“Dëshmia e Znaçkës”, vjen deklarata tronditëse – zbardhen arsyet pse shokët e luftës dëshmuan në Speciale për njëri-tjetrin

Politika

“Dëshmia e Znaçkës”, vjen deklarata tronditëse – zbardhen arsyet pse shokët e luftës dëshmuan në Speciale për njëri-tjetrin

Nga: P.R Më: 28 shtator 2020 Në ora: 18:44
Selia e Gjykatës Speciale, foto ilustrim nga "Bota sot"

Avokati Tomë Gashi ka publikuar sot një dokument, që sipas tij është dëshmia e ish-deputetit dhe gazetarit Milaim Zeka në rastin Drenica.

Gashi e ka akuzuar Zekën, të cilin ai e quan “Znaçka”, se para gjyqtarëve të EULEX-it ka dëshmuar kundër UÇK-së.

Sipas Gashit, “Znaçka” ka deklaruar në EULEX se UÇK-ja ka pasur shumë kampe ndalimi.

“Znaqka deklaron në gjykatë se ka pas shumë kampe te UÇK-së, se ka informata kush do te akuzohet nga Gjykata Speciale, duke filluar nga Hashim Thaçi, kryeparlamentari ( Kadri Veseli), dhe per qudi të gjitha deshirat po i realizohen. Tani prokurori i Eulexit bindet se paska pas shume kampe te UÇK-së. Milaim Zeka, e njofton prokurorin e Eulexit se nga Salustro, ato ishin (kampe te UÇK-se), Likovci, Klecka, dhe sipas tij edhe Dukagjini. Znaqka vazhdon të flas për kampet e UÇK-së, sipas tij ne Dukagjin, nëLlap, ishte edhe një kamp edhe në Kukës në Shqipëri dhe tjera që nuk i kujtohen…e për qudi implikon edhe Shqipërinë pa e pyetur askush !”, ka shkruar Gashi.

E lidhur me këtë përplasje, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri.

Sipas Hazirit, nëpër Gjykata kanë deponuar dëshmi shokët për njëri-tjetrin.

Image
Nexhat Haziri

“Nuk më habit fare ky veprim i avokatit Tomë Gashi me publikimin e dëshmisë së Milaim Zekës nga koha e UNMIK-ut kundër UÇK-së që tashmë është marrë për bazë edhe nga Gjykata Speciale, për faktin se edhe në rastin e Ramush Haradinajt në Hagë, të Fatmir Limajt në Hagë dhe në proceset gjyqësore këtu në Kosovë, edhe në rastet e Sami Lushtakut, është thënë e dyshuar se një pjesë e dëshmive janë bërë nga vet shokët e tyre të luftës”, thotë Haziri për “Bota sot”.

“Pra një praktikë e tillë ka qenë edhe në kohën e proceseve gjyqësore të udhëhequra nga UNMIK-ut edhe në proceset gjyqësore të udhëhequra nga EULEX-I, kur ish-komandantët kanë dëshmuar kundër-njeri-tjetrit apo edhe përmes njerëzve të dytë të cilët i kanë përgatitur si lloj “bedelësh””, shprehet më tej Haziri.

Më tej, ai thotë se këto dëshmi janë përdorur për ta eliminuar njëri-tjetrin nga skena politike.

“Kjo tregon se ish-shokët e luftës, këto dëshmi dhe këto procese gjyqësore i kanë shfrytëzuar si mjete për ta eliminuar njeri-tjetrin nga skena politike, dhe për t’i mënjanuar nga ndarja e fitimeve nga krimi i organizuar, uzurpimet, korrupsioni dhe formave të tjera përmes së cilave për këto dy dekada kanë mbizotëruar skenën politike dhe ekonomike të vendit”, deklaron Haziri.

Njëjtë si në rastet tjera, sipas Hazirit ka ndodhur edhe në Gjykatën Speciale, ku shokët kanë dëshmuar kundër njëri-tjetrit.

“Andaj edhe më rastin e Gjykatës Speciale është normale që janë përdorur këto metoda, ku ish-shokët e luftës të kenë dëshmuar kundër njeri-tjetrit dhe kjo shpërfaqë edhe hipokrizinë e tyre se këta shkojnë në Hagë për ta mbrojtur UCK-në, e në fakt aty kanë shkuar dhe kanë dëshmuar kundër njeri-tjetrit në tentim që se cili të mundohet për ta shpëtuar lëkurën e vet”.

Ai përmend edhe rastin e Rexhep Selimit.

“Nuk është e kotë dhe e pabazë akuzat e vëllezërve Haradinaj drejtuar Rexhep Selimit se ky I fundit ka “kënduar” në Hagë. Por, si duket se cili nga këta ka “kënduar” jo marshin e UÇK-së, por të bëmat e njeri-tjetrit. Andaj për mua nuk është asgjë interesante, pasi edhe Gjykata Speciale, mund te jetë një nga arenat, mbase edhe të fundit ku ish-shokët e luftës, komandantët kryesor të UÇK-së, ta shfrytëzojnë për t’i mbyllur llogaritë me njeri-tjetrin”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat