Avdullah Hoti nuk është borxhli ndaj Thaçit e Veselit – a do ta kundërshtoj koalicionin me PDK-në?

Politika

Avdullah Hoti nuk është borxhli ndaj Thaçit e Veselit – a do ta kundërshtoj koalicionin me PDK-në?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 30 shtator 2020 Në ora: 08:39
Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti

Ditë më parë i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ka larguar vijat e kuqe ndaj PDK-së për shkak të vështirësive për të bërë zgjidhje, ndonëse nuk është biseduar për një qeveri gjithëpërfshirëse.

“Meqenëse nuk kemi biseduar nuk mund të them pranohet apo jo, por ajo çka unë kam thënë publikisht, është se vijat e kuqe ne të cilat i kemi vënë përpara ato vija të kuqe tani duhet t’i heqim edhe në situatën e tanishme”, ka thënë Mustafa kur është pyetur për një koalicion me PDK-në.

Ndërsa në lidhje me këtë deklaratë të Mustafës është deklaruar edhe kryeministri i vendit, Avdullah Hoti i cili tha se koalicioni qeverisës është stabil dhe se nuk ka nevojë për kombinime të tjera në ekzekutiv.

Përveç Hotit pa u deklaruar nuk mbeti as kreu i PDK-së, Kadri Veseli u cili u shpreh që nuk kemi pse të kemi vija të kuqe ndaj askujt se këto pozicione mund vetëm të i zhgënjejnë qytetarët.

“Unë nuk di pozicionin e tjerëve. Por shpesh herë në politik kam thënë që “të mos ketë vija të kuqe” e pastaj t’i zhgënjejmë qytetarët me fjalë pa mend. Nuk i takojmë një kontingjenti të tillë. Mendoj se edhe fitorja në zgjedhje duhet të jetë e ndershme para qytetarëve. Unë s’kam bërë vija të kuqe dhe asnjëherë mendoj se s’është mirë të ketë vija të kuqe”, tha Veseli.

Duhet shtuar që gjatë ditës së marte është dorëzuar deputeti i Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, duke u përfolur se a do të vlejë a po jo vota e Arifit pasi që vota e tij ishte 61-ta.

Por, pavarësisht pretendimeve të partive politike opozitare, nga IKD-ja, u shprehën që ka shumë deputetë që kanë raste të njëjta por vota e tyre nuk kontestohet.

“Ka shumë deputetë të cilët kanë raste të njëjta dhe vota e tyre nuk kontestohet, për arsye se pasojat juridike pas ekzekutimit të aktvendimit të gjykatës nuk ka”, tha Miftaraj.

Qarri: Hoti nuk ka marrë pozitën e kryeministrit për të plotësuar dëshirat e Mustafës e as Thaçit

Analisti politik, Gani Qarri i kontaktuar nga “Bota sot”, u shpreh Mustafa mund të ketë ende llogari të pasqaruara me Thaçin dhe Veselin mirëpo që Hoti nuk ka për këtë arsye ai nuk do i bindet urdhrave të Mustafës.

Sipas Qarrit qeveria është duke funksionuar dhe nuk ka nevojë për reformim.

Image
Gani Qarri

“Përderisa Isa Mustafa mund të ketë ende llogari të pa sqaruara deri në fund me Hashim Thaçin e Kadri Veselin të cilët duket se ia kanë zënë bishtin për diçka apo ndoshta edhe për shumë çka, tani për tani të panjohura për opinionin, Avdullah Hoti është kuadër i ri i cili nuk u ka shërbyer edhe regjimeve të vjetra jugosllavo-komuniste ndaj dhe nuk ndjehet borxhli për asgjë ndaj Thaçit, Veselit as PDK-së. Nisur nga ky fakt, kryeministri aktual, ka plotësisht të drejtë në prononcimin e tij, kur thotë se Qeveria është duke funksionuar dhe nuk ka nevojë për reformim. Madje megjithëse z. Hoti udhëheqë një Qeveri me koalicion minor dhe tejet të brishtë, ai po dëshmon se nuk është i gatshëm të qëndrojë edhe më tej, nën hijen e Isa Mustafës, as t`ia dorëzoi postin e kryeministrit, PDK-s, edhe nëse ajo është marrë vesh me Isa Mustafën që si kusht për hyrje në qeveri, të marrë për vete postin e kryeministrit”, u shpreh Qarri.

Më tej, Qarri thotë që nuk mund të jetë rrezik për koalicionin qeverisës këto deklarata pasiqë Hoti ka pozitën të cilën e ushtron në të mirën e vendit dhe jo për dëshirat e Mustafës e Thaçit dhe se Hoti nuk e ka ndërmend të ia jep postin kreut të PDK-së.

“Megjithëse ditë më parë shefi i tij në parti, Isa Mustafa në një intervistë deklaroi se i kanë hequr vijat e kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës, përgjigja e Avdullah Hotit vërteton se vijat e kuqe mund ti ketë hequr vetëm Isa Mustafa por jo edhe Avdullah Hoti, i cili nga pozita e kryeministrit të Kosovës, nuk është i gatshëm që postin e të parit të Qeverisë t`ia dhuroi PDK-s, as për hir të Isa Mustafës. Ndaj kryeministri deklaroi me arsye, se aktualisht koalicioni qeverisës është stabil dhe nuk ka nevojë për kombinime të tjera në ekzekutiv, pasi që kombinimi i mundshëm me të cilin, prapa shpinës së kryeministrit, mund të jenë dakorduar Isa Mustafa e Kadri Veseli, nënkupton kompromise në dobi të PDK-s, deri në krye të Qeverisë dhe mënjanimin e Hotit nga pozita e kryeministrit, për ti dhënë atij vetëm postin e ministrit të ekonomisë apo ndonjë resori tjetër, gjë që , jo vetëm për Hotin, por për gjithë Kosovën,para se të ndodhë ky kombinim, do të ishte shumë më mirë të shkohet në zgjedhje të reja. Hoti nuk ka marrë pozitën e kryeministrit për të plotësuar dëshirat e Isa Mustafës e as të Hashim Thaçit, por për të udhëhequr me vendin, ndaj kundërshtimet mes Hotit dhe Mustafës, nuk i shohë si rrezik për prishjen e koalicionit aktual qeverisës, nëse edhe AAK dhe NISMA nuk janë dakorduar paraprakisht me Isa Mustafën, pa dijen e Avdullah Hotit, që me Qeverinë të udhëheqë PDK, gjë që mund të konsiderohet me shumë rëndësi nga këto parti, në stuhinë e sapofilluar të Gjykatës Speciale, nga e cila PDK-AAK dhe NISMA, aktualisht janë më të prekurat”, tha Qarri.

Mehazi: Qeveria e Hotit do rrezikohet nga vet kryetari i LDK-së Mustafa

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që këto deklarata të cilat u lëshuan nga Hoti dhe Mustafa na lënë të kuptojmë që qeveria Hoti është e brishtë dhe mund të rrezikohet nga vet kryetari i LDK-së, Mustafa e më pak nga Veseli.

Image
Sulejman Mehazi

“Se sa joserioze dhe e brishtë është qeveria e Hotit na tregoi Isa Mustafa i cili deklaroi se vijat e kuqe në mes LDK-së e PDK-së do hiqen e se me anë të vijave tejkaluese të dy partitë, LDK e PDK do formohet qeveria e re që do jetë e pakëndshme për kryeministrin në detyrë Hotin, deklaratat kundërshtuese të Mustafës dhe Hotin na detyrojnë të mendojmë se qeveria e Hotit do rrezikohet nga vet kryetari i LDK-se Mustafa e më pak nga Veseli”, tha Mehazi.

Tutje, Mehazi thotë që qëllimi i Mustafës për të i larguar vijat e kuqe me PDK-në është që të i ikin Gjykatës Speciale.

“Hoti për të ruajtur pozitën e kryeministrit mundohet të arsyetojë punën e ti se qeveria e tij është stabile e në anën tjetër me largimi i vijës së kuqe me PDK-në Mustafa lë mënjanë Hotin për t'iu afruar PDK-së. Qëllimi i largimit te vijës së kuqe i Mustafës me Veselin s'bëhet për diçka tjetër, pos për t'i ikur Gjykatës Speciale e cila po ndjek në mënyrë zinxhirore elitën e korruptuar politike në Kosovë, Tani më Mustafës si intereson Hoti, po shpëtimi i vetvetes së bashku me grupin e korruptuar të LDK-së nga Gjykata Speciale”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat