Terroristi Jeton Lleshi bashkë me Rexhep Selimin, Mazrekaj: Tregona Rexhë, çfarë informacione ke për atentatin ndaj gazetës “Bota sot”?

Politika

Terroristi Jeton Lleshi bashkë me Rexhep Selimin, Mazrekaj: Tregona Rexhë, çfarë informacione ke për atentatin ndaj gazetës “Bota sot”?

Nga: N.Sh Më: 1 tetor 2020 Në ora: 10:44
Rexhep Selimi dhe Jeton Lleshi gjatë një tubimi të Lëvizjes Vetëvendosje në Zvicër

Jeton Lleshit i dënuar për sulmin terrorist ndaj gazetës “Bota sot”, i është publikuar një fotografi me Rexhep Selimin.

Pronari i gazetës “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj i cili e ka publikuar këtë fotografi, ka pyet Rexhep Selimin se çfarë informacione mund të jep ai për terroristin Jeton Lleshi.

“Çfarë informacione do të mund të jepte Rexhep Selimi, për terroristin në foto, i cili tentoi të bëjë atentat në zyrat e Botës Sot, dhe familjen Mazrekaj?

Vazhdon...”, shkruan Mazrekaj në Facebook, derisa lë si opsion publikimin e fotografive të tjera të Jeton Lleshit me krerët politik në Kosovë.

Kjo foto e Rexhep Selimit sipas informatave të gazetës “Bota sot” është realizuar në Zvicër.

Selimi: Nuk e njoh Jeton Lleshin!

Ndërsa Selimi në një përgjigje të shkurtër ka thënë se nuk e njeh personin që është afër tij në fotografi, e as nuk po e kupton kontestin e pyetjet që ia ka parashtruar publikisht Xhevdet Mazrekaj.

“E pash postimin tënd. E pash edhe personin që ishte afër meje në foto. Emrin nuk ia di edhe pse po me duket fytyrë e njohur. Për dijeni, nga afishja që unë mbaj në dorë, fotoja qenka e fushatës 2010. Vendin nuk po e kuptoj. Poashtu nuk po e kuptoj as kontestin qe ju paskeni referuar...”, është përgjigjur Rexhep Selimi.

Rexhep Selimi ka qenë ministër Punëve të Brendshme të Kosovës, për atë edhe e kemi pyetur se a ka informacione për rastin në fjalë.

Jeton Lleshi, është dënuar me 10 vjet burgim pasi kishte planifikuar dhe organizuar mirë një sulm terrorist ndaj gazetës kombëtare “Bota sot”.

Lleshi kishte dërguar një granatë ruse në adresën e gazetës “Bota sot”, në selinë qendrore të saj në Cyrih të Zvicrës në vitin 2002.

Jeton Lleshi në vitin 2017 është dënuar me 10 vite burg për veprën e tij terroriste që për qëllim kishte vdekjen e dhjetëra personave dhe shuarjen e gazetës “Bota sot”.

Për Jeton Lleshin kanë shkruar edhe mediat e huaja, kurse në Kosovë nuk kanë reaguar asnjë medium.

Reagime për rastin nuk kanë bërë as politikanët e Kosovës, edhe pse me Lleshin kanë pasur disa fotografi.

Lleshi ishte anëtar i AAK-së në kohën kur është arrestuar.

Gazeta “Bota sot”, ka qenë shënjestër e grupeve mafioze të politikës dhe grupeve tjera të cilat kanë ditur edhe të vrasin gazetarët.

Por, kjo asnjëherë nuk i ka trembur gazetarët tjerë të cilët për vite me radhë janë pjesë e kësaj gazetës.

Si e dërgoi pakon bombë në redaksinë e gazetës “Bota sot”

Image
Bomba se si ishte përgatitur nga Jeton Lleshi

Pakoja ishte e maskuar në formë dhurate brenda së cilës, përveç një shisheje me verë kishte edhe një granatë.

Në vitin 2002, një dërgues i panjohur dërgoi një shishe verë “Chamonix 1998 Chenin blanc” në redaksinë e gazetës “Bota sot” në Cyrih të Zvicrës. Por, paketa përmbante një shishe verë, si dhe një granatë dore ruse, e cila mund të shpërthente në momentin e hapjes së pakos.

Pakoja nuk u hap në fillim, pasi drejtuesi i gazetës kishte dyshime, ndërsa vëllai i tij e hapi në anën e kundërt dhe zbuloi se brenda pakos ndodhej objekti i dyshuar. Motra e tyre ishte gjithashtu e pranishme, ajo menjëherë kishte lajmëruar policinë.

Një specialist erdhi, dhe çdo gjë u qartësua: Objekti i dyshuar ishte një granatë dore, unaza e shkyçjes ishte lidhur me tela dhe grepa me kapakun e paketimit të jashtëm. Sikur dikush të hapte paketën në mënyrën se si hapen dhuratat, granata e dorës do të kishte shpërthyer.

Si u zbulua ngjarja nga Policia zvicerane

Image
Jeton Lleshi

Rasti mbeti i pazgjidhur prej vitesh, derisa në dhjetor të vitit 2016 policia e Cyrihut, u lajmërua për një grindje në një sallë ahengjesh.

Pjesëmarrësit u ndoqën për trafikim, u morën mostrat e ADN-së dhe shqyrtimi i tyre zbuloi një rast tjetër: ADN-ja e një prej shqiptarëve etnikë dhe qytetarëve të dyfishtë zviceranë që merrnin pjesë në grindje ishte në përputhje me mostrën e pakos bombë që ishte dërguar shumë vite më parë.

Në shtator të vitit 2017, Gjykata Federale Penale në Bellinzona dënoi dërguesin e pakos bombë me dhjetë vjet burg, për vrasje të shumëfishtë në tentativë dhe shkelje të shumta të ligjit mbi armët.

Gjykata gjithashtu shqiptoi një gjobë e dënimeve duke përfshirë edhe dëmshpërblimin.

Pas dënimit, ai u ankua në Gjykatën Federale duke kërkuar që dënimi i tij të hiqet, përkatësisht për të zvogëluar dënimin deri në tetë vjet.

Megjithatë, në një aktgjykim gjyqtarët e Lausanne e kanë refuzuar ankesën.

Pavarësisht ankesave të të dënuarit, Gjykata vendosi që të mos i përfillte ato, duke deklaruar se dënimi prej 10 vitesh ishte i duhuri.

Gjithashtu, është e qartë se kur dërgohet një bombë në formë dhurate, potencialisht do të ketë shumë viktima.

Në përgjithësi, Gjykata Supreme e Federatës, vjen në përfundimin se dënimet nën-shkallë, siç ishte rasti i Jeton Lleshit, janë në përputhje me ligjin federal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat