Blerja në mënyrë “kriminale” e tokave të Kosovës

Politika

Blerja në mënyrë “kriminale” e tokave të Kosovës

Arife Morina Nga Arife Morina Më 22 tetor 2020 Në ora: 09:55
Foto ilustrim

Një deklaratë e kryesuesit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Blerim Rexhës, se toka e shtetit është dhënë pothuajse falas, ka ngjallur reagime të shumta në opinonin publik. Sipas Rexhës, pesë mijë ari tokë të pronës shoqërore janë shitur vetëm nga një euro ari në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Blerim Rexha që ka qenë kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka thënë se edhe arsyeja e dorëheqjes nga kjo pozitë ka qenë privatizimi me çmim mjaft të ulët i këtyre tokave.

“Pesë mijë ari tokë janë shitur nga një euro ari. E kam kundërshtuar këtë proces të privatizimit me këtë çmim mjaft të ulët. Ndërsa, në bord anëtarët me thoshin, ‘po të dhimbset toka e Kosovës?’. Andaj, kjo ka qenë një ndër arsyet e dorëheqjes”, deklaroi Rexha.

Bazuar në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, një prej zyrtarëve që ka blerë toka në privatizim me këto çmime është edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Ish-kryeministri, Haradinaj ka deklaruar pasuri të paluajtshme tokë kodrinore prej 200 hektarësh të blerë në privatizim në vitin 2009 në vlerë 75 mijë euro, e që i bie 3 euro e 75 cent arin.

Kreu i AAK-së deklarimin e pasurisë e ka bërë në kohën sa ishte kryeministër i Kosovës, ndërkaq për tokën e blerë me privatizim e ka deklaruar në pronësi të përbashkët.

Përveç, Ramush Haradinajt edhe një komandant tjetër i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka blerë tokë të shtetit nga Agjencia e Kosovës për Privatizim.

Bëhet fjalë për kushëririn e Ramushit, Nasim Haradinajn, i cili në deklarimin e pasurisë së tij tregon se vitin 2004 ka blerë 220 hektarë tokë nga privatizimi. Këta hektarë tokë, Haradinaj i ka deklaruar tek pjesa e pasurisë së paluajtshme me vlerë prej 3 milionë e 300 mijë euro. Me vlerën e deklaruar nga Nasim Haradinaj, i bie që një ari tokë të kushtojë vetëm 150 euro.

Përveç, të lartpërmendurve janë raportuar edhe disa emra të tjerë të cilët kanë përfituar nga privatizimi i pronave. Ndër ta, janë Selim Selimi, vëllai i ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, Ilaz Selimi, vëllai i deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi. Njëjtë kishte vepruar, edhe ish-deputet i Lëvizjes “Vetëvendosje” , Florian Kelmendi.

Analistë të çështjeve politike dhe politikanë të shumtë kanë reaguar ashpër duke qenë kundër kësaj mënyre të privatizmit të pronave, pasi duke u mundur të përfitojnë disa persona për interesat e tyre personale, ata po e dëmtojnë rënd zhvillimin dhe shtet ndërtimin e vendit.

Zogiani: Shitja e tokave me këtë çmim mund të ishte bërë vetëm për të tërhequr investitor të huaj

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” foli për ndikim dhe dëmet që i vijnë Kosovës nga kjo mënyrë e privatizimit të tokave.

Image
Avni Zogiani

Zogiani tha se këto toka në vende të tjera të botës edhe mund të ishin shitur me këtë çmim, por me synimin që të tërheqin investitorë dhe jo për interesa të personave të caktuar.

“Këto toka edhe mund të ishin shitur me çmime të lira, siç ndodhë në shumë vende, me qëllim të tërheqjes së investitorëve të huaj, dhe shtimin e prodhimtarisë vendore. Pra derisa vendet tjera me këtë politikë shtojnë investimet e huaja, në Kosovë politika vetëm transferon pronat me çmime simbolike dhe i kthen ato në vende për ndërtim, apo edhe i lë thjesht djerrinë”, deklaroi Zogiani.

Anëtari i LVV-së, u shpreh se në këtë mënyrë Kosova po dëmtohet shumë, pasi shteti po ngelet pa prona dhe në këtë mënyrë zvogëlohet mundësia për të tërhequr investitor të huaj.

“Këtu bëhet dëm i shumëfishtë sepse e para merret një provë publike, e dyta, shtetit nuk i ngelen prona edhe nëse dëshiron të tërheqë investues të huaj, dhe e treta këto prona nuk shfrytëzohen fare për prodhim, në shumicën e rasteve”, përfundoi Zogiani.

Qarri: Korrupsioni, nepotizmi, krimi i organizuar i komandantëve ka bllokuar zhvillimin e Kosovës

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, për këtë temë foli edhe njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri. Ai tha se shitja e një ari tokë nga 1 euro është një gjë që nuk mund të dëgjohet në asnjë vend të botës.

Image
Gani Qarri

“Mjerisht sot kushton shumë herë më lirë, një ari tokë i blerë nga Ramush Haradinaj dhe komandantët tjerë në Kosovë, se sa një hyrje e një qytetari të thjeshtë të vendit në Prishtinë. Paradokse të tilla të pa dëgjuara kund në planetin tokë, në shekullin XXI mund të ndodhin vetëm në Kosovë dhe askund tjetër, sado pa rend e ligj dhe mënyrë të çakorduar që mund të qeveriset një vend kudo qoftë ai në botë”, deklaroi Qarri.

Qarri bëri kërkesë që pas këtyre parregullsive, duhet sa më shpejtë të formohet një komision i veçantë parlamentar, për rishikim e ligjësisë së privatizimit, rishqyrtimin mënyrës së përvetësimit të pronave private.

“Ndaj pas gjithë këtyre parregullsive pronësore e juridike që kanë ndodhur gjatë gjithë viteve të pasluftës, në Kosovë, është koha e fundit që të krijohet sa më parë një komision i veçantë parlamentar, për rishikimin e ligjësisë së privatizimit, rishqyrtimin e mënyrës së përvetësimit të pronave e pasurive private e shoqërore, si dhe normalizimin ligjor të problemit të pronësisë, nën mbikëqyrjen e Kuvendit të Kosovës, përderisa edhe 21 vite nga paslufta, shteti ynë i brishtë ende mbetet totalisht i zhytur në kaos dhe parregullsi ligjore”, nënvizoi ai.

Qarri tha se përvetësimi i egër i pasurive të vendit nga komandantët, ka bllokuar shtet ndërtimin dhe investimet serioze në Kosovë. Sipas tij, me një projektligj të thjeshtë nga Kuvendi, do të kishte mundësi të vërtetonte fare lehtë pronësinë e secilit individ ose kompanie në Republikën e Kosovës.

“Korrupsioni, nepotizmi, krimi i organizuar, plaçkitja, menaxhimi mafioz dhe përvetësimi i egër e kundërligjor i tokave dhe pasurive kryesore të vendit nga komandantët, tash e sa vite ka bllokuar shtet ndërtimin, zhvillimin normal dhe ecurinë e investimeve serioze në Kosovë. Ndaj me një projektligj krejt të thjeshtësuar dhe pa komplikime burokratike nga Kuvendi, do të mund të provohej, jo vetëm pronësia por edhe forma e përvetësimit të pasurive kundërligjore, do të bëhej në mënyrë fare të lehtë vërtetimi i pronësisë së secilit individ a kompanie në Republikën e Kosovës, si dhe do të qartësohej plotësisht, se kush dhe si janë bërë pronar, në ç ‘mënyrë dhe me çfarë çmimesh, kanë përvetësuar ato pasuri, duke filluar nga çmimet më skandalozet "një euro për ari" dhe bartur mbi vete, në mënyrë të jashtëligjshme pronat të cilat deri vonë nuk u kanë takuar fare atyre”, theksoi Qarri.

Ai shtoi se pa marrë parasysh individët, qofshin edhe komandantë, nuk duhet lejuar assesi që të bëhet përvetësimi i pronave të vendit në mënyra të dyshimta.

“Madje nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë, që të bëhet ligjësimi i pronësive të dyshimta mbi këto prona, qofshin ata edhe komandant Hasha, Ramush Haradinaj,Isa Mustafa, Haki Rugova, Adem Grabovci, komandant Remi, Sami Lushtaku apo kushdo qoftë tjetër, pa zhvillimin normal të proceseve administrative dhe vlerësimin real të pronave e pasurive të paluajtshme, qofshin ato private, apo pasuri të shtetit. nga një komision i specializuar pronësor i formuar nga Kuvendi”, tha Qarri, përcjell “Bota sot”

Për fund, Qarri kërkoi që të u kushtohet vëmendje disa pronave të caktuara, të cilat kanë rëndësi të madhe ekonomike, të cilat ndikojnë në shtet ndërtimin e vendit.

“Kujdes të veçantë, me këtë rast duhet kushtuar sidomos zonave të vlerësuara me kosto të lartë për tregti dhe tokave me rëndësi të veçantë ekonomike për zhvillim të bizneseve, të cilat nga të fortit e vendit po përvetësohen forcërisht, apo vetëm me çmime qesharake, nga "1 euro-ari" sikur ata të vinin si investitor të stimuluar nga shteti, për hir të potencialeve të pakrahasueshme të investimit dhe zhvillimit në masë të vendit, dhe jo individë që njihen si shkatërruesit e çdo gjëje në Kosovë”, përfundoi Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat