Hoti me të drejtë bëri shkarkime

Politika

Hoti me të drejtë bëri shkarkime

Nga: A.Morina Më: 17 tetor 2020 Në ora: 21:20
Avdullah Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë ditës së djeshme ka  shkarkuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Rashit Qalaj dhe  dy drejtor të tjerë, atë të Doganës së Kosovës dhe ATK-së. Këtë e konfirmoi Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi për media, duke thënë se shkarkimet erdhën si pasojë e performancës së dobët.

Pas këtyre shkarkimeve, pati reagime të shumta në opinionin publik, ku shumë njohës politik  i cilësuan këto veprime si politike nga ana e Qeverisë Hoti.

Lidhur me këtë temë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu në një prononcim për gazetën “Bota sot”, i doli në mbrojtje Hotit, ai tha se të gjitha emërimet dhe shkarkimet e një qeverie janë veprime politike.

“Çdo vendim, emërim apo shkarkim që bënë një qeveri janë veprime politike pasi personat që kanë qenë të emëruar në ato poste ose që emërohen e shkarkohen, kanë qenë e janë në ato poste të caktuar nga politika”, deklaroi Shahu.

Ai tha se shkarkimet janë detyra funksionale të qeverisë, ato nuk janë drama apo tragjedi, pasi çdo qeveri ka programin e vetë politik.

“Shkarkimet e funksionarëve të lartë janë detyra funksionale të qeverisë siç edhe emërimet në ato poste. Shkarkimet nuk janë drama apo tragjedi, një qeveri nuk mundet as nuk donë të punojë me funksionarë  të emëruar nga një qeveri tjetër, pasi çdo qeveri ka programin e vet politik dhe ekonomik. Edhe pa asnjë të metë nga asnjë zyrtar i shkarkuar, ai mund të shkarkohet, thjeshtë  se kryeministri kërkon performancë më të lartë, ka pritshmëri më të lartë dhe emëron në  ato detyra, ekspertë që ai i mendon të duhur”, u shpreh Shahu.

Ai foli edhe për akuzat që iu bënë kryeministrit Hotit, sipas tij ata që ankohen dhe i quajnë veprime me prapavija politike kanë frikë dhe  cenohen interesat e tyre.

“Ndërsa flitet e dëgjohet se janë ankuar ndaj kryeministrit tani pasi ai ka bërë shkarkimet, këto vërtetojnë  se është  gabuar që janë  mbajtë  aq gjatë në ato poste ata që ankohen ndaj kryeministrit tani që janë shkarkuar. Shkarkimet e zyrtarëve aq të lartë që janë nivele ministrore, janë e drejta e kryeministrit të cilën nuk duhet ta gjykojë askush. Ata që ankohen dhe duan ta quajnë me prapavija politike, druaj se kanë frikë dhe ndoshta u janë cenuar interesat e tyre dhe pastaj ata i veshin të gjitha gjërat me politike”, përfundoi Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat