Mashtrimi i elektoratit të LDK-së nga Isa Mustafa dhe klani i tij për pazare me bandat, thirrje për “heshtakët” e kësaj partie

Politika

Mashtrimi i elektoratit të LDK-së nga Isa Mustafa dhe klani i tij për pazare me bandat, thirrje për “heshtakët” e kësaj partie

Nga: D.RR Më: 27 shtator 2020 Në ora: 17:03
Agim Veliu, Isa Mustafa dhe Lutfi Haziri

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, edhe zyrtarisht e publikisht ka hequr vijat e kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës, ku para një viti ishte zotuar se nuk do të kishte koalicion me partinë e Veselit.

Mustafa tha se vijat po i heq për shkak se Kosovën e presin sfida të radhës, duke përmendur Gjykatën Speciale dhe postin e presidentit, e si shkak duhet të ketë bashkëpunim edhe me PDK-në.

Ndryshimin 360-shkallësh të LDK-së, e ka komentuar njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj.

Ai për “Bota sot” tha se Isa Mustafa dhe klani i tij e mashtroi elektoratin e LDK-së, ku thotë se teksa bisedohej ditën për koalicion me VV-në, natën kishte filtrime me partitë, siç i quan ai, PAN-iste.

“Pavarësisht zotimit betues se "kurrë më koalicion me PDK-në", strukturat dhe anëtarësia si dhe populli, asnjëherë nuk i kanë marrë seriozisht betimet dhe deklarimet boshe, mashtruese të kryetarit Isa Mustafa dhe klanit të tij, uzurpues të partisë, dikur krenare, e Presidentit Rugova. “Vijat e kuqe për PDK-në", të deklaruara më "bujë e pompë", ishin një mashtrim i elektoratit të LDK-së. Kjo u pa kur ditën bisedohej me LVV, për aleancën qeverisëse, ndërsa natën flirtohej e bisedohej me partitë PAN-iste. Ka dëshmi faktike që klanorët potencialë të kryetarit Mustafa, flisnin, herë në surdinë dhe herë-herë zëshëm, për jetë-shkurtësinë e qeverisjes me LVV. Dhe, vërtet, nuk zgjati shumë dhe hileja u zbulua, sepse lidhjet me partinë-bandë PDK-në, datojnë gjatë luftës, me dhënien e miliona markave nga Fondi i 3 %-it, pa fije mbulese”, u shpreh Zeqiraj.

Tutje ai thotë se pavarësisht poshtërimit, siç e quan ai “banda udhëheqëse e partisë në fjalë”, që i ka bërë LDK-së, klanorët kapërdinë turpërimin dhe sërishmi bëhen bisht i PDK-së, PAN-it.

Zeqiraj flet edhe për disa lista të veteranëve me të cilat u përzien Isa Mustafa dhe Agim Çeku.

Image
Idriz Zeqiraj

“Realisht, disa nga anëtarët e klanit Mustafa, nuk kanë pasur kurrë - vija të kuqe - për PDK-në. Pavarësisht poshtërimit që banda udhëheqëse e partisë në fjalë, i ka bërë LDK-së, klanorët kapërdinë turpërimin dhe sërishmi bëhen bisht i PDK-së, PAN-it. Karrierizmi i kryetarit Mustafa, tashmë, është bërë proverbial. Babëzitja e tij është e pafrenueshme. Gjysmë-shekulli nuk e ngopi me poste, nuk i mjaftoi. Më 2016, kur PDK-ja vendosi ta rrëzojë qeverinë Mustafa, ndërseu lakejtë e tij, krerët e OVL të UÇK-së, njësoj si në mars - prillin 2004, që solli në tavolinë "Zajednicën", kundër qeverisë. "Ose paratë e "veteranëve", ose të fshijmë me gjithë qeverinë",- u kërcënuan horrakët "veteranë!" Isa Mustafa, për ta mbajtur, me çdo kusht, postin e kryeministrit, i kërkon kryetarit të Komisionit të Verifikimit të Listave të Veteranëve", gjeneral Agim Çekut, për një javë t`i dorëzojë listat e veteranëve. Dhe, ashtu u bë. Në gjyq Çeku ka fajësuar kryeministrin Mustafa, "pse nuk na dha kohën e duhur, për t`i verifikuar listat e veteranëve. Pritëm që kryeministri ta bëj verifikimin, t`i kthej prapa emrat listorë të "veteranëve" të rrejshëm. Por, ai filloi pagesën për 46.300 "veteranë", prej tyre 33.600 të rrejshëm!" Nga përllogaritjet e bëra, para disa muajve, rezulton të jenë shpenzuar, abuzuar 89 milionë euro për "veteranët" të rremë! Kush duhet të përgjigjet për këtë krim ekonomik?! Komandanti i SHP të UÇK-së, me qendër në Likoc të Skënderait dhe komandantët e Drenicës, e pranojnë shifrën enormë të veteranëve" të rremë në Kosovë. Megjithatë, shefat e OVL të UÇK-së, kanë bllokuar pastrimin e listave të rrejshme të "veteranëve!"”, theksoi ai.

Zeqiraj mendon se klani i Mustafës e shkeli amanetin e presidentit Rugova, që "Hashim Thaçi të mos lejohet të ngritet në pozitat drejtuese, sepse është i rrezikshëm për Kosovën". Ai më tej ka thënë se heqja e vijave të kuqe për PDK-në nga Mustafa, është provokim i rëndë.

“Klani Mustafa shkeli porosinë-amanet të Presidentit Rugova, që "Hashim Thaçi të mos lejohet të ngritet në pozitat drejtuese, sepse është i rrezikshëm për Kosovën". Megjithatë, ishte i sëmuri për karrierë Isa Mustafa, me rrethin e tij vicioz, që e bëri Hashimin president! Duke e heshtur zgjedhjen e presidentit nga populli, vazhdojnë pazaret e pista banditeske për presidentin e ardhshëm. Mjaftojnë dy banditë, në krye të dy partive politike, për ta bërë president një bandit të tretë! Shkelja e premtimit të dhënë, për vënien e "vijave tët kuqe", për PDK-në dhe heqja e këtyre vijave nga kryetari Mustafa, duke shpërfillur LDK-në, është një provokim i rëndë, njëherësh, guxim i tepëruar i tij. Njëjtë ka provokuar shqiptarët ish-kryeministri me Demarkacionin, që si kundërshti kanë pasuar protesta e sulme të papërmbajtshme nga Lëvizja Vetëvendosje”, potencoi ai.

Tutje Zeqiraj e quan të rremë deklaratën e Mustafës se po i heqin vijat e kuqe me PDK-në për shkak të Gjykatës Speciale dhe postit të presidentit.

“Arsyetimi i kreut të LDK-së se "heçim vijat e kuqe, përshkak të Gjykatës Speciale, mundësisë të konfirmimit të akuzës të krime lufte të presidentit dhe të kreut të PDK-së", është bajat, i rremë. Sepse PDK-ja ka dhjetëra kandidatë meritorë për kryetar partie, ashtu siç ka edhe për president, por, assesi krerët aktual të partive politike, të cilët janë me kartelë krimi dhe korrupsioni, kandidatë potencialë për pranga. Rrethanat aktuale politike nuk janë kurrëfarë befasie, siç duan t`i paraqesin tellallët dallkaukë e hipokritë të pushtetit. Përkundrazi, kanë qenë të pritshme. Fundja, siç pohon edhe kryeministri Hoti, "drejtësia është e ndarë dhe e pavarur nga qeverisja"”, tha Zeqiraj për “Bota sot”.

Ai bën thirrje nga strukturat tjera të partisë që ta stopojnë kryetarin Mustafa, teksa për heqjen e vijave të kuqe, thotë se mund të ketë kundërpërgjigje që mund ta përgjakin Kosovën.

“Qëllimet e klanit Mustafa janë ndjellakeqe, ogurëzeza. Në vend që ta vazhdojë qeverisjen me koalicionin aktual, deri në pranverën e ardhshme, tenton ta zgjerojë koalicionin me PDK-në, me synimin hileqarë, për ta shepenë mandatin, e pamandatuar nga populli, deri në vitin 2023! Ky është një provokim i rëndë, që, si kundërpërgjigje, mund ta përgjakë Kosovën. Andaj, strukturat e LDK-së, duhet ta frenojnë, deri në stopim, kryetarin me klanin e tij. Përndryshe, provokimet, në vijimësi, mund ta fundojnë durimin e fituesit faktik të zgjedhjeve, në rastin konkret të Lëvizjes Vetëvendosje. Dhe, rrjedhojat do t`i bartin edhe heshtakët e LDK-së, për indiferentizmin hiç fisnik të tyre, për pazaret e pista të kryetarit, me klanin e tij. Kujdes, LDK-ja të mos këtë lakmi partitë-banda, sepse rrezikon të bëhet pjesë e tyre. "Miku i mirë, në ditë të vështia", - thotë urtësia. Isa me pak shokë, i lidhur fort, jo vetëm me miqësi, por, edhe me tregti me PDK-në e tij, don t`i lehtësojë miqtë e lënduar. Edhe pse PDK-ja, herëpashere, si bukëshkale që është, godet, madje, vrazhdësisht, sejmenët e saj, ajo ka armën pajtuese. Me dosjet shantazhuese, është unike në detyrimin për shërbime, qofshin edhe turpëruese, me fund, siç po ndodhë me LDK-në tonë, të rënë në hall nga bijtë e saj bastardë”, u shpreh Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat