Shakaja e Grenell që e mori seriozisht Hoti!

Politika

Shakaja e Grenell që e mori seriozisht Hoti!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 27 shtator 2020 Në ora: 22:43
Avdullah Hoti dhe Richard Grenell; foto ilustrim nga "Bota sot"

I dërguari Special i Presidentit Amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka propozuar që liqeni Ujmanit të quhet “Liqeni Trump”.

Këtë ide e ka përkrahur edhe shefi i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti. Ai ka mirëpritur propozimin e ambasadorit Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni i Presidentit Trump, në shenjë nderimi për rolin e tij të jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si hap i madh drejt marrëveshjes përfundimtare politike, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke.

Mirëpo, për dallim nga kryeministrit Hoti, eurodeputetja gjermane Viola von Cramon ka ironizuar me këtë iniciativë.

Ndërsa vet Grenell thotë se ”Liqeni Trump” ishte shaka e tij.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pranim-propozimi nga kryeministrit Hoti me zemërgjerësi, e shohin si largpamësi e një lideri dhe shtetari që di të peshojë dhe kultivojë traditën nacionale.

Ndërsa, analistët dhe njohësit e fushës këtë e shohin si një skandal nga ana e kryeministrit Hoti. Ata janë të mendimit se ndryshimi eventual i emrit të Ujmanit e zhvlerëson historinë e këtij liqeni.

Bajraj: Propozimi dhe ideja e Grenellit për emërtimin e Ujmanit, vizionare, pranimi i propozimit nga ana Hotit, veprim adekuat dhe gjenial

Image
Fatmir Bajraj

Anëtari i LDK-së në Gjermani, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se pranim propozimi lidhur me emërtimin “Liqeni Ujamni” nga ana e të shefit të ekzekutivit është një veprim gjenial.

“Njëra nga pikat më nevralgjike të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, Kosovë-Serbi të 4 shtatorit në Uashington dhe nën lidershipin e Presidentit amerikan Donald Trump, ishte pikërisht kompromisi i palëve: Kosovë-Serbi për studimin e fizibilitetit të këtij liqeni nga ana e SHBA-ve. Meqë kjo pikë e marrëveshjes, shpreh qartë besimin e palëve karshi SHBA-ve në proces, atëherë edhe propozimi i ambasadorit Grenell që Ujmani të merr emrin e presidentit amerikan, është edhe përgjigje ndaj këtij besimi”, ka thënë anëtari i LDK-së, Fatmir Bajraj.

Për anëtarin e LDK-së pranimi i këtij propozimi nga ana e kryeministrit Hoti, është largpamësi që di të peshojë dhe kultivojë traditën nacionale.

“Ideja e ambasadorit Grenell, ka bazë në globalizmin dhe gjeo-politikën amerikane, shprehur konkretisht, në synimin e shtrirjes së ndikimit dhe influencës amerikane në Gadishullin Ilirik dhe me gjerë, dhe qëllimin e mbajtjes larg të ndikimit rus dhe euro-aziatik në Ballkan, interes ky madhor edhe i Kosovës dhe i shqiptarëve. Pranimi me zemërgjerësi i këtij propozimi nga ana e kryeministrit Hoti, është largpamësi e një lideri dhe shtetari që di të peshojë dhe kultivojë traditën nacionale, si dhe të artikulojë drejtë dhe në kohë, për çfarë duhet mbështetur e përgëzuar si kryeministër i vendit”, u shpreh ai.

Ndërkaq, nënvizon se emërtimi i këtij liqeni me emrin e presidentit Trump, shpreh falënderimin për këtë të fundit, në veçanti në lidhje me marrëveshjen e normalizimit ekonomik, të arritur së fundit në Uashington.

“Emërtimi i Ujmanit me emrin e presidentit Donald Trump, përveç se shpreh falënderimin për SHBA-të dhe në veçanti kontributin e presidentit amerikan në lidhje me marrëveshjen e normalizimit ekonomik, në anë tjetër; shuan edhe apetitet gllabëruese të Serbisë hegjemoniste dhe të qarqeve anti-shqiptare në krahë të Serbisë. Liqeni me emrin e presidentit amerikan, Donald Trump është një garanci e ruajtjes së integritetit territorial, aseteve nacionale dhe interesit shtetëror të Kosovës në njërën anë, si dhe derivon një obligim në kontinuititet të SHBA-ve në ruajtje të një obligimi të konfirmuar. ‘Liqeni Trump’, dëshmia më e fuqishme e prezencës faktike të SHBA-vë në Kosovë dhe në rajon, fakt ky, të cilit duhet t’i gëzohen shqiptarët dhe në veçanti, Republika e Kosovës”, ka potencuar zyrtari i LDK-së, Fatmir Bajraj.

Mehmeti: Nëse vërtet kryeministri Hoti ka bërë një propozim të tillë duhet të jap dorëheqje!

Image
Faton Mehmeti

E, për dallim nga zyrtari i LDK-së, analisti politik, Faton Mehmeti, në një bisedë të zhvilluar, ka thënë se shpreson se ky propozim nga ana e shefit të qeverisë, të mos jetë i vërtetë.

Mehmeti për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se ndryshimi eventual i emrit të Ujmanit e zhvlerëson historinë e këtij liqeni.

“Shpresojë mos të jetë vërtetë propozim i Hotit, ndryshe do të jetë skandal i madh. Hoti duhet të dijë se ky liqen është i Kosovës, dhe si i tillë edhe është pagëzuar me emrin Ujman. Ndryshimi i emrit e zhvlerëson historinë e këtij liqeni, duke e kthyer atë në projekt ndërkombëtar”, ka thënë fillimisht Mehmeti.

Ai është i mendimit se me një ndryshim eventual, Serbia dhe tezat e saja do të përfitonin, gjersa, thekson se nëse vërtet kryeministri Hoti ka bërë një propozim të tillë, ky i fundit sipas analisti, duhet të jap edhe dorëheqje të menjëhershme.

“Me këtë do të përfitonte Serbia, dhe tezat e saj se Ujmani nuk është liqen i Kosovës. Veç një kryeministër i mjerë mund të bëjë një propozim të tillë. Nëse vërtet Hoti ka bërë një propozim të tillë duhet të jap dorëheqje, një kryeministër i mjerë dhe servil nuk i duhet vendit”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Kadriaj: Emërtimi Trump, krijon një siguri për liqenin e kontestuar

Image
Mustafë Kadriaj

Kurse, nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, konsideron se Kosova edhe me tej nuk është në gjendje të vendos për vetën e saj.

Ai deklaron ky emërtim përkundër që mund të jetë si një ide brilante, në një të ardhme të afërt mund të konsideron edhe si tradhti kombëtare për vendin.

“Në këtë kohë kur kemi turbullira politike në nivel të brendshëm dhe të jashtëm dhe njëherit probleme ekonomike është sfiduese të ketë një qëndrim për faktin që ne si shtet nuk po vendosim ende për vetën tonë, e them këtë për faktin që sa do që mund të ishte një ide brilante për situatën momentale në të ardhmen mund të gjykohet e padrejtë, deri në tradhti kombëtare”, tha eksperti i ekonomisë në vend, Mustafë Kadriaj.

Ai me tej ka japë parashikimin e tij se pse ideja e kryeministrit Hoti nuk ka asgjë të keqë. Njëra prej këtyre, përmend sigurinë që na krijon një gjë e tillë.

“Ideja nga kryeministri Hoti që liqeni i Ujmanit t’i vendoset mbiemri i presidentit Trump në parim nuk ka asgjë të keqe për dy arsye. Së pari presidenti Trump ishte nikoqiri dhe nënshkruesi i një marrëveshje që për ne si Kosovë krijon siguri përkundër pakënaqësive që mund t’i kemi por në raport me marrëveshjet paraprake ku Bashkimi Evropian ishte ndërmjetësues nuk janë zbatuar pothuajse fare nga pala serbe dhe arsye e dytë vendosja e mbiemrit Trump krijon një siguri për liqenin e kontestuar”, ka thënë njohësi i ekonomisë.

Krejt në fund, Kadriaj shpjegon se mbiemri Trump në ekonomi tingëllon ndërrim malli, përderisa eksperti edhe paraqet një dozë frike rreth kësaj çështje.

“Por nëse do donim të relaksonim këtë ide të kryeministrit Avdullaj Hoti duhet t’i kujtojmë kryeministrit se mbiemri Trump në ekonomi tingëllon ndërrim malli. Kam frik që po bëhet liqeni Ujmanit pasuri për ndërrim apo Trump, që në këtë rast do ishte humbje për ne si shtet.

Kujtojmë se propozimin e Grenellit për këtë emërim e ka përkrahur edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat