Mesazhi i qartë i Lajçakut për Kosovën!

Politika

Mesazhi i qartë i Lajçakut për Kosovën!

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 16 tetor 2020 Në ora: 19:08
Miroslav Lajçak dhe Avdullah Hoti

Kosova ka mirëpritur në një vizatë disa ditore emisarin e Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ku ka zhvilluar takime të shumta me krerët e shtetit, me liderët e partive politike në vend.

Lajçak erdhi në Kosovë, në kohën kur Serbia ka kërcënuar nuk do të vazhdoj dialogun me Kosovën, nëse nuk përshihet tema e Asociacionit të Komunave serbe.

Por, Kosova vazhdon të jetë e “pathyeshme” në këtë temë.

Kryeministri i Kosova, Avduallah Hoti, disa herë e ka përsëritur qëndrimin e tij për këtë temë. Këtë e ka bërë edhe pas takimit me Lajçak-un.

Ekspertët besojnë se Serbi nuk është e interesuar për mbarëvajtjen e procesit dhe dialogut, por interesi i saj është "status quo" për Kosovën.

Bajraj: AKS-ja, kartë e Serbisë për bllokim të procesit

Njohësi i çështjeve politike, Fatmir Bajraj, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se Bashkim Evropian duhet t`i trajtoj njëjtë Kosovën dhe Serbinë.

Image
Fatmir Bajraj

“BE-ja, si lehtësuese e dialogut Kosovë Serbi në Bruksel, duhet t'i trajtoj njëjtë palët, duke e trajtuar Serbinë si agresore dhe Kosovën si viktimë të agresionit serb, fakt ky që do ndihmonte Serbinë për ta pranuar faktin se Kosova është shtet sovran dhe demokratik”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai thekson se Serbi nuk është e interesuar për mbarëvajtjen e procesit dhe dialogut, por interesi i saj është "status quo" për Kosovën.

“Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe normalizim të raporteve me Kosovën, pra nuk është e interesuar për mbarëvajtjen e procesit dhe dialogut, ngase nuk është e interesuar për epilogun, për produktin e dialogut ; njohjen reciproke. Interesi i Serbisë është "status quo" për Kosovën dhe hapja e kapitujve për vete në BE (kapitulli i 35-të), dhe kjo gjë arrihet duke fajësuar Kosovën dhe duke hap rrugët e integrimeve, por pa ndryshuar asgjë esencialisht. Serbia duhet të detyrohet t'a njoh Kosovën, në vend që t'i kërkohet njohja e Kosovës të cilën e ka të humbur me luftë, dhe me pas edhe në bisedimet e Vjenës për statusin dhe në GJND”, ka potencuar Bajraj për “Bota sot”.

Për më tepër, ai thotë se rregullimi kushtetues i Republikës ë Kosovës, nuk parasheh pushtet ekzekutiv për asociacionin e komunave serbe në vend.

“Marrëveshja e parë e parimeve për AKS-në, në Bruksel, e 19 prillit 2013, dhe ajo e 25 gushtit 2015, si dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje më formën dhe statusin e AKS-së, janë aktet mbi të cilat mund të derivohet statuti i AKS-së, i cili duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Rregullimi kushtetues i Republikës ë Kosovës, nuk parasheh pushtet ekzekutiv për AKS-në, përkatësisht pushtet të tretë, bilës as edhe forma një etnikë asocimi, kur dihet se Kosova është shtet multietnik, por unitarist”, ka shpjeguar Bajraj për “Bota sot”.

Sipas Bajrajt, kryeministri Hoti nënshtrohet presioneve politike, ngase nuk është një Kryeministër i shantazhueshëm dhe me prejardhje të dyshimtë.

“Kryeministri Hoti, i përgjegjshëm por konsistent në platformën e dialogut Kushtetuta e Republikës së Kosovës), dhe në parimet e dialogut, siç janë; ruajtja e integritetit të vendit, sovranitetit shtetëror dhe rregullimin unitarist kushtetues, të cilat do të kulmonin me njohje reciproke në mes të dyja vendeve në proces. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, nuk është shtetar i cili u nënshtrohet presioneve politike, ngase nuk është një Kryeministër i shantazhueshëm dhe me prejardhje të dyshimtë, pra nuk e ka hallin e "lëkurës" së vetë, por të obligimeve kushtetuese dhe përgjegjësive shtetërore në krye të të cilave ka mandatin legjitim dhe legal”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Bajraj mendon se qëndrimi i Hotit e ka shtyrë ka shtyrë Serbinë e Vuçiqit që të eskivoj dialogun duke kushtëzuar vazhdimin e tij me formimin e asociacionit, dhe se janë të vetëdijshme se për një gjë të tillë nuk do të ketë pajtim nga ana e Kosovës.

“Qëndrimi i Kryeministrit Hoti në dialog në emër të Republikës së Kosovës ; se s'ka marrëveshje parciale pa marrëveshje përfundimtare, pra s`ka marrëveshje për asgjë nëse nuk arrihet njohja reciproke, ka shtyrë Serbinë e Vuçiqit që të eskivoj dialogun duke kushtëzuar vazhdimin e tij me formimin e AKS-së dhe me gjasë me ambicien që AKS-ja të ketë kompetenca ekzekutive, pra një nivel të tretë pushteti i cili do binte ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe do bosnizonte vendin duke e kthye në një shtet jo-funksional dhe praktikisht të dështuar, për çfarë Kryeministri Hoti dhe Republika e Kosovës nuk do pajtohej kurrë, dhe presidenti Vuçiq dhe Serbia janë të vetëdijshme për këtë fakt. Serbia nuk është e interesuar për marrëveshjen përfundimtare e cila do rezultonte me njohje reciproke, ajo nuk është e interesuar për fatin e pakicës serbe në Kosovë, por përmes dialogut të pafund dhe duke instrumentalizuar serbet lokal, do që përmes koncesioneve në dëm të Kosovës, t'a defunksionalizoj shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës, ta minoj procesin, ta mbaj pezull shtet ndërtimin e Kosovës së pavarur dhe jashtë integrimeve dhe anëtarësimit në organizata dhe mekanizma ndërkombëtar”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

“Momentum i ri”

Më tej, Bajraj shprehtë se Kosova duhet të këmbëngul për njohje reciproke.

“Pasi që Serbia nuk ka respektuar e përfillë asnjë marrëveshje të Brukselit dhe ka vazhduar të njëjtën qasje obstruksioniste që nga Rambuje, Parisi dhe Vjena, dhe deklarohet hapur se nuk do ta njoh kurrë Kosovën, atëherë neve duhet të këmbëngulim në njohje reciproke si qelës i cili do u mundësonte të dyja vendeve respektive; Kosovë-Serbi, t'i trajtojnë të gjitha temat në interes të dyja vendeve të cilat mbajnë peng të ardhmen e fqinjësisë së mirë pas gjithë asaj katrahure që përjetuan shqiptaret e Kosovës nga regjimi gjenocidal Millosheviqit”, ka thënë ai.

Për këtë çështje, Bajraj cilëson se bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë nëse Serbia e bllokon dialogun, dhe se BE ka shansin e fundit të bind palët në një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila do normalizonte raportet ndërmjet këtyre dy shteteve.

“Kryeministri Hoti, nuk ka interes më madhor se sa fatin vendit dhe zhvillimin dhe integrimet veri-atlantike, interes të cilin do ta ndjekë me konsistencë deri në fund, pa u shantazhuar nga askush, e lere më nga Lista serbe si kategori kushtetuese-qeverisëse. Poqesë, Serbia i'a delë t'a bllokoj procesin e dialogut për njohje në Bruksel me kartën e AKS-së, atëherë i mbetet bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht, qendrave të vendosjes siç janë Brukseli e Uashingtoni që t'a detyrojnë Serbinë t'a njoh Kosovën, ashtu siç e detyruan ta lëshoj atë, me 12 qershor 1999, ngase Serbia hegjemoniste e mendësisë mesjetare, njeh vetëm gjuhën e imponimit (forcës) dhe jo atë të dialogut dhe marrëveshjeve politike. Përndryshe, Kosova ka nevojë për ndihmën e partnerëve strategjik në krye me Amerikën, që të shtrinë sovranitetin e shtetit në gjithë territorin, e drejtë dhe detyrim kushtetues i Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë në shtetbërje dhe në integrime perëndimore. BE, ka shansin e fundit të bind palët në një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila do normalizonte raportet Kosovë Serbi, do hapte rrugët e integrimeve për të dyja vendet, por kjo mund të ndodhë vetëm poqese kjo marrëveshje rezulton me njohje reciproke, përndryshe, procesin e ri-merr Uashingtoni si përgjigje ndaj paaftësisë dhe pazotësisë së Brukselit për t'i trajtuar problemet në truallin e vetë, në Evropë, pjesë e së cilës janë Kosova dhe Serbia”, ka potencuar Bajraj për “Bota sot”.

“Lajçak matë impulset shqiptare”

Ndërkaq, analisti politik, Leon Duhanaj, është shprehur se vizita e Lajçkut është në kohën kur janë ndërprerë bisedimet Kosovë-Serbi.

Image
Leon Duhanaj

“Vizita e Lajçak, vjen në kohën kur kemi një ndërprerje të agjendës së bisedimeve e cila tashme kishte rifilluar me një tempo goxha të shpejt. Sidomos pas marrëveshjes në Shtëpinë e bardhë vërehej një përpjekje e BE-së që t'i japë përgjigjeje përgjegjësisë së marrë në udhëheqjen e këtij dialogu”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka shpjeguar se çfarë po synon Serbia në këtë proces.

“Ajo çfarë ndodhë tani është se Serbia duke qenë se e preferon gjendjen "status quo" , e jo zgjidhje të kësaj çështje.

Për ketë arsye Serbia synon të futë pyka në ketë proces dhe, mundësisht ta kthejë presionin drejtë Kosovës, në mënyrë që me pastaj ta fajësoi për ndonjë bllokadë të bisedimev2, ashtu siç bëri për çështjen e taksës që e shfrytëzoj mirë për interesa të veta”, ka theksuar Duhanaj për “Bota sot”.

Ai mendon se asociacioni duhet të bëhet vetëm në harmoni të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Lajçak, vjen në Kosovë me kërkesën që të bëhet asociacioni, por për mendimin tim, asociacioni duhet të bëhet vetëm atëherë kur është pjesë e një marrëveshje të përgjithshme e përfundimtare dhe veç atëherë dhe, po ashtu vetëm në harmoni të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë vlerësuar ai.

Po ashtu, Duhanaj ka thënë se shqiptarët duhet të flasin unik të bazuar në një platformë të vetme, në mënyrë që mos t'i japim mesazhe për ndonjë mundësi eventuale ndryshimi në favor të Serbisë.

“Lajçak do të bëj përpjekje t'ua matë impulset palës shqiptare, duke zhvilluar disa takime me krerët e partive politike, në mënyrë që ta ketë një pasqyrë me të çartë me kërkesat e shqiptarëve dhe kufijtë sa mund të lëvizë. Për mendimin tim, shqiptarët duhet të flasin unik të bazuar në një platformë të vetme, në mënyrë që mos t'i japim mesazhe për ndonjë mundësi eventuale ndryshimi në favor të Serbisë. Kosova ka lëshuar mjaftë pe dhe nuk i ka borxh askujt”, ka përfunduar Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat