‘Goditje’ e fortë ndaj Lajçakut: Ja kushtet, vetëm kështu Serbia e pranon shtetin e Kosovës

Politika

‘Goditje’ e fortë ndaj Lajçakut: Ja kushtet, vetëm kështu Serbia e pranon shtetin e Kosovës

Nga: P.R Më: 20 tetor 2020 Në ora: 18:26
Miroslav Lajcak dhe Aleksandar Vucic

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak, kërkoi nga Kosova që ta ndryshojë Kushtetutën e vendit, në mënyrë që të mundësohet formimi i Asociacionit të Komunave serbe.

“Dhe askush nuk tha që ishte e pamundur, Kushtetuta nuk është Bibla. Nëse biem dakord për çështje serioze, atëherë sigurisht që duhet të pasqyrohet në Kushtetutë”, deklaroi Lajçak në Beograd. Kurse në Kosovë, Lajcak tha se nuk ka marrëveshje pa formimin e Asociacionit të Komunave serbe.

Sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, Lajçak po synon t’i bëjë presion Kosovës.

“Së pari, ai duket se përpiqet të bëjë presion me formulën "Nëse nuk ka marrëveshje nuk ka normalizim" të marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Nuk thotë se "Nëse nuk ka marrëveshje, nuk ka njohje të Kosovës nga ana e Serbisë"! Shqiptarët duhet ta dinë se normalizim të marrëdhënieve me Serbinë nuk ka as me nënshkrimin e një marrëveshjeje midis palëve. Kosova ka nënshkruar 36 marrëveshje në favor të Serbisë, ka pranuar ta asociojë ndryshimin e Kushtetutës me vullnetin e 5 përqind të serbëve, ka pranuar që 5 përqind e popullsisë serbë të ketë në parlament 10 përqind të deputetëve, ka pranuar që serbët të kenë të drejta extra, unike në botën e civilizuar dhe prapë se prapë Serbia ka vazhduar të provokojë, të manipulojë, të nxit konflikt midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

“Kush beson se nënshkrimi i një marrëveshjeje me Serbinë, madje edhe ajo me shkëmbim territoresh e me Asociacion, normalizon marrëdhëniet midis palëve, është idiot. Po Lajçak nuk është idiot. Ai me këto lloj narrativash i merr për idiotë disa politikanë në Prishtinë ose u jep kurajo disa të tjerëve që bëjnë punën e Serbisë në Kosovë”, shprehet Bytyçi.

Më tej, ai thotë se ndërprerja e dialogut, do të ishte në interes të shtetit të Kosovës.

“Së dyti, më pas Lajçak lëshon tezën tjetër se "nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacion"! Madje thotë se Asociacioni duhet të jetë pikë për pikë si ai që është nënshkruar në marrëveshjen e vitit 2015 nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi (Hashimi duket në atë foto duke qesh në këmbë, tek Isa nënshkruan)! Duket sikur Kosova do zhduket nga planeti tokë, nëse nuk dëshiron ta nënshkruajë Asociacionin dhe të implementojë atë. Në fakt është interes i Kosovës që bisedimet të ndërpriten, madje që Kosova të thotë se "Kurrë nuk do të bisedojmë më me Serbinë për çështjet tona"! Nëse ajo dëshiron të na njohë, edhe ne do ta njohim! Nëse ajo sillet korrekt me ne, gjithashtu ne do sillemi me korrektësi! Nëse ajo krijon probleme për qytetarët e Kosovës, edhe ne do të krijojmë të njëjtat probleme për qytetarët e Serbisë në Kosovë. Nëse Serbia dhunon shqiptarët në territorin e saj, edhe shqiptarët do ta bëjnë të njëjtën gjë me serbët në Kosovë”, thekson profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Ai deklaron se krejt këto do të ndikonin që Serbia ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës.

“Po vunë shqiptarët e Kosovës këto kushte, atëherë Beogradi do ta ndryshojë 180 grad; qëndrimin e tij. Do ta pranojë Kosovën pa marrëveshje. Do të kërkojë ndjesë për krimet që ka bërë në Kosovë. Do t'I gjejë me shpejtësi kufomat e zhdukura të shqiptarëve prej saj. Do të respektojë shqiptarët në Luginën e Preshevës! Gjithçka do jetë ndryshe në sjelljet e saj. Nuk ka Serbia interes të "humbasë" krejt ndikimin e saj në Kosovë. Prandaj në Beograd kërcënojnë me destabilizim të paqes, nëse nuk vazhdojnë bisedimet. U duhen bisedimet që ta zhagisin pa fund shtetësinë e Kosovës. Por nuk u duhet zgjidhja. Madje për pengesat për zgjidhje fajësojnë shqiptarët. Si në rastin e taksës. Nuk duhet rënë në kurthin e Serbisë dhe të ndihmësve të saj në Tiranë e në Prishtinë”, shpjegon Bytyçi.

Profesor Bytyçi e ka kritikuar ashpër Lajçakun, i cili kërkoi ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

“Së treti, në Beograd Lajçak kërkoi që për Asociacionin të ndryshohet kushtetuta e Kosovës. Dhe e motivon me atë se "ndryshimi i kushtetutës sjell zhvillim, është përparim", duke spekuluar me ligjin universal të ndryshimit dhe evoluimit të shoqërisë dhe të natyrës. E kërkoi në Beograd, sepse dikush atje i tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kosova duhet të ndryshojë kushtetutën. Dhe një zëdhënës I Brukselit e motivoi këtë me nevojën që palët kur nënshkruajnë një marrëveshje ndërkombëtare, duhet të japin garanci për zbatimin e saj, edhe me ndryshime kushtetuese. Por kushtetuta e Kosovës është kushtetutë e ndërkombëtarëve, jo e Prishtinës. Është kushtetutë e Martti Ahtisaarit, i lauruar me Çmimin Nobel për Paqe. Nuk është kushtetuta e Lajçakut! Po të ishte aq i lartësuar Lajçak, sa Ahtisaari, do ishte ky ndërmjetësues për statusin e Kosovës. Kushtetuta e Serbisë është kushtetutë e Milosheviçit. Dhe atë nuk kërkon të ndryshohet”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, në Bruksel dhe as Lajçak nuk mund të kërkojnë zbatimin e asaj marrëveshjeje me ndryshime kushtetuese.

“Nga ana tjetër marrëveshjet ndërkombëtare nënshkruhen nga persona, të cilat nuk janë të zgjedhur nga populli, por janë të zgjedhur nga parlamenti. Në demokraci sovrani është populli dhe parlamenti. Nëse parlamenti nuk e sheh me vend një marrëveshje të nënshkruar nga një përfaqësues i shtetit, ai ka të drejtën ta hedhë poshtë. Kjo ka ndodhur me marrëveshjen e Asociacionit. Gjithçka është legjitime dhe legale. Ndaj në Bruksel dhe as Lajçak nuk mund të kërkojnë zbatimin e asaj marrëveshjeje me ndryshime kushtetuese. Derisa kushtetuta është imponuar njëherë nga ndërkombëtarët, nuk do të imponohet sa herë dëshiron Serbia nga ata. Kushtetuta e sotme e Kosovës u imponua nga ndërkombëtarët, me qëllim që t'i bëjë bashkëvendimmarrës për fatet e Kosovës 5 përqind të popullsisë së saj me etni serbe. Le t’i bëjë Lajçak hungarezët e Sllovakisë vendimmarrës siç janë bërë serbët në Kosovë e pastaj të vijë e të kërkojë qiqra në hell”.

Për fund, përgjegjësinë kryesore, Bytyçi e hedh tek Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.

“Dhe së fundi, përgjegjësia kryesore e këtij ngërçi nuk bie te Lajçak dhe ndërkombëtarët, bie te Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, dy protagonistët që kanë nënshkruar marrëveshje antikushtetuese në Bruksel”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat