nga Dush Gashi Më 27 shtator 2020 Në ora: 09:39
Lino Velak

Dimensionet e politikës duhet të dallohen nga dimensionet e bashkësisë shoqërore. Nuk ka asnjë përgjigje të qartë për pyetjen se sa të ngjashëm apo të ndryshëm janë shtetet e ish-Jugosllavisë sot në krahasim me kohën para shpërbërjes.

- Sa i përket shoqërive, gjithçka që ndodh në një pjesë të rajonit transferohet në të gjitha pjesët e tjera. Kështu që nuk mund të flasësh për ndarje. Në të gjitha këto shoqëri, ka pakica shumë të zëshme që insistojnë në ndarje dhe armiqësi shekullore. Fjala është për pakica shumë të zëshme dhe shpesh agresive, kështu që mund të duket se dallimet janë në rritje dhe urrejtja po rritet, gjë që është një iluzion dhe e pavërtetë. Por, nga ana tjetër, ka shumë pak faktorë shoqërorë që këmbëngulin se janë kryer krime në emrin tonë dhe se pozicioni ynë nuk është moralisht i patëmetë. Edhe pse numri i tyre po rritet. Falë asaj pakice zë zëshme, kjo tendencë nuk është e dukshme qartë, por po rritet - thotë Lino Velak, profesor në Fakultetin filozofik në Zagreb, në një intervistë për gazetën beogradase "Danas", në përgjigje të pyetjes nëse tridhjetë vjet pas shpërbërjes së Jugosllavisë kombet dhe rrethanat shoqërore në ato shtete janë më të ngjashme ose më ndryshe nga periudha para shpërbërjes së shtetit të përbashkët. Sa i përket dimensionit politik, shton Velak, kemi procese shumë kontradiktore.

- Mund të thuhet se në atë aspekt, situata në Serbi, situata në Kosovë, si dhe situata në BeH, është pothuajse e çimentuar dhe se tani për tani, mund të shënohet si e pashpresë. Gjëra interesante kanë ndodhur në Malin e Zi që mund të përfundojnë në mënyra të ndryshme. Mund të supozohet se Mali i Zi, nga njëra anë, do të demokratizohet më tej, por nga ana tjetër, se në vend do të rriten më tej forcat klerikale, të cilat mund të marrin kontrollin e aspekteve të rëndësishme si të shtetit e të shoqërisë.

Ai e konfirmon vlerësimin se forcimi i forcave fondamentaliste në Mal të Zi është i afërt, gjë që mund të përmbysë këto procese pozitive:

- Do të jetë një qeveri demokratike që do të ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve, ndërsa problemi është se kjo shumicë e qytetarëve, falë ndryshimeve tektonike në strukturën e vetëdijes shoqërore në aspektin e strukturës politike, është më afër Turqisë dhe Iranit sesa, të themi, vendeve skandinave. Kisha në Mal të Zi, dhe më gjerë në strukturat e saj udhëheqëse, është një organizatë shumë konservatore me elemente të fondamentalizmit radikal.

Në pyetjen se si e shpjegoni paradoksin që forcat moderne përmbysin diktatorin, i cili ka qenë në pushtet për 30 vjet, të gjejnë një gjuhë të përbashkët me Kishën ortodokse serve (KOS), si dhe që KOS-i arrin t'i sjellë këta njerëz të etur për ndryshime në qendrat e votimit dhe t'i frymëzojë ata, ai gjen një ngjashmëri me Iranin e shekullit të kaluar.

- Një analogji është e mundur me Iranin në vitin 1979. Mohamed Reza Pahlavi u përmbys në Iran, i cili, si Milo Gjukanoviqi, drejtoi atë vend për vite me radhë dhe modernizoi Iranin në një kuptim laik. Ai sundoi jashtëzakonisht autoritarisht dhe thelloi padrejtësinë shoqërore. Revolta u udhëhoq nga të rinjtë, por ata bashkuan me pjesën konservatore të komunitetit, e cila ishte e pakënaqur me sekularizimin dhe modernizimin e Iranit. Rezultati përfundimtar është - Homeini. Është një model që, jo domosdoshmërisht, por ndoshta mund të jetë çelësi i zhvillimeve të mëtejshme në Malin e Zi. Kjo, më tej, nuk do të thotë që Amfilohije Radoviq do të jetë zyrtarisht në pozicionin e udhëheqësit suprem dhe shtetëror, por është mjaft e mundshme që pozita e tij, si dhe pozita e pasardhësve të tij, të jetë e padiskutueshme, jo vetëm moralisht, por edhe kur bëhet fjalë për autoritetin politik, do të pyetet për gjithçka. Mali i Zi nuk do të ketë asnjë Vuçiq ose Dodik në perspektivë, por do të ketë një Homein në një kuptim më pak ekstrem sesa është rasti në Iran.

Velak mendon se, edhe pse Mali i Zi është anëtar i NATO-s, dhe më i shpejti në rajon në rrugën e integrimit evropian, nuk do të thotë shumë në atë kuptim.

- Mali i Zi mund të bëhet anëtar i NATO-s dhe BE-sw, ndërsa forcat populiste të jenë në pushtet. Shoh një tendencë të konsiderueshme dhe kapacitet demokratik të përbërjes së koalicionit të ardhshëm në pushtet, ndërsa çështja është pjekuria e qytetarëve malazezë nëse Dritan Abazoviq do të marrë një pozitë më të madhe dhe më domethënëse në qeverinë e ardhshme apo në zgjedhjet e ardhshme, të cilat mund të jenë në të njëjtën kohë me ato presidenciale. Apo ata do të nisen në rrugën e rregullimit autoritar dhe populist.

Sa fuqi kanë kapitalizmi, rrjedhat e parave, investimet në drejtimin e këtyre proceseve?

- Vendet perëndimore janë të interesuara për klimën e investimeve. Çdo qeveri, e cila do të sigurojë që investimet të rezultojnë në një normë të përshtatshme kthimi do të tolerohet. Kushdo që është në gjendje të garantojë frytnimin e kapitalit dhe daljen e papenguar të fitimeve nga vendi do të ketë mbështetjen e këtyre qendrave. Një fenomen mjaft interesant dhe indikativ është ish-Reisi Mustafa Ceriq, i cili i bëri thirrje partisë boshnjake në Mal të Zi që të bashkohet me koalicionin e ardhshëm qeverisës. Nëse kjo nuk do të ndodhte, do të ishte problematike, sepse atëherë Dritan Abazoviqi nuk do të ishte faktori vendimtar, por ai grupim nacionalist mund të llogariste në votat rezervë të grupit të partisë boshnjake. Mesazhi i Mustafa Ceriqit është indikativ, sepse pas tij qëndron frika e Erdoganit se investimet turke do të rrezikohen. Kjo është një thirrje për besnikëri ndaj autoriteteve të reja vetëm për të siguruar një fitim që duhet të rezultojë në investime turke në Mal të Zi.

Velak nuk është i sigurt nëse në Mal të Zi fitoi projekti i Serbisë së Madhe.

- Do të isha i kujdesshëm në këtë. Është mjaft e sigurt që një pjesë e qeverisë së ardhshme u frymëzua nga projekti i Serbisë së Madhe. Sidoqoftë, duket se kjo nuk ishte e një rëndësie vendimtare, por ishte roli i Amfilohije Radoviqit.

Siç mund ta shihni, interpretimet se Milo Gjukanoviq dhe Aleksandar Vuçiq paraqiten rrejshëm sikur janë një konflikt, ndërsa në fakt ata janë të bashkuar nga biznesi i përbashkët dhe praktikat korruptive. Gjithashtu, supozohet se asnjë diktaturi nuk i shkon për shtati që tjetri diktator të bijë nga pushteti?

- Ky është një opsion më realist, megjithëse është spekulim. Nga ana tjetër, Amfilohije nuk është eksponent i shtetit të Serbisë, por një faktor autonom. Pozicionet e tij mund të jenë si një projekt më liberal i Serbisë së Madhe. Ai ishte vendimtar për përmbysjen e qeverisë së Gjukanoviqit, por edhe pak më shumë se kaq. Sikur të ishte puna vetëm për të, qeveria e Milo Gjukanoviqit do të kishte mbijetuar. Kishte një sinergji të pakënaqësive të ndryshme. Duhet pasur pak kujdes, sepse fakti që Amfilohije nuk është absolutisht dominant sot nuk do të thotë që zhvillimet e ardhshme nuk mund të çojnë në atë. Homeinizimi i Malit të Zi nuk është i domosdoshëm, por ai proces është një nga skenarët e mundshëm për zhvillimin e situatës.

Si i përshkruani trendet aktuale në këtë drejtim në Kroaci?

- Për sa i përket Kroacisë, është e qartë se HDZ-ja (Bashkësia demokratike kroate) është pastruar nga elementët ekstremistë, por është shqetësuese që HDZ-ja po pozicionohet si një parti e qendrës dhe po i lë hapësirë të djathtës, ku dalin elementë shumë radikalë të politikës ekstremiste. Aktualisht ata kanë mbështetjen e qytetarëve deri në 20 përqind, por problemi është që kriza ekonomike mund të rezultojë në rritje shtesë të këtyre forcave, kështu që nuk do të çuditesha nëse ato bëhen dominante dhe që Kroacia të "orbanizohet". Në asnjë mënyrë nuk do të thosha se në Kroaci e djathta është e margjinalizuar nga fakti që HDZ-ja në sipërfaqe është emancipuar nga anët më të errëta të së kaluarës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat