Tomë Gashi tregon se për çka akuzohet Thaçi në Speciale, thotë se ai s’do ta votonte po ta dinte se do të akuzohej

Politika

Tomë Gashi tregon se për çka akuzohet Thaçi në Speciale, thotë se ai s’do ta votonte po ta dinte se do të akuzohej

Nga: D. B Më: 13 tetor 2020 Në ora: 14:13
Tomë Gashi

Ligji për Gjykatën Speciale është aprovuar më 03.gusht 2015 me votën e 82 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Shumica e këtyre 82 deputetëve të Republikës ishin shqiptarë, votuan ligjin për themelimin e kësaj Gjykate, e cila ekskluzivisht dhe vetëm do të bënte hetimin, akuzimin dhe gjykimin e shqiptarëve, dhe atë vetëm të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës –UÇK-së.

Avokati Tomë Gashi ka thënë për gazetën “ Bota sot” se këta deputet kur votuan Ligjin për Gjykatën Speciale që do t’i akuzonte vetëm shqiptarët, në tërësi amnestuan krimet e Serbisë në Kosovë, ngase në këtë Gjykatë që e formuam ne, e që nuk është e jona, e që e quajtëm Gjykatë Speciale me seli në Hagë, nuk do të akuzoj dhe nuk do të gjykoj asnjëherë, asnjë ushtarë serb, asnjë polic serb, asnjë paramilitar serb.

“Me këtë krimet serbe aq të trishtueshme gjatë luftës në Kosovë, të cilat bota nuk i kishte parë asnjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, nuk do të marrin asnjëherë ndonjë epilog gjyqësor, asnjë ushtarë serb, e as polic e paramilitar serb nuk do të akuzohet asnjëherë në Gjykatën Speciale, nuk do të dënohet asnjë serb atje, sepse kështu ishte vullneti i 82 deputetëve të Republikës tonë. Por nuk ishte vullneti i të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës për formimin e kësaj gjykate. Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE jo vetëm që nuk e kanë votuar Gjykatën Speciale, por ata e kanë lëshuar edhe sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kur është votuar kjo Gjykatë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj atyre që insistonin që kjo Gjykatë të formohej. Unë besoj që fajin kryesorë, që ka ardhur deri tek formimi i Gjykatës Speciale e kanë disa prej udhëheqësve kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në emër të UÇK-së, kanë bërë trysni tek Deputetet, posaçërisht të partive të tyre, që të themelojnë Gjykatën Speciale, me pretendime se kinse kjo është në të mirë, siç thonin ata të vërtetimit të pastërtisë së luftës së UÇK-së”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

Sipas tij, do të mbahet mend fjalimi i Albin Kurtit në Parlamentin e Republikës së Kosovës, që do të mbetet në histori, i cili u mundua aq shumë që të parandaloj themelimin e kësaj Gjykate.

“Por nuk duhet harruar se një pjesë e udhëheqësve të UÇK-së që kishin fuqi thuajse të pakufizuar politike, insistonin që gjithsesi të formohet kjo Gjykatë ,duke besuar se ata vetë nuk do të jenë shënjestër e saj, por gjërat ndryshuan dhe aktakuzat u ngritën, me njërën prej tyre u akuzua edhe vetë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi për Krime të Luftës dhe Krime kundër njerëzimit. Më keq se kaq nuk ka ku të shkoj, të akuzohet vetë Presidenti i shtetit për krime të tilla, i lëvizë pak sa themelet e shtetit tone, e dëmton rëndë kredibilitetin e shtetit më të ri në Evropë, dhe ai që ta bënte edhe më keq, e si për inat të dikujt nuk dha as dorëheqje.Edhe në ëndrrat e tij më të këqija, vetëm po ta imagjinonte Hashim Thaçi se do të akuzohej edhe vetë nga kjo Gjykatë Speciale, kurrë nuk do ta votonte atë dhe aq më pak nuk do të bënte presion tek deputetët e Kuvendit të Kosovës, e posaçërisht tek ata të partisë së tij, që ta votojnë këtë Gjykatë”, ka thënë avokati Gashi.

Ai pohon se nëse këtë Gjykatë e konsiderojmë ashtu siç është në të vërtete, Gjykatë Ndërkombëtare Penale për Krime të Luftës në Kosovë, kjo Gjykatë kurrë nuk do të gjykoj asnjë kriminel serb të luftës.

“Tribunali i Hagës për ish Jugosllavinë që i ndiqte kriminelët serb, tani e disa vite është mbyllur. Gjykatë tjetër ndërkombëtare që do t’i hetoj, akuzoj dhe dënoj kriminelët serb të luftës nuk ka. Gjykatat e Kosovës edhe mund të dënojnë ndonjë serb të akzuar për krime të luftës në Kosovë, nëse ai aksidentalisht e humb rrugën dhe vije në Kosovë, përndryshe Kosova nuk është shtet aq i fuqishëm që t’i sjellë ata për t’i gjykuar në vendin ku kryen krime të rënda, ku kanë vrarë mbi 15 mijë qytetar shqiptarë, ku vranë mbi 1400 fëmijë, ku kanë dhunuar mbi 20 mijë gra shqiptare, ku kanë shkatërruar mbi 120 mijë objekte të banimit, ku kanë dëbuar gjysmën e popullatës shqiptare jashtë territorit të Kosovës, ku thjeshtë Kosovën e bënë shkrumb e hi”, ka thënë avokati Gashi.

Sipas tij, Republika e Kosovës si shtet, në vend që të loboj tek bashkësia ndërkombëtare që të formohet një Gjykatë Speciale për krimet e luftës që Serbia i kreu në Kosovë, dhe në vend që të formoj një Agjencion për ndjekjen e kriminelëve serb të luftës, siç Izraeli formoi Institutin Simon Ëiesenthal, ne bëmë saktësisht atë që donte Serbia formuam një Gjykatë Speciale kundër atyre që luftuan për të na mbrojtur nga gjenocidi Serb- formuam Gjykatë kundër UÇK-së.

“Tani pas akuzave të para, dhe pas akuzimit të vetë Presidentit të Kosovës, Kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli a mund të besohet se kjo gjykatë me të vërtetë është e Kosovës. Unë nuk besoj që Deputetët e Republikës kur kanë votuar Gjykatën Speciale t’i kenë besuar raportit të Dick Martyt, por besoj se në këtë Gjykatë Ndërkombëtare nuk do të ketë asnjë aktakuzë që ndërlidhet me atë më trishtuese, se kinse pjesëtarët e UÇK-së, kanë qenë të involvuar në trafikim të organeve njerëzore. Deputetët para se të votonin, e kanë ditur se kjo çështje nga Institucionet ndërkombëtare të drejtësisë është hetuar së paku pesë herë për këto 22 vite, dhe atë nga viti 1998 dhe kurrë nuk është gjetur asnjë provë për diçka që kurrë nuk ka ndodhur. Sot kur kemi 3 ushtarë të UÇK-së në Qendrën e Paraburgimin në Hagë, Sali Mustafa ,Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, dhe tani kur u vërtetua bashkëpunimi i asaj që ishte frika më e madhe se Gjykata Speciale ka bashkëpunim me organet e ndjekjes në Serbi, siç janë Prokuroria për Kirme të Luftës, policia e Serbisë dhe agjencione tjera sekrete të Serbisë, si mund ti besohet një Gjykata të tillë, kinse të Kosovës, kur merr prova nga Serbia kundër pjesëtarëve të UÇK-së”, ka thënë avokati Gashi.

Ai tutje ka shtuar se UÇK-ja luftoi pikërisht kundër këtyre institucioneve dhe forcave okupuese të Serbisë në Kosovë.

“Nëse Gjykata Speciale është Gjykatë e Kosovës atëherë si mundet që kjo Gjykatë të mos i ndjek kriminelet serb të luftës, dhe si mund të mos I dënoi krimet e Serbisë në Kosovë. Si është e mundur, që kjo Gjykatë kinse e Kosovës nuk e pranon Kosovën shtet të pavarur, kjo Gjykatë por as Prokuroria e saj nuk kanë askund asnjë simbol shtetëror të Kosovës. Si është e mundur që kjo Gjykatë kinse e Republikës së Kosovës të ketë degë të saj në Serbi-Beograd. A mund të besoj dikush Serbia do ta lejonte një degë të një Gjykate të Republikës së Kosovës në kryeqytetin e saj. Si mund të quhet Gjykatë e Republikës së Kosovës në të cilën nuk lejohet as të aplikoj, e leje të punësohen qytetarë të Kosovës”, ka thënë avokati Gashi.

Sipas tij, kjo gjykatë mund të jetë më tepër e Serbisë se sa e Kosovës, dhe vetëm deputetët shqiptarë të Kosovës kanë mundur votuar një Gjykatë kundër vetvetes, me pretendime që truri i shëndoshë nuk i kupton me arsyetimin se kinse do të pastrohet lufta e UÇK-së.

“Se a ka qenë Luftë e drejtë nga UÇK-ja dhe luftë mbrojtëse këtë askush nuk e ka kontestuar, të gjithë e dinë, dhe për këtë arsyeje ne gjatë vitit 1998-1999 kishim edhe aleatët kryesor të shteteve demokratike, që na ndihmuan aq shumë të çlirohemi nga Serbia, sa që për 78 ditë, nga 24. marsi deri më 12. qershor 1999 e bombarduan Serbinë për ta mbrojtur popullin shqiptarë të Kosovës nga gjenocidi, pastrimi etnik, nga vrasjet masive, dhunimet dhe torturat çnjerëzore që nuk ishin parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, sa që Serbia tentojë që ta shfarosë popullin shqiptarë nga Kosova. Serbia kreu krime aq të tmerrshme deri në gjenocid kundër nesh, dhe ne formuam Gjykatë Speciale kundër vetvetes, për ta pastruar Serbinë nga krimet e saj, tani mendoni vetë se a është kjo Gjykatë e Republikës së Kosovës apo e Serbisë” është shprehur avokati Tomë Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat