Skandali me 2 milionë eurot, Haziri tregon kush qëndron prapa këtij skenari: Kështu u tentua rrëzimi i Hotit

Politika

Skandali me 2 milionë eurot, Haziri tregon kush qëndron prapa këtij skenari: Kështu u tentua rrëzimi i Hotit

Nga: P.R Më: 21 tetor 2020 Në ora: 19:33
Policia e Kosovës/ Foto ilustrim

Një skandal i ri ka goditur Kosovën. Mbi 2 milionë euro janë marrë ilegalisht nga thesari shtetëror i Kosovës, ku sipas Policisë, lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar, ndërkaq dy të tjerë gjenden në arrati.

“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

E Ministrja e Financave Hykmete Bajrami tha se paratë kanë përfunduar në llogaritë e një operatori ekonomik.

“Sot s’është lajmi i mirë, e keni parë në gazetë. Bëhet fjalë për katër trasnsaksione të dyshimta, që kanë ndodhur nga llogaria e thesarit që është në kuadër të Ministrisë së Financave. Dy milionë euro kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik. Deri më tani janë suspenduar dy zyrtarë, njëri nga ta është arrestuar nga Policia e Kosovës. Ne tani më kemi gjurmuar, ky është transaksion bankar. Institucionet e rendit janë duke u marrë, duke parë se kush janë përfituesit fundor. Institucionet e rendit po bëjnë përpjekje maksimale që këto mjete t’i kthehen buxhetit të Kosovës”, tha Bajrami.

E sipas raportimeve në media, kompania në të cilën u transferuan paratë është, LDA Group Shpk, me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Drenasit.

Po ashtu, sipas burimeve të mediave, personat e dyshuar janë: Labinot Gruda (1956), Kadri Shala (1964 )dhe Valon Shala (1955), të gjithë shtetas të Republikës së Kosovës

Krejt kjo që ka ndodhur, sipas analistit dhe njohësit të zhvillimeve politikë në vend, Nexhat Haziri është një skandal që godet rëndë imazhin e shtetit të Kosovës.

Image
Nexhat Haziri

“Përveç që është një skandal që godet financat e shtetit në këtë kohë të një jostabiliteti financiare dhe rënie të shkallës së zhvillimit ekonomik si pasojë e pandemisë Covid-19, godet imazhin e vendit dhe përforcon edhe më tej atë çfarë është thënë edhe më parë se në institucionet më të larta të shtetit ka depërtuar krimi I organizuar dhe mafia politike. Nuk duhet harruar se skandalet e famshme të vjedhjes në dhomat e hetuesisë në Prishtinë dhe në Pejë, për të cilat nuk patëm asnjë hetim apo adresim të përgjegjësisë lidhur me këto skandale”, thotë Haziri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, prapa këtij skenari qëndrojnë të fortit e politikës.

“Ky skenar i vjedhjes të më shumë se 2 milion euro nga thesari i shtetit, është e paramenduar dhe i planifikuar mirë dhe prapa saj mendoj se qëndrojnë edhe njerëz të fuqishëm të politikës dhe jashtë saj, dhe kjo paraqet nevojën e një hetimi të pavarur dhe profesional për të arritur deri të adresa e saktë apo origjina e se kush është përfituesi kryesor nga ky skenar. Pra hetimet duhet të shkojnë përtej “LDA Group Shpk, me bazë në Llapushnik të Drenasit”, shprehet Haziri.

Më tej, Haziri deklaron se përmes vjedhjes së 2 milionë eurove, është synuar të rrëzohet Qeveria Hoti.

“Po ashtu mendoj se përmes kësaj vjedhje është synuar edhe goditja e qeverisjes së mirë nga kryeministri Hoti dhe eventualisht edhe rrëzimin e saj për shkak të këtij skandali. Është shumë me rëndësi si disa nga akterët e këtij plani të plaçkitjes së thesarit, janë arrestuar dhe identifikuar, po ashtu janë identifikuar edhe transaksionet e parasë, por mbetët detyre e organeve të hetuesisë për të shkuar deri në fund këtij procesi hetimor për ta zbardhur më kryesoren, se kush qëndron prapa këtij grupi kriminal”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat