Hoti i urtë, është dashur më ashpër t’i përgjigjet Lajçakut!

Politika

Hoti i urtë, është dashur më ashpër t’i përgjigjet Lajçakut!

Nga: A.Z Më: 21 tetor 2020 Në ora: 16:00
Avdullah Hoti dhe Miroslav Lajçak

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i është përgjigjur emisarit special për dialog, Miroslav Lajçak, ku tha se Kosova edhe Serbia duhet të bëjnë ndryshime Kushtetuese për të vënë në funksion Asociacionin e Komunave Serbe.

Hoti ka thënë se shteti i Kosovës i ka vendosur parimet e tij karshi dialogut, duke siguruar se nuk do të preket integriteti territorial si dhe karakteri unitar i Kosovës.

Në lidhje me këtë përgjigje të Hotit, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, në një prononcim për "Bota sot", ka thënë se në kërkesën e Lajçak se Kosova duhet të ndryshojë kushtetutën për formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe, Hoti do të duhej të përdorte tonë më të ashpër ndaj tij, sepse sipas Elezaj këtë kërkesë nuk e bëri sa ishte në Prishtinë, por e bëri qëllimisht nga Beogradi.

"Përgjigja e kryeministrit Avdullah Hoti dhënë emisarit të BE-së për ndërmjetësim në dialogun Kosovë-Serbi, z. M. Lajçak, sidomos në kërkesën e tij, “se Kosova duhet ta ndryshojë kushtetutën e saj për ta mundësuar formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe”, sipas mendimit tim z. A. Hoti do duhej të kishte përdorë tone më të ashpra ndaj tij, ngase z. Lajçak qëndroi tri ditë në Kosovë dhe një kërkesë të tillë nuk ua shtrojë zyrtarëve në Prishtinë gjatë bisedimeve që pati me shumë subjekte dhe udhëheqës të institucioneve shtetërore të Kosovës. Por, siç duket këtë kërkesë ai e la qëllimisht që t’ua drejtoi nga Beogradi, gjest ky dhe kërkesë kjo e z. Lajçak që nuk ishin fare të sinqerta, ngase të deklarosh nga Beogradi se Kosova duhet ta ndryshon Kushtetutën e saj vetëm për t’ia mundësuar serbëve lokalë në Kosovë formimin e asociacionit të komunave ku ata janë shumicë, është barazi me akt skandaloz diplomatik", deklaroi Elezaj

Më tutje shtoi se Hoti do të duhej që t'ia bënte hapur këto vërejtje, e të mos fliste për gjërat e Kosovës të cilat nuk mundet askush të vë pikëpyetje, përderisa Kosova është shtet sovran dhe i pavarur.

"Prandaj, këto vërejtje duhej t’ia thoshte hapur kryeministri A. Hoti, e jo t’i flet për parime ndaj dialogut, për integritetin dhe unitarizmin e shtetit të Kosovës, gjëra të cilat as z. Lajçak dhe askush në Evropë dhe botë nuk mund t’i vënë më në pikëpyetje, sepse Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe Pikë, i pëlqeu kjo dikujt apo nuk i pëlqeu. Dhe vetëm pas reagimit nga vetë zyrtarët e BE-së, se Kushtetutën duhet ta ndryshojë edhe Serbia e jo vetëm Kosova, tek atëherë z. Lajçak iu bëri kërkesë edhe zyrtarëve serbë që ta ndryshojnë Kushtetutën e tyre në të cilën Kosova ende është “pjesë” e Serbisë..!?", tha Elezaj

Elezaj nuk e sheh Avdullah Hotin si person të duhur për të udhëhequr bisedime në emër të Kosovës, sipas tij i mungon guximi politik, uni personal dhe zhdërvjelltesia diplomatike duke i'a shtuar edhe mungesën e ekipit profesional negociues.

"Në këtë rast dëshiroj ta theksoj faktin, se z. Avdullah Hoti, ani se duket të jetë njeri i qetë, i urtë, i kujdesshëm dhe i rafinuar në sjelljet dhe deklaratat e tij lidhur me dialogun me Serbinë në përgjithësi, si dhe për temat konkrete siç është çështja e asociacionit, në veçanti, vërehet qartë tek ai se nuk ka përvojë të duhur për të udhëhequr bisedime në emër të Kosovës në rang kaq të lartë shtetëror, pra i mungon guximi politik, uni personal si dhe zhdërvjelltësia diplomatike, prandaj jam shumë skeptik se z. Hoti do t’ia dalë që me sukses ta përmbyllë dialogun me Serbinë, shto kësaj edhe mungesën e vizionit politik, mungesën e ekipit profesional negociues, sidomos me politikanë me përvojë ndërkombëtare, dhe kështu me radhë..!", përfundoi Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat