Qemal Minxhozi: Kufiri të bëhet si diçka imagjinare dhe jo realitet konkret

Politika

Qemal Minxhozi: Kufiri të bëhet si diçka imagjinare dhe jo realitet konkret

Nga: G.B Më: 21 tetor 2020 Në ora: 17:58
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi

Heqja e kufirit në pikat doganore në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, ishte ajo që u tha në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

E për këtë, ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se nuk do të thotë që me një mbledhje të qeverive hiqen barrierat, pasi janë dy qeveri, dy shtete, por që kemi ecur mirë përpara.

“Duhet të kemi parasysh që është kthyer në traditë që vit për vit të mblidhen dy qeveritë dhe të diskutojnë për problemet që ka. Nuk do të thotë që me një mbledhje qeverie u hoqën barrierat, sepse kemi të bëjmë me dy shtete që kanë prioritete të veçanta secila prej tyre. Nuk është një qeveri por janë dy qeveri dhe ne mundohemi që t'i afrojmë sa më shumë mentalitetet e dy qeverive, në funksion të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe të tjera. Prandaj, kanë ecur, kemi bërë shumë përpara në këtë drejtim. Ne p.sh në qoftë se krahasojmë vitin 2016 me vitin 2019, ne kemi pothuajse një dyfishim të shkëmbimeve tregtare. Vitin e kaluar janë shkëmbyer rreth 307 milionë euro mallra në të dy anët e kufirit, nga 160 milionë sa kanë qenë në vitin 2016. Dhe kjo vjen si rezultat i kontakteve të vazhdueshme, i heqjes së barrierave dhe ka arritje në këtë drejtim, megjithatë ne duhet të ecim edhe më përpara”, ka thënë Minxhozi në një intervistë për gazetën “Bota sot”.

Sa i përket pikës kufitare, ai ka thënë se kjo vjen si domosdoshmëri për shkak që jemi dy shtete, por sipas tij, duhet zbutur efekti i këtyre kufijve dhe që duhet bërë që çështjen e kufirit si diçka imagjinare dhe jo si një realitet konkret.

“Për sa i përket pikës kufitare, d.m.th prapë se prapë ekzistenca e dy shteteve e ka domosdoshmëri për të pasur kufi, por sa do të jemi në gjendje ne për ta zbutur efektin e këtyre kufijve, kjo është shumë e rëndësishme dhe për këtë edhe mbledhja e dy qeverive u fokusua se si ta bëjmë sa më të padukshëm këtë kufi, duke rritur bashkëpunimin. Prandaj, unë mendoj se nuk ka një datë, një kohë, por ne çdo ditë duhet të luftojmë për ta zbutur dhe për ta bërë çështjen e kufirit si diçka imagjinare dhe jo si një realitet konkret. Dhe radhët në kufi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë janë krejt minimale, nuk ka pasur pritje të gjatë, megjithëse ka pasur një intensitet të madh të fluksit të qytetarëve”, ka deklaruar Qemal Minxhozi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat