Alarm: Njihuni me 6 skandalet e muajit që tronditën Kosovën!

Politika

Alarm: Njihuni me 6 skandalet e muajit që tronditën Kosovën!

Nga: N.Sh. Më: 23 tetor 2020 Në ora: 10:13
Enis Qerka, Blerim Kuçi dhe Labinot Gruda

Vetëm në muajin tetor në Kosovë, kanë ndodhur gjashtë skandale të mëdha, të cilat tashmë janë publike.

Skandale këto që kanë të bëjnë dirëkt me politikanët e shtetit të Kosovës, po ashtu edhe me Qeverinë aktuale.

Nga tenderët me shifra milionëshe, para të vjedhura prej më shumë se dy milionë eurove, vjedhje të arkës prej 300 kg, e deri të burgosja e këshilltarëve për drogë.

Po fillojmë nga skandali i parë që shënoi në këtë muaj aktualisht që gjendemi edhe tani, pra në muajit tetor.

Enis Qerka, i arrestuar për 113 kg drogë, emërohet këshilltar i ministrit të Drejtësisë

Image
Enis Qerka dhe Gani Thaçi

Enis Qerka, ishte arrestuar nën dyshimin se është kapur me 113 kilogramë drogë, në vitin 2018, ndërsa pak kohë më vonë ishte emëruar këshilltar i jashtëm politik i ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi.

Vendimin për emërimin e tij Ministria e Drejtësisë nuk e ka bërë publik sikurse për këshilltarët e tjerë të ministrit.

Kabineti i ministrit Selimi e ka pranuar se “Enis Qerka është emëruar si këshilltar i jashtëm në Ministri të Drejtësisë” dhe se “vendimi është nënshkruar dhe ka shkuar në administratë si çdo vendim tjetër”.

Enis Qerka u bë i njohur në opinion kur u arrestua në kufirin Kosovë-Maqedoni me dyshimin se ishte i përfshirë në kontrabandimin e 113 kilogramëve narkotikë të llojit heroinë, në dhjetor 2018.

Gjykata ia pati caktuar Qerkës një muaj ditë paraburgim, por ai dhe dy të dyshuar të tjerë, vëllai i tij, Selim Qerka, dhe Gent Selaci, qenë liruar nga paraburgimi pas një jave, me urdhrin për t’u paraqitur në stacion të policisë.

Enis e Selim Qerka dhe Gent Selaci janë të vetmit që nuk janë përfshirë në aktakuzën kundër grupit të personave të arrestuar, që u zunë me 113 kilogramë drogë.

Enis Qerka, pas presionit të mediave ishte liruar nga detyra e këshilltari nga Ministri Selimi.

Kompania e ministrit Blerim Kuçi merr tender 5 milionë euro nga shteti i Kosovës

Image
Blerim Kuçi

Kompania “Hidroterm” nga Suhareka, e cila është në pronësi të ministrit aktual të Ekonomisë dhe Mjedisit është shpërblyer me tender pesë milionësh nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) për ndërtimin e objektit spitalor për nënën dhe fëmijën në Prizren.

Në  dokumentet e siguruara nga mediat shihet se kontrata 4,9 milionëshe është nënshkruar nga Selami Krasniqi, zyrtar përgjegjës i prokurimit në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi u.d drejtor i SHSKUK-së, si dhe Nol Paloka në emër të kompanisë “Hidroterm”, ku 100 % e aksioneve janë në pronësi të ministrit Kuçi.

Për këtë proces prokurimi Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) kohë më parë kishte rekomanduar për kontratë një Operator tjetër Ekonomik, e ku tashmë kompaninë e rekomanduar për kontratë e kishte cilësuar si të papërgjegjshme. Por, pas ankesës kompania e cila më parë ishte rekomanduar për kontrate është cilësuar si e papërgjegjshme.

E pas bërjes publike të këtij tenderi, ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi është deklaruar rreth kësaj çështje.

Ai tregoi se kompania “Hidroterm” është pronë e tij që nga viti 1991.

“Para politikës, unë kam një jetë profesionale dhe kam punuar me këtë kompani në shumë projekte në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi”, ka thënë ai.

“Unë nuk mund të inkurajoj kompaninë që të tërhiqet pasi janë rreth 250 punëtorë në zinxhirin e të punësuarve edhe indirekt në punët e “Hidroterm”. Gjithashtu, nuk mund ta inkurajoj të tërhiqet pasi gjithçka ka shkuar sipas rregullave. Por, mund të ju sigurojë se posti im nuk do të ketë asnjëherë asnjë ndikim për të përfituar personalisht. Kam kaq shumë vite në politikë dhe nuk kam asnjë akuzë për korrupsion apo aferë tjetër të jashtëligjshme”, thuhej në reagimin e Kuçit.

Ministria e Arsimit blenë dyfish më shtrenjtë maskat për nxënësit. Në tenderin prej 70 mijë euro, dyshohet se janë keqpërdorur rreth 30 mijë €

Image
Ministria e Arsimit

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor ka siguruar maskat mbrojtëse për të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës.

Çmimi i maskave të tilla në tregun e Kosovës është dukshëm më i lirë se që janë blerë nga Ministria e Arsimit të Kosovës.

Në disa markete të vendit çmimi me pakicë i maskave është 4.99 euro për 50 maska, dukshëm më i lirë se maskat e blera nga MASHT-i, përkatësisht 7.5 euro për 50 maska.

Në disa kompani që merren me shitjen e produkteve të tilla në treg të Kosovës gjinden maska edhe me çmim prej 8-9 cent, gati përgjysmë më lirë se që i ka blerë Ministria e Arsimit nga kompania “YOOBOPO SH.P.K.”.

“Prej datës 21 deri me datën 25 shtator 2020 do t`ia shisja maskat Ministrisë me çmim nga 4 deri në 5 euro për pako (50 copa), apo 8-10 euro për 100 copë. Kualiteti do të ishte i njëjtë, nuk do të ndryshonte”, kanë thënë nga Kompania “Eco-Line”, e cila merret me shitjen e maskave të tilla në tregun e Kosovës.

Përndryshe, sipas një kalkulimi të thjeshtë, bazuar në çmimin e shitjes së këtyre maskave në tregun e Kosovës, del se nga ky tender buxheti i Kosovës është dëmtuar për rreth 30 mijë euro.

Biznesmeni i afërt me Sami Lushtakun merr hise në projektin mbi 200 milionë €

Image
Sami Lushtaku dhe Rrustem Rukolli

Hise milionëshe në projektin për ndërtimin e linjës hekurudhore nga Fushë-Kosova deri në kufi me Maqedoninë e Veriut ka marrë edhe kompania “R & Rukolli”, pronari i së cilës Rrustem Rukolli, ka lidhje të ngushta me ish-kreun e Skënderajt, Sami Lushtaku.

Në këtë projekt janë shpërfaqur vonesa të shumta, për të cilat ka shprehur pakënaqësi edhe ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi.

Në mes të vitit të ardhshëm (2021) do të duhej të përfundonin punimet në ndërtimin e linjës hekurudhore nga Fushë- Kosova deri në kufi me Maqedoninë Veriore, përderisa punëkryesit as për së afërmi nuk kanë arritur t’i realizojnë punimet sipas dinamikës së paraparë dhe marrëveshjes së nënshkruar.

Buxheti i përgjithshëm, ku janë të paraparë grante dhe kredi, për “Hekurudhën 10” në pjesën e Kosovës, arrinë në 208 milionë euro, përderisa projekti është i ndarë në 3 faza.

Tenderin për fazën e parë, përkatësisht implementimin e punimeve në projektin për “Rehabilitimin e pjesës jugore të Hekurudhës” nga Fushë-Kosova në kufi me Maqedoninë Veriore, e ka fituar kompania italiane G.C.F Generalle Costrucioni Ferroviarie S.p.A në bashkëpunim me partnerin lokal “R& Rukolli”.

Ky i fundit udhëhiqet nga biznesmeni Rrustem Rukolli, i cili njihet për lidhjet e tij të ngushta me ish-kryetarin e Skënderajt, Sami Lushtakun, përkatësisht zyrtarin e lartë të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK). Rukolli më herët ka koordinuar edhe ekipin ligjor të mbrojtjes për Sami Lushtakun, derisa ky i fundit ndodhej në burg në Kosovë.

Punimet për realizimin e fazës së parë të linjës hekurudhore nga Fushë-Kosova për në kufi me Maqedoninë Veriore kanë nisur në korrik të vitit 2019, përderisa kostoja e këtij projekti e paraparë për kompaninë italiane dhe partnerin lokal ““R& Rukolli” kap shumën prej 82 milionë euro.

Me rastin e nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e linjës 10 hekurudhore para dy viteve, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ishte zotuar se në pranverën e vitit 2021 hekurudhat do të jenë të përfunduara  deri në Merdare e në Leshak, ndonëse vonesa të theksuara ka në fazën e parë të projektit Fushë-Kosovë-Hani i Elezit, përderisa punimet deri në Leshak pritet të përfundojnë në fund të vitit 2024.

Vidhen mbi 2 milionë € nga buxheti i Kosovës

Image
Ramiz Lladrovci dhe Labinot Gruda

Skandali i radhës në këtë javë është vjedhja e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Brenda 8 minutave është realizuar vjedhja kriminale e 2 milionë e 77 mijë euro.

Sipas burimeve brenda Qeverisë së Kosovës, personat e dyshuar janë: Labinot Gruda (1956), Kadri Shala (1964) dhe Valon Shala (1955), të gjithë shtetas të Republikës së Kosovës.

Personi i vetëm, që deri tani ka përfunduar në pranga për këtë aferë, zyrtari i Ministrisë së Financave, Labinot Gruda, do të qëndrojë 30 ditë në paraburgim.

Avokati Veton Rrecaj, që e përfaqëson Grudën , pas seancës për caktimin e paraburgimit, ka thënë se klienti i tij ishte vetë i 13-ti në zyrë dhe se prokuroria nuk ka prova që e inkriminojnë atë.

Një ditë me parë ministrja Hikmete Bajrami ka thënë se ”paratë janë të sigurta”, por avokati Rrecaj ka ngritur dyshime për këtë.

“Jemi duke pritur vendimin dhe shpresoj që gjykata të mos caktoj masën e paraburgimit. Ne kemi propozuar ta pyesim ministren se ku janë ato mjete që ka thënë se janë te sigurta. Ajo duhet të jap sqarime se prokuroria thotë se ato para nuk janë të sigurta”, tha Racaj.

Kryeministri Hoti, i cili dikur vetë ka qenë ministër i Financave, ka thënë se sistemi është i sigurt.

“Ministrja Bajrami është në krye të aktivitetit për t’u siguruar që organet e rendit janë duke bërë punën e vet. Mashtruesit dhe keqpërdoruesit brenda sistemit publik dhe në institucione nuk kanë me pasur vend, kanë me dalë në sipërfaqe së shpejti sikurse minjtë kur t’iu hyn uji përfundi”, tha Hoti.

“Hasan Krasniqi”, “AAlijai”, “Hasanki”, “BSelmani”, “FazliuF”, janë pesë përdorues fiktivë që kanë pasur qasje në sistemin elektronik të Thesarit, nga ku janë zhdukur mbi 2 milionë euro.

Ndërmarrja e dyshuar për transferin e parave nga të dhënat e siguruara ka përfunduar në orën 12:41, në kohën kur zyrtarët e administratës e kanë orën e pauzës në punë.

Faturat janë lëshuar në emër të tri projekteve rrugore. Zyrtari i Thesarit, i arrestuar, është i afërt me PDK-në, e paratë janë transferuar te familja e një anëtareje të kabinetit të Qeverisë Hoti.

Vjedhje edhe në AUV, grabitet kasaforta

Image
AUV

E një skandal tjetër po aq i madh sa vjedhja e Thesarit ka ndodhur edhe në AUV.

Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV),  është marrë kasaforta me peshë prej 300 kg.

Drejtori ekzekutiv i AUV-it, Naser Krasniqi ka thënë se ka pasur ndërhyrje të paautorizuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Ai tutje ka shtuar se dyshohet se dikush ka hyrë nga pjesa e prapme e objektit, pasiqë sipas tij, para objektit kanë qenë sigurimi i policisë.

Ai ka thënë se me rastin është duke u marrë Policia.

“Unë e konfirmoj që në AUV ka pasur ndërhyrje mbrëmë, ka ndodhur një hyrje e paautorizuar rreth orës 00:00-04:00”, ka thënë ai.

Sipas mediave, kasaforta e cila u vodh ka pasur para për pagesa të vogla, si dhe dokumente të rëndësishme.

“Para për pagesa të vogla, shuma minimale, dokumente të ndishme”, ka thënë një burim nga AUV.

Ndryshe, për këtë periudhë të shkurtër, lista e skandaleve padyshim se është edhe më e gjatë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat