Tokat e Kosovës u shiten nga 1 euro ari, kjo është kërkesa e Hazirit: Haradinaj, Lushtaku, Syla dhe...

Politika

Tokat e Kosovës u shiten nga 1 euro ari, kjo është kërkesa e Hazirit: Haradinaj, Lushtaku, Syla dhe...

Nga: P.R Më: 17 tetor 2020 Në ora: 21:23
Ramush Haradinaj dhe Sami Lushtaku

Ish kreu i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Blerim Rexha deklaroi se pesëdhjetë hektarë tokë të pronës shoqërore janë shitur vetëm nga një euro ari në Agjencinë Kosovare e Privatizimit (AKP).

“Kam parë disa asete aty që janë shitur me një çmim që është jashtëzakonisht i ulët me çmimin e tregut për të cilat kam ngritur shqetësimin tim. Për këtë disa kanë ngritë në media shqetësimet se kinse “po dhimbet me shitë lirë”. Unë kam përmend një rast që janë privatizuar 50 hektarë për 5 mijë euro. Pra, 5 mijë ari tokë e Kosovës janë shitë për 5 mijë euro që i bie 1 euro ari. Për këtë, kam votuar kundër, dhe kam thënë që po më dhimbset toka e Kosovës me u shitë 1 euro ari. Për këtë jam mbi votuar, dhe ky ka qenë ndoshta njëra prej mbledhjeve që kam parë divergjenca mes anëtarëve të Bordit, menaxhmentit të AKP-së në atë kohë dhe shoqërisë në përgjithësi që kanë pasur interesa në procesin e privatizimit. Kjo ka qenë dhe kam thënë, kështu nuk e nënshkruaj dhe këtë presion s’kam nevojë me mbajt, as unë, as familja ime, edhe jam larguar”, ka thënë Rexha gjatë intervistimit nga Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

E menjëherë pas kësaj, në media u raportua se në vitin 2009, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj bleu 200 hektarë tokë të shtetit për 75,000 euro, që i bie ketë blerë tokë të shtetit me 3.75 euro arin.

Këto raportime sipas analistit politik, Nexhat Haziri, tregojnë qartë se procesi i privatizimit në Kosovë, ka qenë një ndër proceset më të kriminalizuara.

“Rastet si kjo që i referoni , pra të privatizimit të 200 hektarëve toke nga Ramush Haradinaj me çmim prej 3 euro e 75 cent për ari, dhe deklarata e ish-kreut të AKP-së, Blerim Rexha, se janë privatizuar diku 50 hektar tokë me çmim prej 1 euro arin, tregojnë se procesi i privatizimit është një nga proceset më të kriminalizuara në Kosovën e pasluftës”, thotë Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Ai kërkon hetime nga organet shtetërore, dhe e gjithë toka t’i kthehet shtetit.

“Ky proces duhet të hetohet dhe prona shoqërore e privatizuar nga kriminel dhe mafioz të politikes, duhet t’i rikthehet shtetit. Kjo nuk ka të bëjë me shtetëzimin e pronës sipas modelit komunist të LVV-se, të kohës së kooperativave, por ky proces në 70 % rasteve duhet të kthehet në piken zero, sidomos privatizimi i tokave bujqësore por edhe ish-ndërmarrjeve të mëdha, andaj një rishikim i formës se privatizimit të tyre, është i shëndetshëm për Kosovën dhe jo vetëm në sektorin e ekonomisë”, thekson analisti Haziri.

Ai shprehet se prapa këtyre manipulimeve, qëndrojnë ‘të fortit’ e politikës.

“Procesi i Privatizimit, që është i manipuluar dhe i kurdisur në favor të të fortëve të politikës, rastet që iu i cekët, po ashtu ua ka mundësuar mafisë politike si një lavatriqe për pastrimin e parasë së pistë me origjinë nga tregtia me drogë, armë, nga kontrabanda me derivate dhe duhan”, deklaron analisti Haziri për “Bota sot”.

“Andaj një rishikim i këtij procesi do të ndihmonte luftën kundër krimit të organizuar, dekriminalizimin e skenës politike, nga “privatizuesit” e pronave si z. Haradinaj, Lushtaku, Syla, e të tjerë, eliminimin e ndikimit të mafisë në institucionet e shtetit, monopolin e tyre në ekonominë e vendit, çlirimin e sistemit të drejtësisë, të sigurisë, që Kosova dhe qytetarët të fillojnë të marrin frymë lirshëm. Pa heqjen e kapitalit te dyshimtë në Kosovë, kriminelët dhe mafia politike do të vazhdojë ta diktoj jetën tonë sipas interesave të tyre”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat