“Luftë Avdullah Hotit”, zbardhet strategjia e Lajçakut dhe Thaçit për Asociacionin

Politika

“Luftë Avdullah Hotit”, zbardhet strategjia e Lajçakut dhe Thaçit për Asociacionin

Nga: P.R Më: 16 tetor 2020 Në ora: 11:57
Hashim Thaçi dhe Mirosllav Lajçak

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, ka shkruar në profilin zyrtar në Tëiter se takimi ka qenë i frytshëm dhe se janë dakorduar që Kosova ka nevojë për dialog dhe marrëveshje gjithëpërfshirëse.

"Kisha një takim të mirë dhe jashtëzakonisht të frytshëm me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. U dakorduam që Kosova ka nevojë për dialog dhe për marrëveshjen gjithëpërfshirëse", ka shkruar Lajçak.

Lajçak gjithashtu ka konfirmuar se pa formimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë, nuk do të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse nuk ka vullnet për marrëveshje, nuk do të ketë marrëveshje. Nëse nuk ka marrëveshje nuk ka normalizim e nuk do të ketë marrëveshje pa asociacion. Ne nuk kërkojmë ta rihapin tekstin, por vetëm të implementojnë atë çka është nënshkruar. Gjithçka çka është dakorduar, duhet të implementohet”, tha Lajçak.

E ky dakordim mes Lajçak dhe Thaçit, sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, ka si qëllim që ky i fundit t’i ikë akuzave të Gjykatës Speciale.

“Së pari më lejoni t’ju them se mirëkuptimi midis presidentit Thaçi dhe zotit Lajçak ka si objekt intrigën e Hashimit pët t’i ikur akuzave të Gjykatës Speciale. Thaçi pati kohë të mjaftueshme të lobojë me para dhe në forma të tjera të rehabilitohet në një farë mënyre në sytë e publikut. Edhe takimi me Lajçakun bën pjesë në këtë strategji”, thotë për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Së dyti, duhet të besojmë se Lajçak po bën lojën e Beogradit, sepse po ve nën presion qeverinë e Kosovës e madje nënkupton se kjo qeveri do të jetë përgjegjëse për bllokimin e dialogut, nëse nuk pranon Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë. Deklarata e tij, ku thekson se ai kishte një takim “jashtëzakonisht të frytshëm me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi”, na bën me dije për mendimin tim dakordësinë e presidentit me pikëpamjet e Lajçak sa i përket diskutimit në Bruksel të këtij Asociacioni. Domethënë Beogradi, Lajçak dhe Hashim Thaçi janë dakord që të flitet në Bruksel për Asociacionin, të dy palët të bien dakord për këtë, që ai të ketë kompetenca ekzekutive dhe legjislative dhe kështu të shkohet te marrëveshja midis Kosovës e Serbisë për t’i dhënë fund konfliktit”, thekson Bytyçi.

Sipas tij, Asociacioni nuk është kusht i Serbisë për njohjen e Kosovës, por vetëm lojë diplomatike e serbëve.

“Të gjitha këto janë përralla me mbret. Asociacioni nuk është kusht i Serbisë për njohjen e Kosovës. Beogradi bën lojë diplomatike e politike, me qëllim që ta ketë në xhep lidhjen e komunave serbe si një lloj shteti brenda shtetit. Më pas ka për të thënë, “Joooo! Pse me kaq pak ne do biem dakord për njohjen e Kosovës”! Dhe do të kërkojnë ekstra-territorialitet, ekstra-prani serbe në objektet e kultit e të kulturës serbe, ekstra-model për bashkë-vendimmarrje etj. Hashimi e di këtë. Ndoshta Lajçak ia ka marrë atij dakordësinë për zgjidhjen pro-serbe të Asociacionit me premtimin që ta rikthejë në krye të grupit negociator të Kosovës. Madje presidenti mund t’i ketë thënë se “Avdullah Hoti është frikacak, nuk ka për të diskutuar asnjëherë për Asociacion, prandaj mos u merrni me të. Doni të kryeni punë, jam unë këtu”! Edhe nëse nuk ia ka thënë drejtpërdrejt, ka lënë të kuptojë për këtë. Dhe Lajçak, nga frika e dështimit të dialogut është joshë të intervenojë për rehabilitimin e Hashim Thaçit. Por fatmirësisht Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë nuk ka integritetin e gjykatave shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë. Ajo nuk mund të tolerojë pazare si këto”, shprehet Bytyçi.

Më tej, profesor Bytyçi deklaron se Thaçi e Lajçak janë koordinuar për t’i bërë presion dhe një ‘luftë’ e hapur kryeministrit Hoti.

“Lajçak thotë se është dakorduar me Thaçin për atë se “Kosova ka nevojë për dialog dhe marrëveshje gjithëpërfshirëse”! Gjithkush e di këtë skemë. Por nuk thotë nëse janë dakordësuar edhe për çmimin e kësaj marrëveshjeje. Sepse duket se çmimi është thembra e Akilit, të cilën nuk duhet ta shohin qytetarët. Kjo do të thotë se po përsëritet fenomeni i mbajtjes sekret të gjërave dhe mostransparencës. Kjo do të thotë gjithashtu se Thaçi e Lajçak janë pajtuar për të kundërshtuar deklaratën e para disa ditëve të kryeministrit Hoti, sipas të cilit “Asociacioni nuk do të diskutohet në Bruksel. Nëse kjo nuk pranohet, atëherë më mirë është që ta ndërpresim dialogun dhe të dy vendet të vazhdojnë të jenë të pavarura e pa njohje”! Nuk ka asnjë kuptim tjetër dakordësimi i Lajçak dhe Thaçit për vazhdimin e dialogut dhe marrëveshjen. Është presion ndaj Avdullah Hotit”.

Bytyçi thekson se Miroslav Lajçak dhe Hashim Thaçi janë në linjën serbe të dialogut.

“Beogradi thotë se “nuk vazhdojmë bisedimet pa vënë në tavolinë çështjen e Asociacionit”! Lajçak kërkon të njëjtën gjë nga qeveria e Kosovës! Hoti thotë JO! Atëherë çfarë kuptimi do të kishte veç kësaj mirëkuptimi midis Lajçak e Hashim Thaçit?! Të dy janë në linjën serbe të dialogut! Ngadalë do ta shohim se është kështu, nëse Hoti nuk do të pranojë të diskutohet për Asociacionin. Sapo Vuçiç ta akuzojë Prishtinën se po bllokon procesin e dialogut me kundërshtitë për asosacionin e komunave serbe, menjëherë Rama dhe Thaçi do dalin e bëjnë thirrje për bllokimin e dialogut dhe pranimin e diskutimit për këtë çështje. A nuk ndodhi kështu edhe me taksën?! Thaçi fillimisht tha se taksa ishte propozim i ministrit Enver Hoxhaj. Pastaj tha “Jo është e Haradinajt dhe ajo taksë duhet të hiqet”! Bëri presion të vazhdueshëm për heqjen e saj, duke u bashkuar për këtë me Aleksandër Vuçiç dhe Edi Ramën. Të njëjtën gjë do të bëjë edhe në këtë rast. Për këtë mos keni dyshim. Ai nuk ka hallin e Kosovës, as të shtetësisë së saj. Ai është në ankth se duhet të shkojë në Hagë!”, shpjegon më tej Bytyçi.

Për fund, profesor Bytyçi deklaron se Beogradi do ta bllokojë dialogun me Kosovën për shkak të Asociacionit.

“Se si do të shkojë dialogu e si do të përfundojë është vështirë të thuhet. Nëse Hoti nuk pranon të diskutojë për krijimin e Asociacionit të Komunave serbe me kompetenca ekzekutive dhe legjislative, Beogradi do ta bllokojë dialogun, do të tërhiqet dhe nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës. Mund të përpiqet Skënder Hyseni ta bllokojë situatën, por është shumë i vogël. Hoti nuk besoj se bie aq poshtë sa ta imponojë edhe një politikan i dështuar si Hyseni. Nuk besoj se Vuçiç do të takohet me Hotin, nëse nuk hyn në rendin e ditës Asociacioni. Por nuk e di gjithashtu nëse Hoti do ta mbajë fjalën që ta bëjë Kosovën të punojë për pavarësinë e shtetësinë edhe pa dialogun me Serbinë! Të shohim! Di një gjë se Serbia nuk ngopet me kërkesa ndaj Kosovës. Madje nuk do ndalet deri te kërkesa për bashkë-vendimmarrje për fatin e saj!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat