Heqja e vijave të kuqe ndaj PDK-së, ‘zbulohet’ arsyeja – analisti paralajmëron se LDK do të dalë fituese

Politika

Heqja e vijave të kuqe ndaj PDK-së, ‘zbulohet’ arsyeja – analisti paralajmëron se LDK do të dalë fituese

Nga: G.B Më: 30 shtator 2020 Në ora: 11:08
Isa Mustafa

Heqja e vijave të kuqe ndaj PDK-në nga ana e Isa Mustafës së fundmi është komentuar mjaft.

Prej kohësh është përfolur për futjen e PDK-së në Qeveri por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

E tani shanset janë rritur me deklaratën e liderit të LDK-së, se nuk ka vija të kuqe ndaj partisë së Kadri Veselit.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se vijat e kuqe janë lojë e politikanëve por që publiku nuk e kupton.

“Vijat e kuqe janë lojë politike e politikanëve që e dinë se në politikë 2 + 2 kurrë nuk bëjnë 4! Mirëpo, këtë art nuk e kupton publiku ynë i politizuar, prandaj i jep siklet muhabeteve të këmbëkryqit të odave të kohës së baba Ali Bungut, duke treguar gabimet e zyrtarëve më të lartë të politikës aktuale, të cilët fyhen e shahen dhe etiketohen me gjithfarë epitetesh nga injoranca më e ulët e vendit, e deri tek injorantët më të lartë mediatik, që sypatrembur shfryjnë shterpësinë e tyre intelektuale nëpër tryezat dhe debatet TV, më dobët se shitësit e qepëve në tregun Fushë Kosovës”, ka thënë ai.

Image
Skënder Zogaj

Sipas Zogajt, të tillët janë tronditur së fundmi me deklaratën e Mustafës për heqjen e vijave të kuqe ndaj PDK-së, por ai thotë se për këtë nuk i kupton anti LDK-istët pse janë pezmatuar për një veprim të zakonshëm politik.

“Të këtillët këto ditë janë shumë të tronditur që lideri politik i LDK-së Isa Mustafa, ka deklaruar heqjen e "vijave të kuqe" ndaj PDK! Unë mund të kuptoj një pjesë entuziastë të anëtarësisë së LDK-së që mund të jetë shqetësuar nga frika se heqja e vijave të kuqe mund ta forcojë PDK-në, mirëpo, nuk po mund t'i kuptoj anti-LDK-istët, pse janë shumë të pezmatuar për një veprim krejtësisht të zakonshëm politik, krejtësisht të thjeshtë për lojën e lidershipit partiake, në një shoqëri që pretendon të jetë demokratike”, është shprehur Zogaj.

Ai vlerëson se Mustafa po i heq vijat e kuqe sepse mendon se është në interes të partisë, ndërsa arsyeja sipas tij është se janë bërë llogaritë dhe se LDK do të dalë përfitim nga kjo, nëse PDK hynë në qeveri, ajo nuk rrëzohet.

“Pra, Isa Mustafa i ka vendos vijat e kuqe kur ka menduar se vendosja është me interes për partinë e tij dhe, tash po i heq, sepse, po mendon se është mirë të hiqen për interesin e partisë së tij! Kjo nuk ka asnjë fije dyshimi! Sa i përket arsyes së heqjes, padyshim që është bërë llogaria, dhe rezultati duhet të këtë dalë përfitues për LDK-në! Domosdo që për të marr diçka, duhet dhënë diçka! Këtu hesapi është krejtësisht i qartë: nëse PDK-ja hyn në koalicion, kjo nënkupton se Qeveria aktuale nuk rrëzohet dhe, ky është lajmi i keq për të gjithë ata që duan ta rrëzojnë. Se çfarë do të ndodh, nuk varet vetëm nga heqja e vijave të kuqe, sepse, më të rrezikshme se të kuqet, në politikë janë vijat e zeza”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat