Flasin sërish nga Gjykata Speciale për aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit

Politika

Flasin sërish nga Gjykata Speciale për aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit

Nga: A.Zh Më: 22 tetor 2020 Në ora: 16:11
Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi

Edhe dy ditë kanë mbetur para se Gjykata Speciale të konfirmojë ose të hedhë poshtë aktakuzat për krimet lufte ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Gjykatën Speciale, ka thënë për gazetën “Bota sot” se derisa aktakuza të bëhet publike, ajo mbetet konfidenciale.

Ajo ka thënë se aktakuzat do të bëhen publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të akuzuarve para Gjykatës.

“Lidhur me pyetjen tuaj, derisa një aktakuzë të bëhet publike, ajo mbetet konfidenciale, së bashku me procedurat në lidhje me rishikimin e saj. Rregullat e Procedurës dhe Provave parashikojnë që, nëse konfirmohet, një aktakuzë do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të Akuzuarit para Gjykatës”, ka deklaruar Griep për “Bota sot”.

Ndërsa, e pyetur për rastin e krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Hasim Haradinaj, ajo ka thënë se ndaj tyre janë mbajtur seancat dëgjimore, ku ata u njohën me të drejtat e tyre.

Zyrtarja e Speciales, ka thënë se të drejtat e Gucatit dhe Haradinajt po respektohen, përfshirë edhe të drejtën për këshillim.

“Nasim Haradinaj kishte paraqitjen e tij të parë si i dyshuar para Gjykatësit më 29 Shtator 2020 dhe Hysni Gucati kishte paraqitjen e tij të parë si i dyshuar më 1 Tetor 2020. Në të dy këto seanca, Gjykatësi u sigurua që të dyshuarit të kuptonin të drejtat e tyre dhe që këto të drejta po respektohen, përfshirë edhe të drejtën për këshillim”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zyrtares për Informim.

Ndërsa, lidhur me mundësinë që ata të lirohen, Griep ka thënë se ky vendim i takon gjykatësit.

“Gjatë këtyre seancave, Gjykatësi kërkoi nga Prokuroria që të jepte ndonjë indikacion për hapat e ardhshëm procedural, përfshirë edhe kur Prokurori planifikon të ngritë aktakuza, duke pasur parasysh që Gjykatësi priste që procesi gjyqësor të ishte i drejtë dhe i shpejtë. Në të dy seancat, mbrojtja ka ngritur propozime, duke përfshirë akuzat që do të hiqen dhe që të dyshuarit të lirohen. Gjykatësi kërkoi nga Prokuroria që të paraqesë përgjigjen e tyre ndaj këtyre mocioneve. Tani i takon gjyqtarit të vendosë për këto mocione”, kanë thënë nga Gjykata Speciale për gazetën./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat