A do të ketë destabilizim të gjendjes në Kosovë nëse konfirmohen aktakuzat nga Specialja për Thaçin e Veselin? Flet analisti politik

Politika

A do të ketë destabilizim të gjendjes në Kosovë nëse konfirmohen aktakuzat nga Specialja për Thaçin e Veselin? Flet analisti politik

Nga: N. H Më: 21 tetor 2020 Në ora: 20:57
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Kanë mbetur vetëm edhe tre ditë që Gjykata Speciale me seli në Hagë që të konfirmojë ose të hedhë poshtë aktakuzat për krime lufte ndaj presidentit, Hashim Thaçi, e liderit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli.

Me 24 tetor bëhen plotë 6 muaj, prej kur Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar këtë aktakuzë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) aktakuzën në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari, njëherit lideri i PDK-së, Kadri Veseli, dhe persona të tjerë akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat vrasje të paligjshme, zhdukje të detyruar të personave, përndjekje dhe tortura”.

Lidhur më këtë çështje, për gazetën “Bota sot”, ka folur njohësi i zhvillimeve politike në vend.

Analisti politik, Mustafë Kadriaj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, shprehet se presidenti aktual, Hashim Thaçi, dhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli, do t’i përgjigjen pozitivisht Gjykatës Speciale pa bërë zhurmë në rast të konfirmimit të aktakuzave, pasi sipas tij, ndryshe do të dëmtohej karriera e tyre politike.

Image
Mustafë Kadriaj

“Si protagonistë kryesor të luftës dhe politik-bërjes vlerësoj që dy figurat si Thaçi dhe Veseli do t’i përgjigjen Gjykatës Speciale pa bërë zhurmë për ndryshe do të dëmtohen karriera e tyre politike pra ashtu siç e kanë vlerësuar që nga fillim si një proces i padrejtë, por që do i përgjigjen. Se çfarë do vendosë kjo i mbetet Gjykatës Speciale dhe nuk dua të paragjykojë normal si për çdo çlirimtar vlerësoj që mos të ngritët aktakuza apo të dënohen sepse kjo e dëmton kauzën tonë për liri”, u shpreh Kadriaj.

Ndërsa, i pyetur se a do të ketë destabilizim të gjendjes në Kosovës, në rast të konfirmimit të aktakuzave ndaj presidentit Thaçi e ish-kryeparlametarit Veseli, ai konsideron se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Pra, vlerësoj që nuk do ketë tensionim të situatës politike në vend edhe nëse do të konfirmohen aktakuzat për faktin që posti i presidentit ka hapësirë ligjore për ty zgjedhur po ashtu edhe lidershipi i PDK-së do e vazhdojë rrugëtimin politik, por ju mbetet strukturave udhëheqëse se a do të zgjedhin kryetar të ri apo të vazhdojnë me liderin aktual z.Veseli”, u shpreh mes tjerash ai.

Në fund, ai bën thirrje se lidershipi në vend duhet të jetë unik, me të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë.

“Si përfundim lidershipi në Kosovë duhet të tregojë bashkëpunim me të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë, në këtë rast edhe me Gjykatën Speciale për faktin që duhet të ruaj kursin politik dhe orientimin e Kosovës si shtet demokratik”, tha në fund, analisti politik, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat