Gucati e Haradinaj në Speciale, vjen paralajmërimi i profesorit: Arrestimet e ish-komandantëve nuk do të ndalen – përmend edhe spiunimin

Politika

Gucati e Haradinaj në Speciale, vjen paralajmërimi i profesorit: Arrestimet e ish-komandantëve nuk do të ndalen – përmend edhe spiunimin

Nga: N. H Më: 30 shtator 2020 Në ora: 13:11
Pamje nga arrestimi i Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

Dita e premte e javës së kaluar ishte e pazakonshme për Organizatën e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK), pasi që në zyrat e tyre ishin dhjetëra hetues të Gjykatës Speciale për të kryer bastisje që u pasuan me arrestimet e dy krerëve të këtij institucioni.

Fillimisht në orët e para të pasdites u arrestua kreu i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati brenda zyrave të institucionit, gjersa më vonë pasojë edhe arrestimi i nënkryetarit të kësaj organizate.

Paraqitjen para trupit gjykues fillimisht e pati Nasim Haradinaj. Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, doli të martën për herë të parë nën dyshimet për pengim të drejtësisë, teksa mbrojtja e tij kërkoi lirimin e tij.

Gjatë paraqitjes së tij, Haradinaj përsëriti qëndrimin se nuk i njeh Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale.

Lidhur me arrestimet e fundit nga Specialja, për gazetën “Bota sot”, ka folur profesori dhe njohësi i zhvillimeve në vend.

Profesor Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim ka komentuar arrestimet e para të Speciales, duke thënë se këto arrestime të ish-komandantëve të UÇK-së tregojnë se veprimet e këqija e kriminele një ditë do të dalin në sipërfaqe.

Image
Profesor Sulejman Mehazi

“Zotërinjtë politikanë të Kosovës pa menduar fare rolin e Gjykatës Speciale e propozuan dhe e votuan në parlament dhe tani kur belaja dhe e keqja ju vjen prej kësaj Gjykate, ish-komandantët e UÇK-së thonë se çfarë u bë me ne. Arrestimet e ish-komandantëve të UÇK-së tregojnë se veprimet e këqija e kriminele herdo-kurdo dalin në sipërfaqe dhe se veprimet e shëmtuara mund të vonohen, por nuk harrohen”, shprehet fillimisht Mehazi.

Sipas tij, një shtet juridik ku mbizotëron ligji, funksionon në këtë mënyrë, dhe sipas tij, pa të tilla arrestimesh nuk bëhet gjë.

Ai madje paralajmëron se tashmë procesi i arrestimeve do tw zgjatë deri në burgosjen e personit të fundit të politikanëve e ish-komandantëve të UÇK-së.

Kurse, deklaron se të arrestuarit për të shpëtuar vetën do të spiunojnë për njëri-tjetrin.

“Nëse kërkojmë e duam shtet juridik, të funksionojë përgjegjësia e ligjeve atëherë kështu duhet vepruar, pa këto “spektakle” arrestimesh nuk bëhet gjë, përkundrazi do të lulëzonte, zhvillohej e ushqehej krimi i organizuar i elitës politike në Kosovë. Si po vërehet arrestimet çdo ditë po shtohen në mënyrë zinxhirore, të arrestuarit për të shpëtuar intervistojnë apo spiunojnë për njëri-tjetrin sa që ky proces i arrestimeve do zgjatë deri në burgosjen e personit të fundit të politikanëve e ish-komandantëve të UÇK-së”, thekson ai.

“Pa marrë parasysh se a na vjen keq apo jo, por drejtësia është më e madhe sesa përkrahja jonë ndaj politikanëve e ish-komandantëve të UÇK-së. Kosova vetëm me forcën e drejtësisë mund të behet shtet serioz e i autoritetshëm para qytetareve të vet e para botës së përparuar”, tha në fund profesor Sulejman Mehazi.

Kujtojmë se Dhomat e Specializuara njoftuan se kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati do të bëjë paraqitjen e parë para këtyre dhomave më 1 tetor, pra që i bie ditën e nesërme.

Paraqitja e parë do të jetë në formë të seancës publike dhe mund të përcillet edhe përmes video-linkut, thanë Dhomat e Specializuara.

Gucati u arrestua më 25 shtator nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, nën dyshimet për pengim të drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat