Deklarata e Lajcak për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, një deklaratë e pamatur dhe jo profesionale

Politika

Deklarata e Lajcak për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, një deklaratë e pamatur dhe jo profesionale

Nga: D.B. Më: 21 tetor 2020 Në ora: 15:10
Miroslav Lajcak

Deklarata e përfaqësuesit special i BE-së, Miroslav Lajcak për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës për të akomoduar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ishte qartazi një deklaratë e pamatur dhe joprofesionale.

Kështu ka vlerësuar njohësi i çështjeve të Integrimeve Evropiane Sami Blakaj i cili në një prononcim për gazetën “ Bota sot” ka thënë se Lajcak këtë deklaratë e bëri nga Beogradi, respektivisht nga vendi i cili në preambulën e Kushtetutës së tij e përcakton Kosovën si pjesë integrale të Serbisë.

Image
Sami Bakaj

Sipas tij, pikërisht fakti që Serbia në normativën e saj kushtetuese edhe më tutje e konsideron Kosovën pjesë e pandashme e saj, ky do duhej të ishte argument i mjaftueshëm për diplomatin sllovak, që i njëjti kërkesën e tij për ndryshimet kushtetuese ta adresoj tek pala serbe.

“Aktualisht Kosova ndodhet në një momentum të ndjeshëm politik dhe në këtë fazë të dialogut pala e Kosovës, duhet të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme dhe e vendosur. Në këtë kuptim, mendoj se të gjitha partitë politike parlamentare, pozitë dhe opozitë duhet t’i bashkojnë forcat dhe njëzëri t’i kundërshtojnë ndryshimet e kërkuara kushtetuese. Kjo për arsyen e argumentit, meqë çfarëdo ndryshimi kushtetues që lidhet me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe do ishte i rrezikshëm për organizimin shtetëror të Kosovës dhe kësisoj do të binte në kundërshtim me vetë identitetin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, është shprehur njohësi i çështjeve të Integrimeve Evropiane Sami Blakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat