Nuk është mëkat që Mustafa heq vijat e kuqe ndaj PDK-së, analisti tregon pse po e bën këtë LDK

Politika

Nuk është mëkat që Mustafa heq vijat e kuqe ndaj PDK-së, analisti tregon pse po e bën këtë LDK

Nga: G.B Më: 28 shtator 2020 Në ora: 23:45
Isa Mustafa dhe Kadri Veseli

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se partia e tij ka hequr vijat e kuqe ndaj PDK-së.

Lidhur me këtë, analisti politik, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën "Bota sot" se Mustafa ka qenë i rrëzuari nga PDK, që ia mori votat për president dhe më pas e rrëzoi.

"Kreu i LDK ka deklaruar se LDK heq vijat e kuqe ndaluese ndaj bashkëpunimit me PDK-në. Vet Isa Mustafa ka qenë i ndëshkuari apo i rrëzuari i madh prej PDK-së, ose ai që ka ngrënë "thikën pas shpine" prej PDK e cila sapo ia mori votat për presidentin e rrëzoi Isa Mustafën. Pabesia politike e PDK-së nuk do të thotë që politika qëndron statike në ato fronte lufte të qëndrueshme dhe nuk bëhet dinamike, nuk bëhet politike. Pra si jeta dhe politika ecën, zhvillohet, sot mirë e nesër keq ose sot keq e nesër mirë. Nuk mendohet se pozicionet apo aleancat politike janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, ato janë të paqëndrueshme dhe janë stinore, sipas mandateve politike që kanë partitë", është shprehur ai.

Image
Rexhep Shahu

Sipas Shahut, PDK është parti e madhe dhe nuk do të thotë që gjithë anëtarësia e saj janë për tu ndëshkuar, gjykuar apo dënuar nga Gjykata Speciale, duke shtuar se LDK bashkëpunoi mirë me të derisa PDK i bëri tradhti .

"PDK është parti e madhe në Kosovë, është realitet dhe PDK nuk do të thotë që gjithë anëtarësia e saj janë për tu ndëshkuar, gjykuar apo dënuar nga Gjykata Speciale. Njerëzit që janë në PDK njihen si kontributorë në lëvizjen për liri e çlirim të Kosovës por jo pronarë të lirisë së Kosovës. LDK ka bashkëpunuar mirë me PDK derisa PDK bëri tregti e pazar e tradhti ndaj LDK", ka vlerësuar Shahu.

Ai shton se LDK është parti që beson, bashkëpunoi edhe me VV-në por u tërhoq dhe të gjithë ata që ia ngulin thikën pas shpine, e paguajnë.

"Por LDK është parti që beson, ajo bashkëpunoi edhe me VV por dhe u tërhoq. Pra LDK bën politikë, bën marrëveshje politike dhe ata që ia fusin "thikën pas shpine" LDK e paguajnë në një mënyrë a një tjetër, pasi në thelb LDK është partia e besimit dhe sigurisë për qytetarin e Kosovës dhe këtë hipotekë nuk ia mori dot askush LDK në asnjë kohë", ka shtuar Rexhep Shahu.

Sipas tij, nuk është mëkat që Mustafa i heq vijat e kuqe nga PDK e bashkëpunon me të e kjo nuk do të thotë që LDK ka frikë zgjedhjet, por këtë e bën për stabilitet pasi nuk bëhen zgjedhjet stinë për stinë.

"Ndaj nuk është mëkat sot nëse Isa Mustafa i goditur nga PDK, të bëjë politikë sërish e të heqë vijat e kuqe e të bashkëpunojë me PDK. Ka nevojë vendi për qëndrueshmëri. Kjo nuk do të thotë se LDK ka frikë zgjedhjet, unë nuk besoj se ka frikë zgjedhjet pasi ajo hisen e vet e merr në çdo kohë, por nuk është stabilitet për vendin të bëhen zgjedhje stinë për stinë", ka deklaruar Shahu për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat