Zhbërja e Speciales e pamundur, analisti: Ja çka duhet të bëjë shoqëria në Kosovë

Politika

Zhbërja e Speciales e pamundur, analisti: Ja çka duhet të bëjë shoqëria në Kosovë

Nga: A.SH Më: 30 shtator 2020 Në ora: 22:43
Gjykata Speciale

Gjykata Speciale tashmë ka nisur arrestimet në Kosovë. Të arrestuar ishin krerët e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Mirëpo për Gjykatë më herët kishte pasur edhe përpjekje për zhbërje, por pa sukses.

Anaisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar këtë situatë duke thënë se, me vet themelimin e kësaj Gjykate, faji është tek politika, duke shtuar se nga institucionet e Kosovës duhet të kërkohej, që Gjykata t'i trajtojë siç duhet të akuzuarit e saj e assesi të mos luajë ndjekje shtrigash me qytetarët e vendit tonë.

“Pse erdh puna që të themelohet Gjykata Speciale natyrisht që duhet ta kërkojmë fajin tel politika dhe institucionet tona të cilat dështuan në adresimin e çështjeve të drejtësisë në përgjithësi. Kur flasim për themelimin e kësaj Gjykate, duhet patur parasysh një fakt. Se Kosova nuk kishte alternativë tjetër pos themelimit të saj, sepse do të formohej edhe pa e pyetur Kosovën. Ajo çfarë do të duhej atëherë të kërkohej dhe që do të duhet edhe tani nga institucionet e Kosovës, që Gjykata t'i trajtojë siç duhet të akuzuarit e saj e assesi të mos luajë ndjekje shtrigash me qytetarët e vendit tonë, sepse edhe për çdo të akuzuar para drejtësisë, duhet të prezumohet pafajësia e tij, deri në ndonjë vendim gjyqësor. Pafajësi, të cilën ne si shoqëri besojmë që e kemi”, shprehet Duhanaj.

Sipas tij, nga kjo Gjykatë duhet të kërkohet të gjykohen të gjitha krimet e bëra në Kosovë, e assesi ajo të koncentrohet në kërkim të krimit vetëm nga pala shqiptare.

“Në anën tjetër Gjykata duhet të merret me lëndët të cilat ka autorizime, e assesi të arrestojë secilin që i del në rrugë dhe ta dergoj në Hagë, siç e bëri me krerët e OVL-UÇK-së. Ajo çfarë do të duhej të kërkohej nga institucionet do të ishte se kjo Gjykatë t'i trajtojë të gjitha krimet e bëra në Kosovë, e assesi të koncentrohet në kërkim të krimit vetëm nga pala shqiptare, pra nga viktima. Sot bota po flet vetëm për "krime" të UÇK-së ku trajtohen raste tashme të gjykuara në të cilat flitet për keqtrajtim, por nuk flitet për 400 masakra ç'njerëzore që u kryen nga aparatura serbe”, thotë më tej Duhanaj.

Image
Leon Duhanaj

Më tej ai shton se, Kosova nuk ka asnjë mundësi ta defaktorizojë këtë Gjykatë, pra është e pamundur sepse tashmë është kategori kushtetuese dhe kërkohen procedura të cilat vështirë mund të arrihen.

“Për mendimin tim, Kosova nuk ka asnjë mundësi ta defaktorizojë këtë Gjykatë, sepse tashme është kategori kushtetuese dhe kërkohen procedura të cilat janë vështirë të arrihen, pa e llogaritur kundërshtimin ndërkombëtar i cili kishte me qenë i papërballueshëm. Pra, zhbërja e Gjykatës Speciale, për mendimin tim është e pamundur. Ajo çfarë do të duhej të bënim si shoqëri, të kërkojmë drejtësi për viktimat tona, të akuzojmë shtetin serb, e posaqërisht kishën serbe për gjenocid, përkatësisht nxitje të tij. Kosova nuk guxon të dalë para botës si kundërshtare e drejtësisë, sepse s'kemi çfarë të fshehim. Por, duhet të kërkojmë drejtësi të cilën Gjykata për krime lufte e Hagës, ka dështuar ta sjellë”, përfundon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat