Para 2 milionëshit, këto janë vjedhjet spekuluare që tronditen Kosovën

Politika

Para 2 milionëshit, këto janë vjedhjet spekuluare që tronditen Kosovën

Nga: A.M. Më: 23 tetor 2020 Në ora: 16:37
Ilustrim

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar vjedhjen e 2 milion eurove nga Thesari i Shtetit.

 Qarri ka thënë se vjedhjet në Kosovë, janë kthyer në traditë e atraksion përfitimesh të mëdha, dhe kjo nuk është vjedhja e parë as e vetme.

Gjithashtu, Qarri ka përmendur edhe vjedhjet e tjera që kanë ndodhur në Kosovë, në dy Dhomat e Dëshmive në dy qendrat kryesore të policisë së shtetit, në Prishtinë dhe në Pejë.

“Para disa vitesh, Shqipëria befasonte për vjedhjet spektakolare të milionave nga Thesari i shtetit, kurse tani,"yrrneku" i njëjtë, përsëritet edhe në Kosovë ku sapo u vodhën mbi 2 milion e njëqindmijë euro dhe jo më netëve të errëta si në Shqipëri, por ditëve me diell dhe atë për kokërr të sefasë, duke i ndarë me nge, në katër transaksione bankare.

Në fakt vjedhjet në Kosovë, janë kthyer në traditë e atraksion përfitimesh të mëdha, dhe kjo nuk është vjedhja e parë as e vetme, e me shumë gjasë, nëse zgjatë edhe më tej gjendja e tanishme, nuk do të jetë as vjedhja e fundit në vend.

Madje vjedhje edhe më të mëdha e më spektakolare, kanë ndodhur jo shumë vite më parë, dhe atë në dy Dhomat e Dëshmive në dy qendrat kryesore të policisë së shtetit, në Prishtinë dhe në Pejë.

Në këto Dhoma sensitive, përveç vjedhjes së arit, drogës dhe parave të gatshme, u shkatërruan edhe disa qindra prova të krimeve më të rënda dhe akteve të hetimeve kundër kriminelëve, për të cilat sot e atëherë nuk është dënuar askush, e për aq më keq, në aktet e vjedhjes dhe shkatërrimit të provave, ishin të involvuar edhe vet pjesëtarët e policisë së Kosovës.

Ndër dëshmitë më të trishta të mungesës së rendit dhe ligjit në vend, si dhe skandalet më të mëdha të gjithë sistemit të dështuar të sigurisë në Kosovë, ishte vjedhja spektakolare e lajmëruar më 25 prill të vitit 2009 në Dhomën kryesore të Dëshmive brenda objektit të Policisë së Kosovës në Prishtinë, vjedhje e ndodhur mu në Drejtorinë e Krimit të Organizuar ku përveç 47.627 kg heroin dhe disa mijëra eurove, ishin vjedhë edhe dëshmitë kryesore të konfiskuara në hetimet e atëhershme që ishin ende duke u zhvilluar.

Për tu bërë aktet e tilla edhe më trishtuese, u ndërprenë edhe hetimet kundër kriminelëve, ngase një nga akterët kryesor të vjedhjes në Dhomat e Dëshmive brenda Drejtorisë së Krimeve, të policisë në Prishtinë ishte dhëndëri i Shpend Maxhunit, të preferuarit të Hashim Thaçit, të cilin nga fundi i korrikut të vitit 2011,Thaçi e emëroi drejtor të Policisë për 7 vite me radhë, ndërsa më 2018 edhe Drejtor të AKI-së, deri me ardhjen e Albin Kurtit kryeminstër.

Vetëm nga Dhoma e Dëshmive në Pejë u vodhën një sasi prej 25 kilogram ari, bartja e të cilit, sipas hetimeve të zhvilluara, kishte zgjatur hiq më pak se tre muaj ditë dhe bazuar në vlerësimet e prokurorisë vetëm ari, duhej të ishte shitur për rreth 2 milion euro.

Ndërsa për tu bërë edhe më tragjike këto raste, si në Prishtinë, ashtu edhe në Pejë, jo vetëm që personat e dyshuar kishin lidhje të ngushta me njerëzit më të fuqishëm në polici dhe politikë, por pjesëmarrës aktiv në skandale ishin edhe vet pjesëtarët e policisë shtetërore”, ka deklaruar Qarri për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka potencuar se  partitë politike në vend se të ndihmojnë për sqarimin e rastit, menjëherë pas bërjes publike të vjedhjes së 2 milion eurove, kanë nxituar ta etiketojnë njëra tjetrën.

“Kështu që duke pasur parasysh të gjitha këto, nuk habit më aspak e dhëna se pikërisht personi i cili tash e 11 vite paska punuar si zyrtar i lartë financiar në Departamentin e Thesarit, u raportua të ketë vjedhur mbi 2 milion e njëqindmijë Euro nga Thesari i Shtetit.

Ndërsa ajo që habitë më tepër, është fakti se si u prit kaq gjatë, që në një shtet si Kosova të kapur fund e krye nga kriminelët dhe mafia, prej vitit 2009 kur ndodhi vjedhja në Dhomën e Dëshmive në Policinë e Prishtinës dhe më 2012 në atë të Pejës, të kalonin mbi 8 vite pa shpërthyer asnjë skandal i ri, i këtyre përmasave dhe ndodhur vjedhja e radhës, si kjo e Thesarit të Shtetit.

Madje më tragjikomike tingëllon informata e radhës se pikërisht shefi i kompanisë ku përfunduan paratë e vjedhura të Thesarit të Shtetit, na qenka hiq më pak se pjesëtar " i shquar" i partisë së Fatmir Limës i cili, pa kurrfarë habie, ende përflitet për transferimin çantave të mbushura me miliona, nëpër aeroportet e Zvicrës.

Për aq më tepër edhe e bija e pronarit të kompanisë "fituese" të "subvencionuar" me parat e Thesarit të Shtetit, deri në ditët e fundit, paska qenë këshilltare e lartë e vet zëvendëskryeministres së Kosovës.

E gjithë kjo "hallakam" shkatërrimtare, jo vetëm se flet shumë për qytetarët e këtij vendi, se nga kush udhëhiqen dhe nën çfarë regjimesh jetojnë, por edhe dëshmon katërçipërisht se komplet shtetin me të gjitha entet dhe institucionet e tij e kanë kapur për fyti mafia dhe rrjeti i mirë organizuar i kriminelëve, kundër të cilëve, druhen të veprojnë jo vetëm gjykatat dhe prokuroria por edhe vet AKI, e cila megjithëse njeh mirë biografinë e këtyre njerëzve, lejon në heshtje katapultimin e tyre në institucionet më të ndjeshme të shtetit.

E në përgatitjen dhe ekzekutimin e rasteve të tilla drakonike, janë të përfshirë edhe funksionarët më të lartë shtetëror e partiak, gjë që e vërteton përkatësia partiake e kriminelëve të akuzuar si dhe afërsia e tyre, me të parët e partive të forta në Kosovë.

Kurse ajo që shqetëson pafund, është fakti se në Kosovë, hajnia është kthyer në kulturë e moto të jetesës dhe bërë normale që kriminelët e rangut më të lartë, jo vetëm të mos dënohen, por edhe të lirohen tërësisht nga aktakuzat.

Ndaj dhe nuk është rastësi që ditën në të cilën lajmërohet se u grabiten 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit, dy të dyshuar ikin dhe ende ndodhen në arrati, ndërsa burgoset vetëm një person, por edhe për atë, del avokati i tij para kamerave dhe pa fije turpi deklaron se klienti që ai mbron, "nuk ka fakte që është fajtor".

Madje vjedhja e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, shihet se është bërë me shumë nge e komoditet dhe pa u penguar as kontrolluar nga askush.

Dy milion eurot u ndanë me qetësi në 4 transaksione dhe nga Thesari i Republikës së Kosovës kaluan pa asnjë pengesë as problem në llogarinë private të një operatori ekonomik me emër e mbiemër dhe të lidhur me punëtorin shumëvjeçar të Thesarit.

Ndërsa partitë politike, në vend se të ndihmojnë për sqarimin e rastit, menjëherë pas bërjes publike të vjedhjes së 2 milion eurove, nxituan ta etiketojnë njëra tjetrën, gjë që nuk kanë fare nevojë të shtyhen në mes vete, sepse pothuajse që të gjitha, kush më pak e kush më shumë, janë të përfshira në korrupsion e krim të organizuar dhe kanë zyrtar e persona të përfshirë në X raste korruptive e kriminale, si ky dhe raste tjera të ngjashme.

Kjo, vërteton plotësisht se partitë politike dhe pushtetarët e Kosovës, janë degjeneruar deri në atë masë, sa që jo vetëm se nuk e thonë më të vërtetën për asnjë rast, por edhe nuk janë aspak seriozë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit galopant në vend, të cilin ato vet e kanë zgjeruar deri në këtë gjendje dhe mbajnë përgjegjësi të plotë edhe për vjedhjet dhe grabitjet që tash e sa vite, jo vetëm nuk ndalen, por as aktorët nuk dënohen nga shteti”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat