Të pagjeturit prioritet i Qeverisë Hoti

Politika

Të pagjeturit prioritet i Qeverisë Hoti

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 tetor 2020 Në ora: 10:45
Driton Selmanaj

Deklarata e zv/kryeministrit Driton Selmanaj, se tema e të pagjeturve është konsumuar, ka zgjuar debate dhe reagime të shumta në skenën politike. 

Analistet politik vlerësojnë se deklarata e Selmanajt është skandaloze, dhe si e tillë ajo duhet dënuar, dhe me këtë rast kryeministri edhe duhet të shkarkonte atë.

Jashari: Të pagjeturit janë shfrytëzuar për të marr vota nga të gjitha subjektet politike

Analisti politik Shemsi Jashari ka thënë se fatkeqësisht të pagjeturit janë shfrytëzuar për të marr vota nga të gjitha subjektet politike, duke i përdorur politikisht varësisht kanë qenë në pozitë apo opozitë. 

Sipas tij, deklarimi i zv kryeministrit Driton Selmanaj, se tema e të pagjeturve është "konsumuar, ezauruar është jo e drejtë dhe tregon mungesën e përkushtimit politik të kësaj qeverie për tu marr me temën e të pagjeturve çka unë mendoj se është shumë gabim. 

Image
Shemsi Jashari

“Askush nga qeveria e aq më pak një zv/ kryeministër nuk duhet të guxoj ta trajtoj temën e të pagjeturve si diçka sekondare pasi përveç faktit se zbardhja e fatit të pa gjeturve ka të bëjë me anën emocionale te familjeve të tyre, ka të bëjë edhe me dëshmimin se Serbia ka kryer krime të tmerrshme siç janë dhe kidnapimi e zhdukja e mijëra shqiptareve të pafajshëm. Injorimi i kësaj teme nënkupton mungesë respekti dhe amnestim për regjimin kriminal serb i cili është përgjegjës për këto krime”, ka thënë analisti politik Shemsi Jashari.

Mehmeti: Deklarata e Selmanajt është skandaloze, dhe si e tillë ajo duhet dënuar

Kurse analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se deklarata e Selmanajt është skandaloze, dhe si e tillë ajo duhet dënuar, dhe me këtë rast kryeministri edhe duhet të shkarkonte atë. 

Sipas tij, kjo gjë nuk pritet të ndodh tek ne, kur dihet se nuk është kulturë një gjë e tillë. 

Image
Faton Mehmeti

“Vetëm protestat, e familjareve të të pagjeturve mund të shkarkojnë zv/kryminstrin, ndryshe kjo çështje vetëm sa do të harrohet. Ky është skandal i madh që një zv/kryeministër e bën. Faktikisht nuk më habit fare ky Dritoni, i njohur si dështak në politikë, njeri që s’ka haber fare me politikën, dhe njëri ndër personat më negativë që ka qeveria Hoti. Edhe punët e mira që kryeministri Hoti po i bën zv/kryeministri Selmanaj po pasqyron një hije të keqe me veprimet e tija. Andaj për Hotin është edhe në interes të tij të largoj një person që i sjell veç probleme, megjithëse Dulla nuk ka guxim të bëj asgjë pa lejen e Isës, që njihet për kokëfortësi ndaj reagimit të opinionit publik”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Haziri: Të pagjeturit prioritet i Qeverisë, Serbia me presion ndërkombëtar do bashkëpunoj me Kosovën

Image
Nexhat Haziri

Kurse analisti politik Nexhat Haziri ka thënë se Driton Selmanaj këtë deklaratë e ka bërë në drejtim se kjo temë është konsumuar në aspektin e propagandës politike nga disa parti të caktuara politike, por jo si një çështje e cila duhet mbyllur dhe të mos trajtohet nga institucionet shtetërorë dhe organet e drejtësisë.

“Të gjithë e kemi dëgjuar edhe kryeministrin Hoti, i cili ka deklaruar por është edhe dëshmuar se çështja e të pagjeturve është prioritet i Qeverisë Hoti. Ashtu siç duhet të jetë për çdo qeveri, e cila po shtrohet në mënyrë serioze dhe këmbëngulëse edhe në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel, ku nga qeveria serbe po kërkohet që të hap arkivat e ushtrisë dhe policisë, në mënyrë që të bëhet e mundur identifikimi i varrezave masive në Serbi me trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë periudhës së luftës", ka thënë Haziri.

Ai thotë, se pret që Serbia me presionin ndërkombëtar, do të detyrohet që të jetë më bashkëpunuese në çështjen e të pagjeturve.

"Por, e them edhe një herë se kjo çështje nuk duhet të jetë në diskursin e propagandës politike dhe të shndërrohet si një kartë për ambicie pushteti nga asnjë parti politike, pasi konsideroj se një veprim i tillë është jo human”, ka thënë analisti politik Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat