Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe sfidon shtetin e Kosovës

Politika

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe sfidon shtetin e Kosovës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 22 tetor 2020 Në ora: 22:09
Foto ilustrim

Deklarata e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për ndryshimin e kushtetutës ka bërë jehonë të madhe në vendin tonë.

Për këtë deklaratë të Lajçak, ekspertët kanë thënë se klasa politike në vend duhet të jetë unike rreth çështjes së Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë.

Gjithashtu, ata tregojnë se në cilin rast do të duhej të bëhet ndryshimi i Kushtetutës.

Deklarata e Lajçakut shkelje e sovranitetit të Kosovës

Njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, deklaratën për ndryshmin e Kushtueses e ka quajtur të pamatur dhe shkelje sovranitetit të Republikës së Kosovës.

“Deklarata e përfaqësuesit të BE-së z. Lajçak së duhet të bëhet ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës është deklaratë e pa kuptimta e që ka pas edhe nga BE-ja që as vetë së kanë besuar së nga përfaqësuesi i tyre ka dalë një deklaratë e tillë. Kjo deklaratë është shkelje sovranitetit të Republikës së Kosovës pasi që ai ndryshim është kërkuar për themelimin e Asociacionit, e që çdo ndryshim që kërkohet mund të bosnizojë republikën tonë, të pasi që asociacioni po kërkohet më kompetenca ekzekutive”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Islam Krasniqi

Për më tepër, Krasniqi është shprehur se Kosova duhet të bëjë ndryshimin e kushtetues vetëm në rastin ku të gjithë qytetarët duhet të trajtohen njëjtë.

“Serbia e ka obligim ndryshimin e Kushtetutës për t'a larguar Kosovën nga kushtetuta e saj edhe ne duhet t'a ndryshojmë tonën për t'i trajtuar për t'i trajtuar të gjithë qytetarët e barabartë duke ju hequr të drejtën e vetos minoritetit serbë, e të na kushtëzojnë në çdo proces të rëndësishme për vendin tonë, në të kundërtën shteti do të bëhet jo funksional!”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

Asociacioni sfidon shtetin e Kosovës

Ndërkaq, Profesori dhe një prej hartueseve të Kushtetutës së Kosovës, Riza Smaka, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se kërkesa për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, është e kundërshtueshme me Kushtetutën.

Image
Riza Smaka

“Kosova, sipas nenit 1 par. 1 të Kushtetutës së RK-së, është republikë, shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandershëm. Kërkesa aktuale për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, është e kundërshtueshme me Kushtetutën për aq sa do të mund të themelohej me autorizime ekzekutive në një anë dhe, është e paarsyeshme, nga se, në Kosovë, ekziston Asociacioni i komunave të Kosovës. Për sa janë komunat me shumicë shqiptare e të tjerë në Kosovë, aq janë dhe duhet të jenë edhe komunat me shumicë serbe në Kosovë, anëtare të Asociacionit të komunave të Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka thënë se formimi eventual i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, do të trazonte dhe do të sfidonte seriozisht natyrën dhe karakterin e shtetit unik të Kosovës.

“Pra, sikundër komunat tjera në Kosovë edhe komunat me shumicë serbe në Kosovë janë komuna të Republikës së Kosovës dhe si të tilla do të duhej të anëtarësoheshin në Asociacionin e komunave të Kosovës dhe në të t’i realizonin autorizimet e caktuara të tyre. Formimi eventual i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, krahas Asociacionit ekzistues të komunave të Kosovës, do të trazonte dhe do të sfidonte seriozisht natyrën dhe karakterin e shtetit unik të Kosovës, do t’i dyfishonte asociacionet e komunave duke shkaktuar harxhime të pajustifikuara të mjeteve buxhetore madje duke mos ofruar asnjë shërbim publik qe aktualisht nuk do të mund të realizohej në komunat ekzistuese si dhe serbët në vend të integrimit në shoqërinë politike dhe në institucionet kosovare, në masë të konsideruar do t’i getoizonte në kundërshtim të plotë me karakterin e Republikës së Kosovës si shtet qytetarë!”, ka deklaruar Smaka për Bota sot”

Sipas profesorit nëse do ta arrihet një gjë e tillë, shtet i Kosovës shndërrohej në shtet të përbërë të karakterit federativ

“Nëse, në marrëveshjen politike kosovare – serbe do të akordohej formimi i Asociacionit e komunave me shumicë serbe, Kosova nga shteti unik do të shndërrohej në shtet të përbërë të karakterit federativ eventualisht konfederativ dhe për aq shteti dhe shtetësia e Kosovës do të problematizohej skajshëm në dënimin e efikasitetit, eficiencës dhe qëndrueshmërisë! Në atë formë do të shkaktohej çrregullim i parimeve themelore të Republikës së Kosovës nga shteti qytetar e unik në shtet të përbërë, etnik dhe disfunksional!”, ka thekuar ai për “Bota sot”

Për këtë çështje, Smaka do të duhet të bëhet amendimi esencial i Kushtetutës së RK-së veçanërisht i dispozitës së nenit 1.

“Për zgjidhjen e sprasme do të kërkohej amendimi esencial i Kushtetutës së RK-së veçanërisht i dispozitës së nenit 1 par. 1 të Kushtetutës duke e riformuluar Republikën e Kosovës në shtet të përbërë dhe etnik! Ndryshe, procedura legjislative për amendime, modifikime e novelizime të Kushtetutës, nuk është ca e ndërlikuar pos që kërkohet shumica e kualifikuar për t’i votuar si dhe uniteti politik së pakut i partive politike parlamentare”, ka potencuar profesori.

Në fund, ai ka shtuar se klasa politike do të duhej të ishte në platformë unike për refuzimin e idesë dhe konceptit për formim të Asociacionit të komunave serbe.

“Klasa politike aktuale e vendit tonë medoemos do të duhej të ishte në platformë unike për refuzimin e idesë dhe konceptit për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë veçanërisht jo të Asociacionit me funksione ekzekutive! Para çdo takimit ndërkombëtar referuar marrëveshjes kosovare – serbe, klasa politike përkatësisht pushtetarë do të duhej të përgatitej seriozisht dhe të mbështetej me grupe të ekspertëve të mirëfilltë veçanërisht nga fusha e kushtetutës në nivelin doktrinar dhe praktikë!”, ka përfunduar Smaka për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat