Vënia e paraleleve në mes Kosovës dhe Serbisë rreth ndryshimit të Kushtetutave, e papranueshme për Kosovën

Politika

Vënia e paraleleve në mes Kosovës dhe Serbisë rreth ndryshimit të Kushtetutave, e papranueshme për Kosovën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 23 tetor 2020 Në ora: 16:34
Miroslav Lajçak

Deklarata e përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës për të akomoduar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ishte qartazi një deklaratë e pamatur dhe joprofesionale.

Kështu kanë vlerësuar analistët politik, ku sipas tyre Lajçak këtë deklaratë e bëri nga Beogradi, respektivisht nga vendi i cili në preambulën e Kushtetutës së tij e përcakton Kosovën si pjesë integrale të Serbisë.

Të kundërshtohen ndryshimet kushtetuese

Kurse njohësi i çështjeve të Integrimeve Evropiane, Sami Blakaj ka thënë se Lajçak këtë deklaratë e bëri nga Beogradi, respektivisht nga vendi i cili në preambulën e Kushtetutës së tij e përcakton Kosovën si pjesë integrale të Serbisë.

Sipas tij, pikërisht fakti që Serbia në normativën e saj kushtetuese edhe më tutje e konsideron Kosovën pjesë e pandashme e saj, ky do duhej të ishte argument i mjaftueshëm për diplomatin sllovak, që i njëjti kërkesën e tij për ndryshimet kushtetuese ta adresoj tek pala serbe.

Image
Sami Blakaj

“Aktualisht Kosova ndodhet në një momentum të ndjeshëm politik dhe në këtë fazë të dialogut pala e Kosovës, duhet të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme dhe e vendosur. Në këtë kuptim, mendoj se të gjitha partitë politike parlamentare, pozitë dhe opozitë duhet t’i bashkojnë forcat dhe njëzëri t’i kundërshtojnë ndryshimet e kërkuara kushtetuese. Kjo për arsyen e argumentit, meqë çfarëdo ndryshimi kushtetues që lidhet me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe do ishte i rrezikshëm për organizimin shtetëror të Kosovës dhe kësisoj do të binte në kundërshtim me vetë identitetin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, është shprehur njohësi i çështjeve të Integrimeve Evropiane Sami Blakaj.

Serbët të heqin dorë nga qëllimet separatiste

Image
Ejup Berisha

Ndërsa analisti politik Ejup Berisha ka thënë se asociacioni i disa komunave ku jetojnë një popullatë me shumicë serbe në Veri të Mitrovicës në territorin e Republikës së Kosovës fatkeqësisht do të themelohet, meqë kjo është kërkesë e palës serbe.

Sipas tij, kur një numër i konsiderueshëm i popullatës së një pakice të caktuar etnike në një shtet të caktuar, e kërkon një gjë të caktuar atëherë si shenjë e vullnetit të mirë nga ana e pjesëtarëve të popullatës, shumicë që jeton në atë shtet.

“Konsideroj se Asociacioni serbëve të Kosovës duhet tu ofrojë mundësi për organizimin e jetës së tyre qytetare në kuadër të shoqërisë së vendit, përmes dhënies së garancive se të njëjtët do të mund ti gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë qytetare të cilat i garanton Kushtetuta dhe ligjet pozitive të Republikës së Kosovës, me qëllim që ata të inkuadrohen dhe të veprojnë në kuadër të sistemit kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës dhe të njëjtët të heqin dorë nga qëllimet irredentiste dhe separatiste si dhe të veprojnë lirshëm pa kurrfarë paragjykimesh me qëllim që të ndjehen si qytetar të barabartë të Republikës së Kosovës së bashku me qytetarët e tjerë të saj”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai ka thënë se nëse qëllimi i serbëve është që përmes Asociacionit të punojnë në identifikimin e tyre si qytetar lojal të Republikës së Kosovës, pa tendenca që të lidhen me institucione, përfaqësues institucional, me politikanë si dhe me qarqe tjera të dyshimta të Republikës së Serbisë nga të cilët do të manipuloheshin dhe do të përdoreshin si mjet për arritjen e qëllimeve të caktuara politike nga ana e tyre në Kosovë, atëherë Asociacioni është edhe i pëlqyeshëm dhe i domosdoshëm që të formohet.

“Nga ana tjetër Asociacioni është edhe obligim i pranuar nga ana e përfaqësuesve politik dhe shtetëror të Republikës së Kosovës në kuadër të dialogut disa vjeçar të zhvilluar në Bruksel me përfaqësuesit politik dhe shtetëror të Republikës së Serbisë. Dialogu u zhvillua dhe po vazhdon zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Asociacioni është mirë të formohet nëse i njëjti është një mundësi që popullata serbe të motivohet që të jetoj dhe të pranojë të bëhet pjesë përbërëse e popullatës së përgjithshme që jeton në Republikën e Kosovës. Nëse Asociacioni kontribuon dhe garanton që Serbët do të heqin dorë nga tendencat e për ndarjen e atyre pjesëve të territorit të Republikës së Kosovës ku ata janë shumicë me qëllim të bashkëngjitjes së të njëjtave Serbisë atëherë le të formohet”, ka thënë analisti Berisha.

Sipas tij, për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe duhet të iniciohen ndryshime kushtetuese në Republikën e Kosovës, dhe kjo do ta ngritë dhe rrit-te besueshmërinë e procesit të formimit të Asociacionit.

“Për këtë çështje procedura është e qartë dhe atë se së pari duhet të respektohen të gjitha procedurat prej inicimit të ndryshimeve kushtetuese përpilimi i draftit, nxjerrja e tij në debat publik, përmirësimi i tij në aspekt përmbajtjesor dhe të zgjidhjeve që i ofron i njëjti pastaj miratimi i propozim ndryshimeve si dhe miratimi i ndryshimeve definitive kushtetuese në Kuvend. Ndryshimet kushtetuese në një shtet demokratik nuk duhet të jenë tabu temë të paktën kur bëhet fjalë për çështjen e përmirësimit të pozitës kushtetuese dhe juridike të pjesëtareve të pakicave që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës. Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese sa i përket çështjes së Formimit dhe funksionimit të Asociacionit të komunave me popullatë shumicë serbe duhet edhe arritja e konsensusit mes të gjitha subjekteve politike që veprojnë politikisht në Kosovë. E tërë kjo duhet të ndodh me qëllim të eliminimit të mospajtimeve dhe kundërshtimeve që i kanë paralajmëruar subjektet politike opozitare në Kosovë duke deklaruar se nuk do të pranojnë apo kategorikisht do ta kundërshtojnë formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Mitrovicës duke e konsideruar si proces shumë të dëmshëm për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, ka thënë Berisha.

Ai konsideron se subjektet politike opozitare është mirë që kundërshtojnë projekte të caktuara politike.

“Natyrisht që subjektet politike opozitare është mirë që kundërshtojnë projekte të caktuara politike nëse tendenca e tyre është që të ndikojnë në përmirësimin e procesit të formimit dhe funksionimit të Asociacionit ku do të mbroheshin edhe interesat vital të Republikës së Kosovës. Po ashtu do të kontribuohej pozitivisht në normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duke shmangur çdo efekt negativ mbi gjendjen e përgjithshme politike dhe të sigurisë si pasojë e formimit të Asociacionit i cili po negociohet dhe rreth të cilit shumë ashpër po thyhen shtizat mes palëve biseduese apo mes asaj të Kosovës dhe serbe”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Haziri: Kosova duhet të formoj e ASK-së në bazë të kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese

Image
Nexhat Haziri

Kurse analisti politik Nexhat Haziri ka thënë se Kushtetuta nuk është bibël gjoja si keqinterpretim i kësaj deklarate, është një reagim i vakët që shpërfaqë paaftësinë e Brukselit për të qenë një ndërmjetës i pa anshëm në këtë proces.

Sipas tij, vënia e paraleleve në mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket ndryshimit të Kushtetutave, është po ashtu e papranueshme për Kosovën, pasi në preambulën e Kushtetutës së Kosovës nuk ka kurrfarë tendence për aneksim apo mbajtje të ndonjë pjesë të ndonjë shtetit tjetër, jashtë deklaratës për shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt.

“Ndërsa Serbia vazhdon ta ketë Kosovën në preambulën e saj si pjesë të territorit të saj edhe pas më shumë se dy dekada, kur Serbia u detyrua të kapitulloj në Kosovë dhe 12 vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Andaj çdo nxjerrje e paraleleve në këtë kontekst për shkak të formimit të ASK-së, do të minoj procesin e dialogut Kosovë- Serbi. Në anën tjetër Kosova duhet të tregoj gatishmëri për formimin e ASK-së në bazë të kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe AKS-ja duhet të jetë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse e cila do ta përmbajë edhe njohjen reciproke në mes dy shteteve”, ka thënë analisti politik Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat