Të “shkarkuarit” e Hotit të ndiqen edhe penalisht

Politika

Të “shkarkuarit” e Hotit të ndiqen edhe penalisht

Hava Orana Xhukolli   Nga Hava Orana Xhukolli Më 20 tetor 2020 Në ora: 19:36
Avdullah Hoti

Qeveria paraprake e drejtuar nga Albin Kurti është përmendur shumë për shkarkimet që i ka bërë në institucionet e ndryshme të vendit. Ish kryeministri Albin Kurti ka shkarkuar një numër të madh të zyrtarëve, duke përfshirë edhe kryeministrin aktual, Avdullah Hotin, që atë kohë mbante pozitën e zëvendëskryeministrit.

Tash, Avdullah Hoti si kryeministër vendi, ka bërë poashtu disa shkarkime në institucione të ndryshme. Madje, kryeministri Hoti ka shkarkuar disa individë që ishin emëruar në kohën e Qeverisë Kurti. Kjo u pa si hakmarrje nga opozita pasi Hoti e shkarkoj drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj. E ky shkarkim erdhi pasi u arrestua Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, që vjen nga e njëjta parti me kryeministrin Hoti.

Njohësit e çështjeve politike në vend e shohin dukurinë e emërimeve dhe shkarkimeve si të rrezikshme për vendin e që duhet të largohet përgjithmonë. Megjithatë, kjo metodë thonë analistët politikë se është përdor nga secila parti, për të emëruar militantët e vetë partiakë.

Shkarkimet rezultat i emërimeve të këqija

Image
Skënder Zogaj

Kështu, analisti politik, Skënder Zogaj, thotë se funksionimi i qeverive që nga zanafilla e pasluftës në Kosovë është nisur keq, sepse, të gjitha qeveritë funksionimin e kanë bazuar duke grumbulluar partiakët e vet militantë.

“Kështu kanë vepruar për të qenë sa më tē forta në realizimin e aspiratave të tyre, edhe përtej programeve të proklamuara! Kjo logjikë e veprimit ka shkaktuar pasoja të rënda në administrimin shtetëror, sepse, me ndërrimet e shpeshta të qeverive, janë shoqëruar edhe me ndryshime të mëdha e të pa justifikueshme kuadrovike,  që e kanë dëmtuar rëndë profilizimin profesional dhe forcën e funksionimit të institucioneve shtetërore”, thekson Zogaj.

Sipas tij, logjika e qeverisjes me militantët partiakë, nuk ka dyshim se është dukuri e shëmtuar, shumë e rrezikshme që duhet të flaket njëherë e përgjithmonë.

Zogaj duke folur për shkarkimet që i ka bërë së fundi kryeministri Hoti, thotë se nuk dihen arsyet.

“Sa i përket shkarkimeve të fundit nga ana e Kryeministrit Hoti, është vështirë të flitet pa e ditur saktë arsyen pse janë bërë? Mirëpo, nëse kemi parasysh se edhe këto kuadro, paraprakisht kanë qenë emërime partiake, atëherë zbutet befasia, sepse, del se, janë ndryshime brenda standardit të përvojës aktuale kosovare”, vlerëson ai.

Zogaj thotë tutje për “Bota sot” shkarkimet kurrë nuk janë të mira, mirëpo, ato shpesh janë rezultat i emërimeve të këqija e qëllimkëqija, kështu që, dua të besoj se, këto ndryshime nuk e kanë arsye hakmarrjen, por kanë për qëllim ngritjen e cilësisë profesionale të punës dhe të përgjegjësisë zyrtare.

“Në këtë drejtim duhet ta theksojmë hapur, se kur Kosova një ditë do ta ketë një qeveri të denjë, shkarkimet dhe ndryshimet kanë për të qenë të shumta dhe aspak befasuese, nëse del e saktë "thashethemi" se në administratën e tashme kosovare, janë mbi 5000 zyrtarë me diploma të blera, të cilët jo vetëm se duhet të shkarkohen, por edhe kanë për tu ndjekur  penalisht”, thekson Zogaj.

Partitë u provuan në pushtet

Image
Leon Duhanaj

Poashtu edhe analisti politik, Leon Duhanaj thotë se politika në Kosovë është e njohur për temat e tilla të ngarkimeve dhe shkarkimeve nëpër borde.

“Politika kosovare, është e përshkruar me tema të tilla, përkatësisht ngarkime e shkarkime nëpër  borde të ndryshme. Natyrisht që kjo metodë, në radhë të parë është shfrytëzuar nga partitë e ndryshme në koalicion për pazare politike, përkatësisht rehabilitim të kuadrit partiak. Kjo nuk është aspak në rregull, por as nuk bën përjashtim. Të gjitha partitë tashmë janë provuar në pushtet, dikush me pak, e dikush me shumë, por që të gjitha e kanë keqpërdorur këtë aset”, vlerëson ai.

Duhanaj poashtu thotë se arsyeja e shkarkimeve nuk dihet po kjo duhet të hetohet nga organet kompetente.

“Tani, nuk mund të konkludoi arsyet për shkarkimet e sakta. Kjo punë mund dhe duhet të hetohet përkatësisht sqarohet nga organet kompetente. Nëse qeveria ka marrë vendim për shkarkime, atëherë ketë duhet ta shoqërojë me sqarimet e nevojshme, për ndryshe do të cilësohej si hakmarrje politike”, thekson Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat