Hetim të detajuar për avullimin e dy milionë eurove

Politika

Hetim të detajuar për avullimin e dy milionë eurove

Nga: Albulena Muji Më: 23 tetor 2020 Në ora: 11:42
Ilustrim

Në një konferencë për media, Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka bërë të ditur të mërkurën se janë tërhequr 2 milionë  euro nga Thasari i Shtetit.

Për këtë çështje, është arrestuar Labinot Gurda, të cilit Prokuroria Themelore e Prishtinës i ka caktuar një muaj paraburgim, ndërkaq në arrati gjenden Kadri dhe Valon Shala.

Për Gruden u tha që është pjesë e Lidhje Demokratike e Kosovës, ndërkaq nga kjo parti u deklaruan se  është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo u dëshmua edhe nga profili i tij në Facebook, ku kishe lobuar për këtë parti në zgjedhjet e kaluara.

Ndërkaq, Kadri Shala është pjesë e Nismës Socialdemokrate, nga kjo parti janë distancuar nga zyrtari i tyre, pas publikimit të rastit të 2 milionëve.

Sipas ekspertëve këto akuza ndërmjet partive politike janë deklarata boshë dhe se deri sa të ketë verdikt profesional duhet të politizohet.

Ahmeti: Rasti të hetohet në mënyrë të pavarur

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se partitë politike nuk duhet të nguten me akuza, pasi që është një rast sensitiv i cili duhet hetuar në mënyrë të pavarur.

Image
Hidajet Ahmeti

“Vjedhja në thesarin e shtetit padyshim është një vepër kriminale e cila duhet hetuar nga institucionet përgjegjëse. Pas një hetimi të pavarur dhe objektiv, kryesi i kësaj vepre ta merr dënimin e merituar. Gjykoj se partitë politike nuk duhet të nguten me akuza të tilla, pasi është një rast sensitiv dhe i cili duhet hetuar në mënyrë të pavarur”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Ahmeti ka shtuar se ky rast nuk duhet të politizohet deri në një verdikti profesional.

“Në momentin kur një hetim i tillë të bëhet në mënyrë të pavarur e objektive, atëherë nëse vërtetohet se krimi në fjale ka qenë i organizuar nga njerëzit e politikes mund të gjykohet në kontekstin e  qëllimeve politike, por assesi rasti të politizohet deri në një verdikti profesional. Por, mbi të gjitha përgjegjësia duhet të bie mbi gjithë ata që kanë kryer këtë vepër kriminale”, ka theksuar Ahmeti për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai deklaruar se një gjë e tillë më shumë është një retorike politike boshe që shpërfaqë  injorancën e pushtetit se sa i ndihmon hetimit të rastit.

“Paritë politike në pushtet më shumë mundohen ta arsyetojnë krimin në kontekstin e denoncimit të rastit apo edhe distancomini nga rasti. Një gjë e tillë më shumë është një retorike politike boshe që shpërfaqë  injorancën e pushtetit se sa i ndihmon hetimit të rastit. Mendoj se kjo logjike është instaluar po nga këto parti që kanë udhëhequr që nga paslufta dhe të cilat kanë keqpërdorur në vazhdimësi me pushtetin e “kontabanduar’,”, ka përfunduar Ahmeti për “Bota sot”.

Dibrani: Tendenca e partive për të mbuluar krimin

Ndërkaq, analisti politik, Petrit Dibrani për “Bota sot”, mendon se politikanët nuk garojnë vetëm për zgjedhje, por edhe për mbulimin e krimit dhe korrupsionit.

“Vjedhja e vetëm 2 milionëve, apo qindra milionëve, pas luftës nga zyrtarët e subjekteve politike, në Kosovë?!Subjektet politike në Republikën e Kosovës, nuk garojnë vetëm gjatë kohës së zgjedhjeve, ato garojnë edhe se kush i pari, po mundet me e mbulu, krimin dhe korrupsionin. Kosova, vendi ku çmohen politikanët hajna e nënçmohen, punëtorët e krahut dhe ku vjedhtë paturpësisht, buxheti i përbashkët i qytetarëve! Me paturpësi, pa pikë turpi, në mënyrë të paturpshme, vidhet buxheti i shtetit.....”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Petrit Dibrani

Po ashtu, Dibrani ka komentuar edhe deklarata e zyrtarëve të partive politike pas vjedhje se 2 milionëve nga Thesari i Shtetit.

“Kjo vjedhje, s’ju mjafton subjekteve politike, ato ia hedhin fajin njëra tjetrës dhe nuk janë të gatshëm, ta denoncojnë krimin - korrupsionin dhe keqbërësit në këtë rast hajnat ti sjellin para drejtësisë! Pse? Se, të gjitha subjektet politike në vend, janë me zyrtarë të korruptuar! S’mbahet kështu shteti, o faqezi! “Të shpërndarë në grupe apo parti, ju flisni me njëri tjetrin, vetëm për hajni. "Në një shtet normal, politikanët apo zyrtarët e tillë do të ishin në burg dhe jo në politikë, apo zyrtarë shtetëror”. Ju mallkoftë, gjaku i dëshmorëve dhe luftëtarëve të Lirisë”, ka përfunduar Dibrani për “Bota sot” .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat