Trazimi i Mali i Zi: Nikolaidis thotë se po formohet Serbia e Madhe dhe Shqipëria Natyrale!

Politika

Trazimi i Mali i Zi: Nikolaidis thotë se po formohet Serbia e Madhe dhe Shqipëria Natyrale!

Nga: D.G. Më: 13 tetor 2020 Në ora: 10:25
Nga protestat pas zgjedhjeve në Mal të Zi

Mali i Zi është në trazira pas fitores së fundit në zgjedhjet e të opsioneve pro-serbe, të udhëhequra nga logjistika e klerikëve të KOS-it.

Në fakt, po formohet qeveria e re, për të cilën disa thonë se mund të ndryshojë në mënyrë drastike drejtimin e politikës dhe strategjisë malazeze dhe të vërë në dyshim mbijetesën e shtetit si i tillë dhe të çojë përsëri në "bashkimin e serbëve", ndërsa ndaj këtyre kërcënimeve kryetari Milo Gjukanoviq përmend pa mahi "daljen në mal". Mandatar është Zdravko Krivokapiq nga koalicioni "Për të ardhmen e Malit të Zi", i cili është nën drejtimin e drejtpërdrejtë të metropolitit të Malit të Zi Amfilohije, i cili është ndërmjetësi dhe modeluesi i qeverisë së re, megjithëse shumë varet nga udhëheqësi i koalicionit "Bardh e Zi" dhe URA e Dritan Abazoviqit.

Media është plot me grindje rreth përbërjes së qeverisë së re, veçanërisht nëse forca më radikale pro-ruse-pro-serbe, Fronti demokratik i Milan Knezheviqit dhe Andrija Mandiqit, të cilët u dënuan në gjyq si pjesëmarrës në grushtin e dështuar të shtetit në vjeshtë të vitit 2016, do të marrin departamentet më të ndjeshme si mbrojtja dhe policia. dhe shërbimet sekrete. Për momentin, çështja po zvarritet, kështu që mediat në Serbi dhe Mal të Zi, Abazoviqin, të cilin herë po e quajnë me dashuri "çetniku shqiptar", e herë po e sulmojnë se "po ua ngul thikën serbëve prapa  shpinës".

Shkrimtari malazes Andrej Nikolaidis  ka thënë gazetës kroate "Jutarnji list" se beson se konfliktet midis Frontit demokratik (FD) dhe Abazoviqit janë të rreme dhe se kjo është një lojë për elektoraet e tyre.

"Kjo lojë ndihmon FD-në të justifikohet për premtimet e dështuara parazgjedhore para elektoratit të tij, ndërsa Abazoviqi që të vazhdojë ta bindë elektoratin e tij se me dhjetë përqind të votave do të jetë ai që do të kontrollojë dhe ri-edukojë të djathtën ekstreme, FD-në nacional-klerikal. Sipas mendimit të tij, opsioni më i mirë do të ishte një qeveri pakice e URA-s, të demokratëve si parti kryesisht serbe që përpiqet të ndërtojë një imazh civil, PSD-së dhe partive kombëtare të boshnjakëve dhe shqiptarëve. PSD-ja e Gjukanoviqit menjëherë pas zgjedhjeve është pajtuar të mbështesë një qeveri të tillë. Të njëjtën gjë e tha edhe FD-ja. Kjo qeveri do të ishte jashtëzakonisht e qëndrueshme, përkatësisht e aftë të përshpejtojë integrimin evropian të Malit të Zi.

Nëse PSD-ja do të përpiqej ta rrëzonte atë qeveri, do të dështonte sepse ajo do të mbështetej nga FD-ja dhe anasjelltas. Ishte një opsion i qartë dhe i shkëlqyeshëm, por URA nuk e deshti atë. Në vend të kësaj, ata kanë vendosur të sjellin klero-nacionalistët në pushtet, në një qeveri në të cilën këta klero-nacionalistë do të kenë një dominim prej dy të tretave, thekson Nikolaidis. Në fakt, megjithëse kanë thënë se nuk do të kërkojnë të largoheshin nga NATO dhe të tërheqin njohjen e Kosovës, kjo është agjenda me të cilën forcat pro-serbe tërhoqën votuesit e tyre, kështu që shumë analistë besojnë se këto do të jenë në rend dite kur ata të forcojnë qeverinë, edhe pse është e gjitha në një deputet - raporti i forcave është 41-40.

Regjistrimi dhe bojkoti i tij

Pas ndryshimeve zgjedhore, tani këtë vend të vogël brenda pak muajsh e pret regjistrimi epokal i popullsisë si një ngjarje thelbësore që mund të përcaktojë fatin e Malit të Zi, të cilin disa e konsiderojnë një pikë nga e cila nuk ka kthim. Në fakt, ndërsa regjistrimi në secilin vend është vetëm pak a shumë mbledhje interesante statistikore e të dhënave të ndryshme për banorët, në Mal të Zi është një çështje thelbësore e mbijetesës dhe ekzistencës, përkatësisht  nga ajo "e lloj-llojshme", vetëm pjesa e fundit është e rëndësishme - "lloji". (në origjinal: "raznorodno" - "rodno").

Regjistrimi do të jetë në mes të vitit 2021, por tashmë po dëgjohen zëra ose për bojkot të regjistrimit, besueshmëria e të cilit tashmë ka filluar të vihet në dyshim, ose që ai të kryhet, ndoshta për herë të parë në histori, nën mbikëqyrjen dhe patronazhin ndërkombëtar. Nga ana tjetër, forcat që mbështeten në Kishën Ortodokse Serbe dhe koalicionet fituese në pushtet tashmë kanë filluar agjitacionin e tyre për të deklaruar popullsinë e Malit të Zi si serbë sa më shumë që të jetë e mundur, gjë që do të ndryshonte përbërjen e saj etnike dhe hapësirën e hapur për ndryshime të gjera politike dhe strategjike.

Partitë pro-serbe, Kisha Ortodokse Serbe dhe Serbia janë shumë të interesuara për regjistrimin e Malit të Zi, kështu që vetë Presidenti serb Aleksandar Vuçiq flet për të si "një nga çështjet më të rëndësishme të serbësisë", ndërsa udhëheqësit e programit të ri kombëtar të njohur si "bota serbe" flasin për nevojën që serbët të Mali i Zi të jenë së paku 40 përqind (ata pretendojnë se tashmë ka rreth 36 përqind), ndërsa malazezët do të ulen në një maksimum prej 30 përqind, gjë që do t'i bënte ata një pakicë në vendin e tyre (sipas regjistrimit të fundit, malazezët kanë 45 përqind dhe serbët diçka më shumë se 28 përqind).

Sipas shkrimtarit malazes Milorad Popoviq, kjo do të hapte mundësinë e ndryshimeve në Kushtetutë dhe simbolet shtetërore dhe kombëtare, të cilat do të mohonin unitetin dhe origjinalitetin e Malit të Zi. Partitë pro-serbe thonë se nuk është problem të arrihet ai numër magjik prej 40 përqind sepse, sipas mendimit të tyre, një pjesë e mirë e atyre që janë deklaruar si malazezë në të vërtetë kanë menduar se kjo është njësoj si të jesh serb. Kjo është arsyeja pse mesazhet "Nuk është më e njëjta - serbi është serb". Disa profetë të mbrapshtë parashikojnë që secila prej palëve të pakënaqura mund të kërkojë zgjidhje radikale, sepse humbja në regjistrim nënkupton gjithashtu humbjen e dominimit dhe kontrollit mbi Malin e Zi.

Piketat janë të larta. Serbia është në një nxitim dhe e sheh këtë si shansin e saj të fundit për realizimin e planeve memorandumiane, të menduara si të atrofuara të AShAK-ut e Slobodan Millosheviqit, siç mund të lexohet, Aleksandër Vuçiq tani, me ndihmën e Rusisë, "do të jetë Millosheviq më i suksesshëm". Propaganda tashmë ka filluar dhe pasionet janë ndezur - "Bëhu serb, jo milogorac". Tash e një kohë media serbe ka këmbëngulur në termin "Milogorac", që rrjedh nga emri i presidentit Milo Gjukanoviq, duke sugjeruar se ai është një përcaktues politokratik, jo etnik ose identiteti. Historiani serb Milivoj Beshlin beson se Serbia do të jetë shumë aktive jo vetëm në Mal të Zi, po në të gjitha regjistrimet e popullsisë. Ai mendon se Vuçiqi do të shfrytëzojë të gjitha mediat, intelektualët e regjimit si bartës të "botës serbe" dhe makinerinë e tij politike për t'u përqëndruar në regjistrime.

Koha e vendimit

Ashtu si në zgjedhje, këtu ka fjalën kryesore e ka KOS-i, priftërinjtë e së cilës haptas thonë për regjistrimin se "ka ardhur koha për vendim". Gjithçka u zje në fund të vitit të kaluar, kur filluan betejat e fundit për Malin e Zi, përkatësisht për malazezësinë ose serbësinë e tij, me miratimin e Ligjit për lirinë e fesë. Shkurtimisht, ligji kërkon që komunitetet kishtare të regjistrohen në vendin në të cilin veprojnë (gjë që KOS-i nuk dëshiron të bëjë, ndërsa komunitetet e tjera nuk kanë gjë kundër), të kthejnë pronën e ish Kishës Ortodokse Malazeze (KOM) e cila i është dhënë, dhe kufizojhet veprimi i KOS-it.

Për shkak të frikës nga forcimi i KOM autoqefale, si një mekanizëm i fuqishëm midis popujve ortodoksë në forcimin e vetëdijes kombëtare, KOS-i e ka në përparësi për ta parandaluar këtë. KOM-i është shfuqizuar pas heqjes së mbretërisë malazeze dhe bashkimit të saj në Mbretërinë e atëhershme të Serbisë më 1918. Ligji për lirinë e fesë forcon shtetësinë dhe kombin malazez dhe kufizon veprimtaritë e Kishës Ortodokse Serbe dhe "pjesën" serbe në identitetin malazez - gjë që disa e quajtën aktin e fundit të dëbimit të serbëve nga ekzistenca e Malit të Zi, por, siç pritej, Kisha Ortodokse Serbe nuk hoqi dorë nga ndikimi i saj - gjë që bëri që Kisha Ortodokse Serbe të dilte kundër saj. Në fakt, Kisha Ortodokse Serbe është e vetëdijshme se me këtë do të humbte ndikimin e saj jo aq fetar sa politik, ndikimin vleror në shoqërinë e këtushme. Se kush do të mbizotërojë, identiteti malazez apo serb, do të shohim, por aktualisht KOS e ka fituar pjesën e parë.

Ajo qo është e sigurt dhe ajo që Abazoviq nuk e fshehë është se në vendimet e tij ndikim të madh kanë Kisha Ortodokse Serbe dhe ambasadat e fuqive të mëdha, të cilat kanë vendosur që në Mal të Zi të mos formohet qeveria pamjen e të cilës ua përshkrova, por qeveria e kleronacionalistëve, të cilën këto ambasada kanë ndërmend ta kontrollojnë nëpërmjet Abazoviqit, por edhe nëpërmjet Vuçiqit. Rezultat i kësaj do të jetë një qeveri e dobët, e luhatshme, ngadalësim i mëtejmë i integrimit evropian dhe zpaketimi i Malit të Zi në të ashtuquajturin Min-Shemngen. Duke u bashkuar në këtë "asociacion", Mali i Zi praktikisht do të heqësh dorë nga anëtarësimi në BE, sepse një angazhman i tillë do të bëjë që i gjithë "Shengeni i vogël" të hyjë në BE, në një paketë. Megjithëse, thotë ai, kjo nuk do të ndodhë në ardhmen dhe të imagjinueshme.

Fjala është për projektin, thekson Nikolaidis, me të cilin BE-ja dhe administrata e Trumpit po e krijojnë bashkësinë e cila do të jetë reqalizim i dy projekteve shtetomëdha ballkanike: Serbisë së Madhe dhe Shqipërisë Natyrale, me Serbinë si hegjemon ballkanik dhe Shqipërinë si mjet perëndimor të kontrollit të këtij hegjemoni. Rirregullimin e madh politik në regji të përbashkët të fuqive të mëdha dhe Serbisë në Mal të Zi detyrimisht duhet parë në këtë perspektivë. Kjo është imperiale, joparimore, dhe, jo më pak e rëndësishme, e neveritshme nga aspekti etik, përfundon Nikolaidis për gazetën kroate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat