Analisti tregon prapavijat e bastisjes dhe arrestimeve nga EULEX-i

Politika

Analisti tregon prapavijat e bastisjes dhe arrestimeve nga EULEX-i

Nga: A.Z Më: 27 shtator 2020 Në ora: 11:02
Arrestimi i Hysni Gucatit nga pjesëtarët e EULEX-it.

Bastitja e zyrave të OVL-UÇK-së në ditën e premte ka përfunduar me arrestimin e kryetarit të saj, Hysni Gucati i cili do të dërgohet në Hagë. Për këtë çështje ka pasur edhe reagime të shumta nga skena politike dhe këtë aksion të EULEX-it shumica prej tyre e kanë vlerësuar si të gabuar.

Përveç Gucatit, i arrestuar mbeti edhe nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Kështu edhe analisti Leon Duhanaj në një prononcim për “Bota sot”,  vetë themelimin e Gjykatës Speciale e sheh si  fatkeqësi për Kosovën, që nuk duhej ta lejonim themelimin e saj, por që ka ndodh për shkak te hezitimit për ti zgjedhur çështjet kushtetuese ligjore. Sipas analistit Duhanaj ,Kosova do të duhej ta formonte vetë këtë çështje e jo të bëhet rast i drejtësisë ndërkombëtare.

 “Vetë themelimi i Gjykatës Speciale, nëse e shohim nga konteksti i drejtësisë është fatkeqësi për vendin tonë. Asnjëherë nuk do duhet të lejonim që kjo Gjykatë të themelohet, por ja që e bëmë këtë si pasojë e hezitimit tonë për t'i zgjidhur çështjet kontestuese ligjore. Kosova do të duhej ta formonte vetë këtë çështje e jo të bëhet rast i drejtësisë ndërkombëtare. Gjykata Speciale tanimë është realitet dhe çdo përpjekje për ta penguar veç se e degradon qoftë imazhin e UÇK-së, qoftë të Kosovës. Pra, ne e kemi pranuar dhe votuar në Kuvend dhe nuk mundemi më për ta zhbërë”, tha Duhanaj.

Ai më tej shtoi se nëse ka individ që kanë çfarë të fshehin, të mbetet çështje e tyre individuale e asesi të akuzohet Kosova apo UÇK, kemi bërë vetëm luftë çlirimtare dhe asgjë tjetër.

 “E vetmja gjë që mundemi të bëjmë, është bashkëpunimi me drejtësinë. Unë nuk mendoj që UÇK dhe shqiptarët duhet t'i frikësohen drejtësisë. Sepse ne kemi bërë luftë çlirimtare dhe asgjë tjetër. Nëse ka individ që kanë çfarë të fshehin, ajo duhet të mbetet çështje e tyre individuale e asesi të akuzohet Kosova apo UÇK kolektivisht”, shtoi ai.

Duhanaj më tej ka thënë se bastisja e zyrave të OVL-UÇK-së si dhe arrestimi i Hysni Gucatit është rezultat i zhvillimeve të fundit rreth çështjes së dosjeve. Sipas tij OVL nuk e ka menaxhuar mirë çështjen e dosjeve dhe  kjo ka bërë të ngriten dyshime që ka ardhur deri tek bastisja dhe arrestimi.

“Bastisja e sotme e zyrave të OVL-UÇK dhe arrestimi i z. Guncati për mendimin tim është rezultat i zhvillimeve të fundit rreth çështjeve të dosjeve të publikuara. Unë kam dhënë mendim edhe më herët rreth kësaj teme dhe mendoj që OVL, nuk e ka menaxhuar më së miri ketë çështjen e dosjeve. Sepse ka bërë që të ngritën dyshime rreth këtij aktiviteti dhe  sigurisht nga kjo ka ardhur deri tek bastisja dhe arrestimi. Këtu duhet shtuar se Gjykata Speciale, pas skandalit me rrjedhjen e informatave, përkatësisht publikimit të dosjeve është në presion dhe me siguri që përmes akteve të bastisjeve dhe arrestimeve, mund të ketë në prapavijë edhe zhvendosjen e vëmendjes së opinionit publik”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat